Nasho Jorgaqi
Veprat e para që Naimi shkroi dhe botoi në gjuhë të huaj, ndonëse, për nga vlera dhe roli që luajtën, nuk hyjnë në krijimtarinë e tij madhore, prapë ato kanë rëndësinë e tyre jo vetëm si pikënisje në veprimtarinë letrare të poetit tonë, por edhe si krijime që i shërbejnë njohjes së atyre premisave e faktorëve të cilat çuan në formimin ideoartistik të Naimit.
Dihet se Naimi është një prej përfaqësuesve më të shquar të romantizmit shqiptar dhe nga kjo pikëpamje ia vlen të dimë se cilat qenë interesat dhe ndikimet e hershme tek ai, nga ç’burim u ushqye në fillimet e veta letrare.
1.
Është i njohur fakti se Naimi në fillim nuk u prezantua si poet romantik. Në hapat e parë, ai u dha pas poezisë klasike persiane, u dashurua me veprat e Saadiut dhe Hafizit, hartoi dhjetëra vjersha persisht dhe duke ndjekur traditën e letërsisë persiane, modelet e poetëve të preferuar, shkroi dhe botoi vëllimin poetik “Ëndërrime” (Tejahylat”, 1884). Por më vonë, ai nuk ndoqi këtë rrugë dhe nuk kishte si ta ndiqte. Fryma dhe mjetet tradicionale të poezisë klasike persiane dhe turko-arabe nuk i përgjigjeshin kërkesave të reja historike, nevojave të lëvizjes kombëtare që filloi me kohë t’i ndiejë e t’i kuptojë.
Në Zosimea ai kishte mësuar gjuhën dhe letërsinë frënge, ishte njohur me historinë e Francës, kishte lexuar veprat e Rusoit dhe të Volterit. Naimi u mëkua me idetë e revolucionit borgjez dhe këto ide s’kishin si të mos sillnin ndryshime në botëkuptimin e tij përgjithësisht dhe të koncepteve estetike në veçanti. Po këto ide me siguri do të kishin mbetur në kufijtë e entuziazmit djaloshar edhe te Naimi, në qoftë se ai nuk do të ishte lidhur ngushtë me lëvizjen kombëtare të vendit të vet. Hovi dhe organizimi që mori lëvizja jonë kombëtare pas ngjarjeve të Lidhjes së Prizrenit çelën para poetit tonë horizonte pune dhe lufte, i dhanë një përmbajtje konkrete krijimtarisë së tij.
S’ka dyshim që botëkuptimi i përparuar që përftuan idetë e revolucionit frëng te poeti ynë dhe militimi nga ana e tij në lëvizjen kombëtare, qenë faktorët kryesorë që e bënë të përqafojë një drejtim të shëndoshë letrar, siç qe romantizmi.
Romantizmi në Europë, në kohën kur e përqafoi Naimi, nuk ishte më në lulëzim, përkundrazi. Po dihet për arsye historike, se ai erdhi vonë në disa letërsi, siç ndodhi me letërsinë e vendeve të robëruara ose të prapambetura. Një fenomen i tillë ngjau edhe në letërsinë tonë dhe një aspekt të saj paraqet krijimtaria e Naimit.
Është e kuptueshme që Naimi për kohën kur hyri në letërsi dhe për detyrat që kishte para lëvizjes kombëtare nuk mund të përqafonte klasicizmin, një drejtim letrar i kapërcyer, i një shoqërie që po largohej nga skena e historisë; po as realizmin, që me parimet e veta kërkonte zbulimin e kontradiktave shoqërore dhe paraqitjen me vërtetësi të jetës. Në kushtet e shoqërisë së atëhershme shqiptare dhe të nivelit të letërsisë shqipe, romantizmi ishte i vetmi drejtim letrar që u përgjigjej nevojave imperative, për ta vënë letërsinë në shërbim të luftës çlirimtare.
Për këtë arsye më duket se paraqet mjaft interes hulumtimi i atyre elementeve në krijimtarinë e Naimit, që e përgatitën poetin tonë si romantik. Marrë nga kjo pikëpamje, novela lirike “Katër stinët” është një moment mjaft kuptimplotë, e panjohur dhe e pastudiuar deri më sot.
Kalimi në pozitat e romantizmit, për Naimin, përbënte një hap mjaft të rëndësishëm po të kemi parasysh se ç’përfaqësonte perandoria mesjetare turke. Poeti ynë jetonte në një vend ku ishin në fuqi obskurantizmi dhe injoranca, fanatizmi e dhuna, ku jeta qe vënë nën zgjedhën e një sistemi feudalo-ushtarak dhe feja e kleri kishin robëruar tërë sferat mendore e shpirtërore të njeriut. Njeriu dhe jeta e tij shoqërore, bota e brendshme qenë pothuajse të huaja për letërsinë. Prandaj ta drejtoje vëmendjen nga njeriu dhe shoqëria njerëzore, të çmoje botën e tij të brendshme, ndjenjat dhe mendimet, ta shikoje lumturinë e njeriut vetëm mbi tokë, të ngriheshe kundër asketizmit dhe të himnizoje natyrën, ishte vetvetiu një reagim i hapur ndaj ideologjisë sunduese. Kjo do të thoshte të viheshe në kundërshtim me letërsinë zyrtare, me dogmat myslimane.
Përpjekjet e Naimit për ta shkëputur krijimtarinë e vet nga ndikimi i drejtpërdrejtë i fesë, për ta bërë atë pasqyrë të jetës, nuk qenë përpjekje të veçuara. Ato ishin pjesë e luftës që bënte inteligjenca përparimtare në perandorinë turke, për të përhapur idetë iluministe kundër reaksionit feudalo-klerikal.
Ndryshimet ekonomike e shoqërore që ndodhën gjatë viteve të reformave të Tanzimatit sollën pasoja të rëndësishme dhe në letërsi. Pikërisht në këtë kohë, lind dhe zhvillohet letërsia e re turke. Shkrimtarët e brezit të ri si Shinasiu, Zija Pasha, Ahmet Mitati etj. luftuan me ithtarët e kulturës feudale dhe epigonët e poezisë klerikale, zhvilluan një veprimtari të gjerë iluministe. Në kundërshtim me letërsinë e mëparshme, këta i vunë vetes për detyrë ta lidhnin letërsinë me jetën reale, t’i kushtonin vëmendje njeriut dhe problemeve të rëndësishme që shqetësonin kohën e tyre. Këto përpjekje gjetën pasqyrim jo vetëm në brendinë e re që filloi të rrjedhë me letërsinë turke, po dhe në format e reja letrare që u lëvruan si: novela, romani, drama, lloje të panjohura deri atëherë prej letërsisë zyrtare.
Në radhët e para të kësaj lufte që bënte inteligjenca turke do të qëndronte dhe Samiu, i njohur me emrin Shemsedin Sami. Në këtë luftë, me sa duket u angazhua dhe Naimi. Por angazhimi i Naimit në terrenin turk, nuk vazhdoi gjatë. Ndryshe nga Samiu, që forcat kryesore krijuese i lidhi me luftën e inteligjencës për progresin shoqëror e politik në vendin ku jetonte, Naimi talentin dhe tërë aftësitë e veta, duke filluar nga mesi i viteve ’80, ia kushtoi kryesisht kauzës së çlirimit të atdheut. Në fakt, novela “Katër stinët”, është e vetmja vepër letrare turqisht që përbën kontributin e Naimit në luftën e përbashkët për progres.
Dihet se Samiu zhvilloi një punë të madhe me karakter iluminist, jo vetëm duke përkthyer libra si “Historia e Francës” apo duke dhënë në turqisht një sërë veprash letrare të huaja, ndërmjet të cilave dhe “Të mjerët” e V. Hygoit, po dhe duke themeluar e drejtuar organe të ndryshme e duke marrë nisma të tjera që i shërbenin zgjimit dhe emancipimit të popullit.
Në këtë drejtim një rëndësi të madhe ka themelimi prej tij i Bibliotekës së xhepit më 1884. Në këtë punë, Samiu, duke marrë mbi vete barrën kryesore, u lidh me botuesin më të shquar të Stambollit, armenin Mihran. Naimi, që sapo ishte vendosur aso kohe përfundimisht në Stamboll, i erdhi me sa duket në ndihmë të vëllait.
Në serinë e Bibliotekës së xhepit u botuan vepra me karakter divulgativ që përhapnin njohuri shkencore mbi njeriun, shoqërinë dhe botën, pikëpamje të drejta mbi moralin, mbi gruan etj. Naimi përgatiti për Bibliotekën e xhepit veprat: “Zbulime dhe shpikje”, një libër i vogël me karakter shkencor divulgativ dhe “Katër stinët”.
Novela “Katër stinët” ishte kryesisht vepër letrare, fare e ndryshme nga shoqet e saj të serisë. Po megjithëse kemi të bëjmë me një vepër letrare, “Katër stinët”, siç do ta argumentojmë më poshtë, në thelb përkonte me qëllimin e përgjithshëm që kishte Biblioteka e xhepit: t’i shërbente përhapjes së ideve e koncepteve të reja mbi jetën shoqërore e shpirtërore të njeriut, t’i vinte në ndihmë emancipimit të shoqërisë, të luftonte fanatizmin dhe dogmat e ngurta të fesë. Ajo u botua më 1884 në Stamboll, në shtypshkronjën e Mihranit nën titullin turqisht “Fursuli erbea”. Në krye të librit është vënë shënimi “Marrë nga frëngjishtja prej Mehmet Naimit”.
Problemi i parë që del para studiuesit ka të bëjë me shkallën e origjinalitetit të veprës. Vetë shënimi që thotë se është marrë nga frëngjishtja, pa përmendur emrin e autorit, tregon qartë se nuk jemi para një vepre krejtësisht origjinale. Duke hulumtuar në krijimtarinë e shkrimtarëve romantikë të preferuar të Naimit, siç qenë V. Hygoi dhe Lamartini, nuk na rezulton ndonjë vepër e tillë. Pra nuk kemi të bëjmë thjeshtë me një përkthim. Na e thotë mendja se mbetja jashtë e emrit të autorit s’është pa shkak. Në qoftë se Naimi do të kishte bërë thjeshtë një përkthim ishte e natyrshme që ai ta vinte emrin e autorit, ashtu siç ndodhi më vonë në përkthimin e fragmenteve të Iliadës së Homerit.
Mendojmë, siç do të përpiqemi të arsyetojmë më poshtë, se “Katër stinët” s’është vepër origjinale, as thjeshtë përkthim, po një përshtatje e lirë. Ka shumë mundësi që Naimi të ketë marrë nga ndonjë vepër e letërsisë frënge, idetë, subjektin, personazhet etj. dhe këto t’i ketë përpunuar lirisht, duke futur dhe elemente nga vetja. Nga mungesa e traditës, sidomos në fushën e prozës, kishte autorë që subjektet, motivet, figurat apo dhe elemente të tjerë i merrnin nga letërsia perëndimore, veçanërisht nga ajo franceze, dhe i trajtonin pastaj në mënyrën e tyre sipas mundësive dhe aftësive të veta.
Dihet se vjersha e njohur e Naimit “Të varfrit” ishte një përshtatje e një vjershe homonime të V. Hygoit, po që poeti ynë nuk e quajti të arsyeshme të vejë ndonjë shënim. Këtë mund ta shtrinim për analogji dhe për “Katër stinët”. Po pavarësisht nga mungesa e një dokumentimi të drejtpërdrejtë nga ana e Naimit, mund të themi se disa veçori të përmbajtjes së veprës na shtyjnë ta quajmë “Katër stinët” një vepër të përshtatur. Gjejmë në të elemente që na kujtojnë tërthorazi realitetin turk, ku jetonte poeti, tipare të psikologjisë e të ambientit fanatik që i ndrydhte i shtypte ndjenjat e të rinjve. Përsëritet herë pas here lajtmotivi i njohur i poezisë orientale mbi dashurinë e bilbilit me trëndafilin. Lulet që përmenden shpesh janë lulet karakteristike të lindjes si, trëndafili, karafili, zymbyli, jasemini, borziloku etj. Dashuria e dy të rinjve jepet vazhdimisht në një sfond lulesh e përgjithësisht me një florë të pasur që të kujton florën e vendeve të Lindjes. Edhe nga pikëpamja e perceptimit poetik të jetës gjejmë figura karakteristike për mentalitetin e ambientit ku jetonte Naimi. Kështu, dashuria është përfytyruar si gjarpër, apo zemra e prekur nga dashuria përfytyrohet me tela apo fusha e shtruar si qilim e qielli si çarçaf, etj.
Për një punë deri diku origjinale nga ana e Naimit flasin dhe disa veçori kompozicionale e stilistike të veprës. Mënyra se si ai thuri episodet, thjeshtësia e kompozicionit, gjuha e thjeshtë, disa nuanca stilistike etj. e afrojnë “Katër stinët” me Naimin poet. Siç do ta vëmë re, ajo është pjellë e klimës letrare të kohës dhe nuk e kalon stadin e letërsisë së vendit ku jetonte e krijonte shkrimtari ynë.
2.
Novela “Katër stinët” është një tregim lirik ose më mirë të themi një poemë në prozë kushtuar dashurisë. Ajo nuk ka subjekt në kuptimin e mirëfilltë. Vendin e subjektit e zë përshkrimi i dashurisë së dy të rinjve, duke pasur në sfond natyrën gjatë katër stinëve të vitit. Heronjtë e tregimit janë kryesisht dy të rinj, një vajzë e një djalë anonimë, pa emër. Edhe vendi ku zhvillohet idili i tyre jepet pa adresë konkrete, diku në gjirin e natyrës. Bile dhe jeta është dhënë në kufi në mes të realitetit dhe të ëndrrës.
Kjo sigurisht lidhet me atë tendencë të njohur të romantikëve, të cilët në krijimin e figurave i largoheshin qëllimisht karaktereve të gjallë, tipareve e situatave konkrete, duke i kthyer kështu në simbole e përgjithësisht në figura alegorike. Pak a shumë një praktikë të tillë do ta gjejmë të shprehur dhe në “Katër stinët”.
Në themel të novelës janë vënë dashuria dhe natyra, si burime të gjalla të kuptimit e të gëzimit të jetës së njeriut mbi tokë. Ato janë përshkruar me hollësi përmes një pasurie të madhe detajesh të imta që të kujtojnë shpesh punën e endur në filigramë. Dhe pavarësisht nga fakti se deri në ç’shkallë janë origjinale, prapë ato e zbulojnë Naimin para lexuesve si artist mjaft të hollë, hetues të imtë të botës së brendshme të njeriut e vrojtues aktiv të natyrës.
Dashuria e dy të rinjve na jepet në tregim kryesisht nëpërmjet shëtitjeve që ata bëjnë në gjirin e natyrës gjatë katër stinëve të vitit. Ideja e veprës duket sa konkrete aq edhe alegorike; dashuria, ashtu si natyra, ka stinët e saj, që nuk varen nga vullneti i njeriut. Këtë ide autori rreh të na e vërtetojë, duke na e përshkruar idilin e të rinjve hollësisht në kohë të ndryshme.
Shëtitja e parë e dy të rinjve ndodh në pranverë. Ashtu si çelet natyra, çelet dhe dashuria e tyre. Si në një fokus zbulohet para lexuesve lindja e kësaj ndjenje të fuqishme, trazuar me dëshira të vagëlluara e dyshime, me druajtje e heshtje, me buzëqeshje e zemërime të lehta. Duket sikur gazi e brenga nuk mund të kuptohen pa njëri-tjetrin. Është ajo fazë e dashurisë, kur ka dëshira dhe pak guxim, kur ka tundime, po ka dhe druajtje nga mungesa e përvojës.
Dashuria na përshkruhet si një vuajtje e ëmbël që buron nga një kontradiktë e fortë psikologjike: nga një anë është dëshira e madhe e të rinjve për t’u afruar, por nga ana tjetër forca e zakonit, druajtja e turpi.
Gjendja psikologjike e heronjve të tregimit është dhënë në harmoni të plotë me natyrën. Natyra kudo shërben për evidencimin e dashurisë. Kështu, tërë ajo lektisje ndjenjash e endjesh, dëshirash e ëndrrash jepen duke pasur si sfond pranverën, që lulëzon rreth e qark.
Në pranverë, në ringjalljen e natyrës, do të thotë autori, zgjohet më mirë se asnjëherë dashuria. Prandaj, pranvera dhe dashuria merren të lidhura ngushtë, përshkruhen të gërshetuara me njëra-tjetrën. Ndjenjës optimiste të dashurisë i është vënë peizazhi pranveror plot dritë e ngjyra, me variacione të ndryshme. Kudo që shëtisin të rinjtë, në fusha e pyje, pranë krojeve e lumenjve, ndihet e preket pranvera. Kjo është arritur jo vetëm në përshkrimin e hollë e piktoresk të florës së pasur dhe të këngëve të zogjve, po dhe të natyrës, përgjithësisht, të diellit dhe qiellit, të reve dhe të erës në çaste të ndryshme të ditës e të natës.
Takimet e shëtitjet e dy të rinjve në stinën e verës zënë pjesën më të madhe të novelës. Marrëdhëniet e tyre në këtë stinë janë dhënë të plota e konkrete. Dashuria është bërë më e fuqishme. Tani ata nuk kanë frikë të afrohen, përkundrazi, të ndezur e të dalldisur nga zjarri i dashurisë nuk dinë të shkëputen nga njëri-tjetri. Janë mbyllur në një dhomë dhe kjo i ka dhënë autorit dorë të na i përshkruajë heronjtë më afër. Ndryshe nga tabloja idilike e pranverës, ndjenjat e dëshirat tani nuk janë të vagëlluara apo të ndrydhura, por të gjalla e të lira. Në mënyrë të veçantë na jepen me radhë tiparet fizike të vajzës, herë me ngjyra delikate, herë me një notë sensualizmi. Si vajza dhe djali paraqiten shumë të ndjeshëm, të ngarkuar me emocione të forta. Gjëja më e vogël i prek, aq sa dhe bukuria e muzgut të mbrëmjes ua mbush sytë me lot. Flasin pak për të mos thënë hiç. Më shumë kundrojnë njëri-tjetrin. Po në ndryshim nga pranvera, ata tani shohin dhe pëllumbat që fluturojnë, ndjekin me sy dhe zogjtë e tjerë, vërejnë lulet përqark, pinë verë e hanë pemë. Dhe kjo nuk është bërë pa qëllim: ata janë në verën e dashurisë, gëzojnë frutat që pjek kjo stinë!
Kur dashuria e dy të rinjve është në kulmin e saj, pa pritur i futen disa elementë që krijojnë një atmosferë pasigurie e skepticizmi, bëjnë të ndihet “diçka e çuditshme, si një shtatore trishtuese”. Dëgjohen të këndojnë zogj ndjellakeq si kukuvajka e bufi, shihet një skifter që i sillet përqark çiftit. Lihet përshtypja se diçka po e kërcënon dashurinë.
Me futjen e këtyre elementëve novela nga kuptimi konkret merr një kuptim alegorik. Tani vëmendjen e lexuesit nuk e tërheq vetëm përshkrimi i marrëdhënieve konkrete të çiftit, po dhe ajo tendencë filozofimi që nis të ravijëzohet këtej e tutje në tregim.
Në përshkrimin e vjeshtës tendenca e filozofimit thellohet më tej. Autori u largohet gjithnjë e më tepër përshkrimeve konkrete dhe flet më gjuhën e figurave.
“Lulet tani nuk dolën gënjeshtare, – u thonë heronjve frutat e pemëve. — Po ju që ju lulëzoi dashuria, ku i keni frytet?”.
Autori pohon se gëzimet që sjell dashuria, si çdo gjë në botë, nuk janë të përjetshme. Ato vijnë dhe ikin si pëllumba që zënë fole në zemrën e njeriut e pastaj largohen. Këtë fillojnë ta ndjejnë dy të rinjtë në stinën e vjeshtës:
“Dashuria që i kishte bërë ta donin njëri-tjetrin, që i kishte bërë të gëzuar, që ua kishte treguar të bukur e të dashur botën dhe jetën e tyre dhe që u kishte dhënë lumturi e rrojtje pa andralla, pra kjo dashuri ishte më të fluturuar si pëllumbi dhe zemrat e tyre, që ishin çerdhe e këtij pëllumbi, po mbeteshin shkretë”.
Të dy të rinjtë tani na paraqiten të tërhequr në mendime, të ftohtë, të prekur nga brenga e dhimbja.
“Ata kishin humbur pa shkak gëzimin e parë. Ishin zhytur në ca mendime që po i trishtonin të dy. Po bëheshin përherë e më të brengosur, më të drobitur”.
Sipas autorit dashuria e tyre kishte lulëzuar në pranverë, po nuk kishte lidhur kokrra, prandaj s’kishte si të jepte fryte në vjeshtë. Ftohja e dy të rinjve është dhënë shumë qartë në sfondin e peizazhit të vjeshtës.
Në pjesën e fundit jepet mbarimi i dashurisë dhe kjo përkon me stinën e dimrit. Djali dhe vajza tani janë ftohur krejt. Zemrën e tyre e kanë mbushur brenga e dëshpërimi. Ata kanë ardhur në vendet ku shëtitën dikur të kërkojnë gjurmët e kujtimeve të dashurisë. Po këto gjurmë nuk i gjejnë gjëkundi. Atëherë qajnë, po s’janë në gjendje ta kthejnë dashurinë e humbur.
“Dashuria, – thotë djali, – ashtu si erdhi pa na pyetur ne, ashtu s’na mori leje edhe kur iku. Ajo jetoi në zemrat tona aq sa mund të rrojë një trëndafil në mes gjethesh beloshe”.
Alegoria në pjesën e fundit sa vjen e zotëron në novelë. Ndihet një frymë fatalizmi që shprehet në faktin që heronjtë tani nuk e kanë veten në dorë. Ata duan dashurinë, po s’janë të zot të duan njëri-tjetrin.
“Zogun e dashurisë që është më të fluturuar nuk janë në gjendje ta mbajnë.
Për t’i theksuar më mirë idetë edhe në këtë pjesë përsëri një rol të dorës së parë luan përshkrimi i natyrës. Natyra është dhënë e shkretë. Gjithë gjallëria e bukuria e stinëve të tjera tani është zhdukur nën dëborë. Qiellin e kanë mbuluar retë e zeza. Era ulërin përqark. Dalëngadalë po vjen nata.
“Bota s’ish asgjë tjetër, veç dëborë e re të zeza, heshtje e thellë. Brenda në savanin e tokës shtrihej kufoma e të ftohtit
Me këto fjalë mbyllet tregimi për dashurinë.
3.
S’ka dyshim se nga gjithë sa përshkruam më lart kuptohet se “Katër stinët” është një vepër tipike romantike, qoftë nga brenda, qoftë nga fryma, apo dhe nga mjetet e trajtat e saj.
Në Turqinë feudale, në vendin e fanatizmit mesjetar, ku liria e dashurisë apo dhe shoqërimi i lirë i vajzës me djalin ishin një shkelje flagrante e normave morale sunduese, një vepër si “Katër stinët” i kundërvihej vetvetiu letërsisë obskurantiste fetare që predikonte robërinë e gruas, asketizmin dhe ndrydhjen e ndjenjave. Me frymën e saj humanitare e tokësore, ajo përbënte një kontribut në letërsinë e re që sapo kishte marrë krahë.
“Katër stinët” ruan në vetvete disa nga veçoritë karakteristike të letërsisë romantike të shekullit të kaluar. Në radhë të parë tregimi është ngritur mbi një tipar të njohur të romantizmit. Në bazën e tij është vënë kulti i ndjenjave dhe i natyrës. Gjithë synimi është të zbulohet bota e brendshme e heronjve, dashuria e tyre në faza të ndryshme, e dhënë me tërë nuancat e variacionet. Dashuria është ndjenja e vetme që sundon tek ata.
Heronjtë e tregimit nuk janë natyra kryengritëse, që t’u ngjajnë figurave të Bajronit apo të Shelit, po përgjithësisht përkojnë me natyrën e zakonshëm të heronjve romantikë të kohës. Të arratisur nga arena e shoqërisë, larg problemeve të kohës, ata tërhiqen në gjirin e natyrës dhe jetojnë në botën e lektisur të ndjenjave.
Rrallë e tek dhe shkarazi na zbulohet ndonjë kënd i jetës, po dhe atëherë na jepet i idiluar. Kështu, fjala vjen, kur të rinjtë dalin jashtë qytetit, thuhet se “Fshatarët kishin filluar punën me dëshirë e me zell të madh”.
Heronjve të novelës nuk u intereson asgjë, veç ndjenja e tyre dhe soditjes së bukurive të natyrës. Nga kjo pikëpamje gama e pasqyrimit të jetës është mjaft e kufizuar. Po nuk duhet të harrojmë që duke përshkruar botën e ndjenjave, atë sferë të jetës shpirtërore, që letërsia fetare myslimane e kishte përjashtuar, letërsia romantike, në një vend ku sundonte fanatizmi, luante një rol përparimtar.
Në këtë vështrim, dashuria si një ndjenjë jetësore, me forcë përtëritëse, e paraqitur në një vepër me shije e vërtetësi përmes situatash e hetimesh psikologjike, kishte një vlerë ideoestetike për lexuesin që jetonte në atmosferën mesjetare anadollake.
Në novelë gjejmë mendime interesante, konstatime të holla që zbulojnë anë të reja të botës poetike të Naimit: “Bukuria që është në të mbaruar nuk ndryshon në dukje nga bukuria që po fillon, ashtu si nuk ndryshon edhe dashuria që po zë fill nga dashuria që është në të shterur e sipër. Po bukuria dhe dashuria që janë në të mbaruar janë më tërheqëse, më të reja…”
Novela është e mbushur plot me përshkrime të bukura të natyrës. Natyra na paraqitet jo si një dekor i thjeshtë, po si pjesë përbërëse e veprës në funksion të zbulimit të botës së brendshme të njeriut. Pamjet e saj janë aq të shumta e të larmishme, sa lexuesi ndien një kënaqësi të thellë estetike. Peizazhi i fushës, pamja e pyllit dhe e kroit, loja e reve dhe e erës, lulet dhe drurët, dielli dhe hëna, të gjitha këto të vështruara në të katër stinët e vitit, ditën dhe natën i gjejmë në tablotë e panumërta të natyrës në novelë.
“… e kishte rrëmbyer vija e kroit, që rridhte ngadalë, në mes lulesh duke murmuritur e duke thënë kaq të fshehta si dhe përroi që vinte me buçimë të pashtershme nga shkëmbinjtë e lartë”, ose “Atë e kishte mahnitur dhe përpirë madhështia e rëndë e mureve, hijeshia e natyrës, stolitë e derdhura mbi faqen e tokës, ngjyra e ëmbël dhe e dashur e kupores së qiellit”, ose “Ushtria e reve po rendte me vrap, ku qielli si një vashë me fustan të kaltër po zbulonte ngadalë fytyrën e vet”.
Të një natyre poetike, plot delikatesë e hijeshi janë dhe portretet në tregim, psh.: “Balli i saj, që s’donte t’ia dinte erës, ishte dhe më i bardhë se dëbora e grumbulluar në rrëzën e malit … Shikimi i saj rrënonte çdo zemër … Leshrat e rënë mbi supe e qafë i shëmbëllenin dallgëve që bien mbi një gur mermeri që ndodhet në breg të detit”.
Krahas spiritualizmit, përshkrimit të bukurisë shpirtërore të heronjve, në novelë ndihen dhe nota sensualizmi. Kjo duket në vizatimin me hollësi të tipareve fizike, e veçanërisht të atyre tipareve që zgjojnë afrim reciprok. Në këto raste tregimi për dashurinë bëhet akoma më konkret, më tokësor.
“Katër stinët, siç e përmendim më lart, duke qenë pjellë e klimës romantike të kohës nuk i ka shpëtuar një lloj fryme fataliste. Në qoftë se në pjesën e parë e të dytë kjo pothuajse nuk ndihet dhe nuk lot rol, në pjesën e tretë, ku tendenca e filozofimit, kuptimi alegorik zotëron, fryma fataliste zë një vend me rëndësi. Kjo shprehet në idenë që dashuria e lumturia janë të kërcënuara vazhdimisht nga fuqia e errët e fatit.
Sipas autorit një forcë e fshehtë, e paracaktuar, pasi i bëri djalin e vajzën të gëzojnë dashurinë në pranverë e në verë, i ftohu gradualisht në vjeshtë dhe i ndau me përdhunë në dimër. Është pikërisht kjo frymë fataliste një nga ato veçori që e bashkon novelën me letërsinë romantike të kohës. j
Po novela, na duket se largohet nga koncepti i njohur i romantikëve mbi dashurinë që e merr dashurinë të përjetshme. Në “Katër stinët” dashuria konceptohet dialektikisht si një fenomen që ka stadet e zhvillimit të saj.
Siç vihet re, domethënia filozofike e veprës ishte kontradiktore, autori nuk është konsekuent në pikëpamjet e tij. Nga një anë pranon ekzistencën e një force të fshehtë, fuqinë e fatit në jetën e njeriut, nga ana tjetër gjykon në mënyrë dialektike në trajtimin e një fenomeni njerëzor, siç është dashuria. Kuptohet se ky lloj eklektizmi në domethënien filozofike të veprës shpjegohet në përgjithësi me kontradiktat e botëkuptimit të Naimit.
Në përfundim, mund të themi se “Katër stinët” është hapi i parë i poetit tonë drejt shkollës së re letrare, po kjo ka rëndësi, sepse duke përqafuar këtë metodë krijuese, ai do të shkëputet nga modelet e vjetra letrare, nga letërsia anakronike, do ta drejtojë vëmendjen nga njeriu dhe jeta e gjallë, nga bukuritë e natyrës dhe kënaqësitë tokësore.
Romantizmi i hapi horizont Naimit edhe në pikëpamje të pasurimit të mjeteve letrare, i zgjeroi kufijtë e formës artistike. Gama e gjerë e jetës, bota e pasur e ndjenjave dhe mendimeve humane, sferat e reja të njohjes nuk mund të jepeshin më me mjetet e vjetra letrare, me bagazhin e varfër artistik të letërsisë së atëhershme. Metoda e re e bëri Naimin të çmojë më shumë vlerën e verbit poetik, të njohë nëntekstin, të pasurojë sistemin figurative sidomos me simbolin, të përdorë lloje të reja të vargut etj.
Novela “Katër stinë” megjithëse nuk trajton ndonjë problem të drejtpërdrejtë të shoqërisë së kohës, dëshmon nga një anë interesat e gjera të Naimit, për kulturën e tij, për ndjenjat e holla dhe mendimet që e shqetësonin, dëshmon nga ana tjetër se duke kaluar nëpër shkallën e parë të romantizmit, poeti ynë do ta ketë më të lehtë më vonë të lidhë poezinë me kërkesat e lëvizjes kombëtare, ta bëjë atë pasqyrë të saj, të botës shqiptare dhe të vetë njeriut shqiptar*.
*Katër stinët” u përkthye nga persishtja në shqip nga orientalisti Vexhi Buharaja dhe u depozitua në arkivin e Institutit të gjuhësisë dhe të letërsisë. Ajo mbeti atje krejt e panjohur, jo vetëm nga publiku i gjerë, por dhe nga rrethi i studiuesve. Autori i këtyre radhëve e quan veten të privilegjuar që pati fatin “ta zbulojë”, ta studiojë dhe të shkruajë këtë trajtesë, që mbajti në Konferencën shkencore kushtuar 125 vjetorit të lindjes së Naimit (tetor 1971), si dhe ta botojë më pas libër më vete. Në këtë punë të vështirë, ai u mbështet dhe në ndihmën bujare të të ndjerit Vexhi Buharaja.