Categories
Kulturë

Kush e botoi abetaren në dy dialektet e shqipes?

Një prej figurave kryesore të lëvizjes sonë atdhetare dhe asaj demokratike, është Luigj Gurakuqi. I përkushtuar tërësisht ndaj çështjes së atdheut, veprimtaria e tij lidhet me ngjarjet më të rëndësishme të kohës. Lindi në Shkodër më 1879. Mësimet e para dhe një pjesë të shkollës së mesme i bëri në vendlindje, për të shkuar më pas në Itali. Aty mbaroi kolegjin e Shënmitër Koronës në Kalabri, ku ishte nxënës i De Radës, dhe vijoi studimet e larta në shkencat biologjike në Napoli. Që kur ishte student, bëri emër në shtypin shqiptar, si poet dhe publicist (me pseudonimin Cakin Shkodra dhe Lekë Gruda).

Luigj Gurakuqi lindi më 19 shkurt 1879 dhe u vra më 2 mars 1925 në Bari, Itali. Njihet për një veprimtari të pasur letrare, publicistike, kombëtare dhe politike. Veprimtaria e tij filloi me poezi lirike dhe përkthime në gjuhën shqipe. Vijoi me botimin e teksteve të abetares në dy dialektet e shqipes, si dhe shkroi artikuj në organet e shtypit shqiptar. Në vitin 1908 mori pjesë si nënkryetar i komisionit për njësimin e alfabetit në Kongresin e Manastirit. Është hartuesi i parë i veprës “Metrika Shqip”.

Aleksander Xhuvani dhe Luigj Gurakuqi duke shkuar ne Elbasan per te hapur Normalen.

Më 1911 ishte një prej hartuesve të Memorandumit të Greçës gjatë kryengritjes së malësorëve të Mbishkodrës të vitit 1911. Në vitin 1912 mori pjesë në mbledhjen e Bukureshtit. Ishte në Kuvendin e Vlorës për Shpalljen e Pavarësisë dhe u caktua Ministër i Arsimit nga Ismail Qemali.

Më 1908 Gurakuqi u kthye në Shqipëri dhe u bë shpejt një nga udhëheqësit kryesorë të lëvizjes kombëtare. Nuk kishte ngjarje të rëndësishme të kohës ku të mos ishte dora e Gurakuqit. Mori pjesë në Kongresin e Manastirit, ishte drejtori i parë i Shkollës Normale të Elbasanit dhe një nga udhëheqësit e kryengritjeve të Veriut (1911-1912). Ai ishte krahu i djathtë i Ismail Qemalit në gjithë atë punë të madhe për shpalljen e Pavarësisë. Më 1916 ishte nga themeluesit e Komisisë Letrare në Shkodër.

Në vitet 1921-1923 Luigj Gurakuqi si deputet i Shkodrës u gjend vazhdimisht në opozitë me Zogun dhe gjithë feudalët e tjerë. Bashkëluftëtar i Fan Nolit, Gurakuqi ishte ndër udhëheqësit më aktivë të Revolucionit Demokratiko-Borgjez të Qershorit të vitit 1924.

Në vitin 1916 u caktua Drejtor i Përgjithshëm i Arsimit në Shkodër. Në vitin 1918 mori pjesë në Kongresin e Durrësit dhe u zgjodh Ministër i Arsimit dhe anëtar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Në vitet 1921-1924 ishte deputet në Këshillin Kombëtar. Luigj Gurakuqi u përfshi në Lëvizjen e Qershorit të vitit 1924 dhe u zgjodh Ministër i Financave në qeverinë e Fan Nolit.

Pas kundërevolucionit emigroi në Itali, në mars 1925 u vra pabesisht në Bari, nga njerëz të vënë nga Zogu. Fan Noli e vlerësoi lart figurën e këtij biri të shquar të Shqipërisë me vjershën e njohur “Syrgjyn-vdekur”, kurse populli pas luftës ia solli eshtrat në atdhe dhe e nderoi me titulin e lartë “Hero i Popullit” dhe “Mësues i Popullit”.

Krijimtaria poetike e Gurakuqit përfshin vitet 1898-1907. Më pas, krijimtaria e gjerë politike nuk e lejoi të merrej më poezi. Për herë të parë vjershat e tij u përmblodhën në një vëllim, më 1941. Në poezinë e parë, që është përgjigje për vjershën “Shko dallëndyshe” të F.Shirokës, Gurakuqi flet për gjendjen e mjerë të Shqipërisë.

Krijimi më i njohur i tij është vjersha “Qëndresa“, ku gërshetohen edhe elemnete autobiografike. Me theks filozofik, jepet zgjimi i poetit nga ëndërrimet romantike, në emër të qëllimeve të larta, qëndresa për plotësimin e idealit. Poezia është një kredo e gjithë jetës dhe e veprimtarisë së Gurakuqit.

Luigj Gurakuqi është ndër të parët që parashtron kërkesën të ngrihet mjeshtëria artistike në letërsinë amtare. Në vjershën “Deka e zanave” thekson se, Shqipëria është vendi i poezisë, çerdhja e zanave, ndaj atdheut i duhet kënduar me nivel të lartë artistik.

QËNDRESA

Oh, jeta përnjimend me rrena e vaj
plot qenka n’kët botë t’lashtë!
U shueka tepër shpejt lakmimi i saj,
si zjarri i bamë me kashtë.

Veç nji qëllim i naltë t’ban me durue
e zemrën të forcon;
ndër kundërshtime s’vyen kurr me u ligshtue,
mjerë ai qi nuk duron!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *