Sot në Universitetin “Eqrem Çabej” në Gjirokastër është mbajtur një takim me rastin e ditës botërore të gjuhës greke, ku merrnin pjesë zyrtarë e akademikë nga të dy vendet fqinje, si dhe konsulli i Greqisë në Gjirokastër. Deri këtu s’ka asgjë të keqe. Është krejt normale të ketë organizime të tilla në aulat universitare dhe aq më tepër kur në Universitetin e Gjirokastrës ka një Departament të Gjuhës dhe Qytetërimit Grek.
Por jo gjithçka shkoi mirë sot. Argjirolajm.net mëson se në një prej materialeve të prezantuara vizualisht përmes slideve me programin Power Point, kishte elementë nacionalistë, fraza irredentiste dhe fyese ndaj shqiptarëve. Ajo që la një shije të keqe tek auditori, kryesisht tek ata të etnisë shqiptare, ishte momenti kur u tha se “greqishtja është gjuha e bukës për shqiptarët…”
Argjirolajm.net mëson se ky material u referua nga bashkëshortja e Spiro Kserës, ish-ministrit të dënuar me burg për korrupsion. Ajo punon gjithashtu edhe si pedagoge në Universitetin e Gjirokastrës. Nëse do të ishte thjesht për frustrimet e një gruaje e mbase nacionalizmin e saj të sëmurë, as nuk e merrnim mundimin t’i shkruanim këto radhë.
Idiotë të sëmurë nga nacionalizmi do të ketë gjithmonë mes grekëve, siç pamë para ca kohësh Kacifën, por ka edhe mes neve shqiptarëve. Janë mendje të mbrapshta që rrojnë me urrejtje ndaj tjetrit. S’kemi ç’u bëjmë atyre.
Problemi është tek fakti që këto kumtesa me fyerje dhe fraza pezhorative ndaj shqiptarëve bëhen në aulat universitare. Të thuash “greqishtja është gjuha e bukës për shqiptarët”, kjo është pezhorative, fyese dhe le të kuptosh se shqiptarët janë njerëz të dorës së dytë. Dhe sipas kësaj logjike nëse s’do të kishin mësuar greqisht do të kishin ngordhur për bukë…
Buka fitohet duke punuar, jo thjesht duke ditur një gjuhë të huaj dhe pastaj të rrish të presësh paratë të bien nga qielli. Shqiptarët që janë në Greqi dhe në çdo vend tjetër të botës, punojnë për të fituar bukën. Të mësuarit e gjuhës është natyrisht një lehtësi, por s’mund ta barazosh me bukën e gojës.
Shqiptarët sot në Greqi janë pjesë integrale e shoqërisë greke. Vetëm në mendjet haluçinante të disa idiotëve andej e këtej kufirit konsiderohen si njerëz të dorës së dytë, që po të mos dinin greqisht do vdisnin për bukën e gojës. Kjo nuk është hera e parë që prej Departamentit të Gjuhës dhe Qytetërimit Grek në Universitetin e Gjirokastrës dalin materiale të tilla nacionaliste e irredentiste.
Pak kohë më parë u denoncua në Top Channel një dokumentar i prodhuar prej këtij departamenti, mbushur plot me fyerje dhe të pavërteta historike për shqiptarët. Ne besojmë se një departament i tillë në universitet sigurisht që është vlerë e shtuar dhe i shërben ndërveprimit mes dy vendeve, përmbush gjithashtu edhe nevojat e atyre që duan të studiojnë gjuhën dhe qytetërimin grek.
Por është e papranueshme që kjo katedër të shndërrohet në frëngji prej nga ku shfryhen frustrimet nacionaliste të mendjeve të sëmura. Rektori Bektash Mema, si titullar i institucionit, ka detyrimin së paku të distancohet nga këto paçavure që gatuhen dhe prezantohen në atë universitet.
Nga Gëzim Sala si dekan nuk presim gjë. Atij s’i bëhet vonë të ‘përqaputhet’ me ata që i kanë falsifikuar firmën nëpër projekte, jo më të shqetësohet se një prej departamenteve që ka në varësi përçudnon kështu shqiptarët.
Zoti Konsull i Greqisë në Gjirokastër, nuk i shërbejnë fqinjësisë së mirë mes dy vendeve këto provokime dhe fyerje, as bashkëjetesës së shkëlqyer me minoritetin në Dropull. Gjeni kohë t’i këshilloni mendjet e sëmura nacionaliste, i thoni që sot jetojmë në një shekull tjetër dhe s’ka vend për atavizma. Vërtet ne jemi më të varfër ekonomikisht se ju, por kurrsesi inferiorë apo njerëz me bisht sic tentohet në ndonjë rast të na vizatojnë./argjirolajm