Jo pak herë kur është shkruar për kalanë e Gjirokastrës është gabuar, duke e zbehur qoftë edhe pa qëllim historinë e vërtetë të saj. Në fakt gërmimet e kryera në këtë vend kanë dhënë përgjigje shkencore dhe të pakundërshtueshme dhe ky nuk është një lajm i ri, përkundrazi. Gërmimet janë kryer që në vitet 1988 por mungesa e dëshirës për t’i konsultuar ka çuar shpesh në deformime, apo keqinterpretime.
Gjetjet më të hershme në kalanë e Gjirokastrës i përkasin periudhës së hekurit që korrespondon me shekujt XI – V para Erës së Re. Sipas arkeologut Damian Komata që ka sjellë në atë kohë rezultatet e kërkimeve, objektet që lidhen me këtë hapësirë kohore, janë fragmente qeramike, vegja, apo pjesë të tjera që i përkasin enëve të thjeshta të përdorura nga banorët e këtushëm. Sigurisht mes tyre ka edhe zbulime të tjera arkelogjike që i përkasin periudhës mesjetare, e që në fakt tregojnë për vazhdimësinë e jetesës në këtë kala.
Të dhënat e zbuluara edhe pse jo të plota, tregojnë qartësisht se kalaja e ka nisur jetën në epokën e hekurit, pra shumë më herët nga sa mendojnë disa skeptikë, e po kështu ka vazhduar me një organizim intensiv edhe në atë që njihet si periudha qytetare ilire në shekujt IV – I. Investimet kane vijuar gjatë gjithë periudhës së mëpasshme që është sot edhe me e identifikueshmja. Në shekujt XII – XIV ajo duket se ka marrë trajtën e një qyteti kështjellë duke ju përshtatur periudhës së principatave feudale.
Qyteti mendohet se është themeluar nga fisi ilir i Argjyrinëve, siç shënon në veprën e tij edhe gjeografi Stefan Bizantini. Për arkeologun Hasan Ceka shqipja më pas e ka thjeshtëzuar emrin në Gjirokastër. Jo më pak e njohur është edhe legjenda e princeshës Argjiro, e cila e ndërtoi këtë kështjellë për t’u mbrojtur nga armiqtë e saj. Ajo që mund të thuhet me siguri është se objektet arkeologjike tregojnë një lidhje krejt të natyrshme jo vetëm me qytetet e tjera epirote, por edhe me kulturën ilire në tërësi.
Aktualisht prioritet do të ishin gërmimet e reja, sepse siç thonë arkeologët kalaja e Gjirokastrës është një mister më vete, që askush nuk mund të thotë se çfarë fsheh. Në çdo rast identifikimi i saj, datimi i rrënjëve, fillesa dhe elementët që lidhen me të, duhet domosdoshmërisht t’i përgjigjen këtyre zbulimeve shekullore. Kalaja e Gjirokastrës ka ç’të tregojë e ajo shkon thellë, shumë thellë në histori./shqip.info