Categories
Fshatrat e Shqipëris

Zhulati Fshati që rrezikon të shterojë

Nga : Artan Rama

O djali kallabollate/ Doje të shtoje hirate/ Humbe dhe ato që pate!”. Bejo Kërri sapo ishte ulur në një tavolinë të ngushtë, ku katër bashkëfshatarë të tjerë po diskutonin me zë të lartë. Klubi nuk kishte ndryshuar shumë, qysh nga koha e kooperativës.

Tavolinat e drunjta ishin zëvëndësuar nga të tjera, plastike e më të gjera; por edhe karriget, po ashtu. Hapësira i ngjante më shumë një magazine të pasistemuar dhe disi të varfër në dukje, ndoshta edhe për shkak të një drite pa ngjyrë që vinte prej një llambe të thjeshtë. Me pak zell, më shumë për të eksploruar çdo kënd përreth, aty mund të shihje, jo pak mallra të përditshmërisë, veçanërisht të asaj shtëpiake. Ndonëse me orendi  të çrregullta,  shumëllojshmëria mbi banak nuk mungonte.

Bejo Kërri foli përsëri. “Ne prisnim që të ndreqnin xhadenë, ata erdhën për ujin; me se do rroç këtu, pa ujë?!”. Nga e djathta Fatmir Boçka, rreth të shtatëdhjetave, vendosi bastunin në mes të këmbëve dhe peshoi duart mbi të. “Ata kërkojnë të bëjnë një digë. Po përse e kërkojnë atë digë? Këtu s’ka ujë!”. Pastaj filloi të na sqarojë, me fjali të shkurtra, por dukej sikur, më shumë, iu drejtohej fshatarëve të tjerë. “ Janë 550 ha atje poshtë; kemi 3,500 krerë bagëti. Po e more atë lumë, këtu nuk fle më njeri se do të qelbet dynjaja”. Për një moment, askush nuk foli. Fshatarët po mblidheshin një nga një, të heshtur, duke treguar vëmendje e respekt për ne që kishin ardhur nga Tirana.

Ne mbërritëm në Zhulat rreth mesditës.  Fshati gjendej mes një kurore majash, në perëndim të  Gjirokastrës, prapa Malit të Gjerë. Kishim lënë pas rrugën kombëtare, duke udhëtuar përmes Luginës së Kardhiqit. Më tej, përshkuam Lumin e Joshes, derisa mbërritëm pranë Gurit të Gjatë. Aty u shfaqën bagëtitë e para, si dhe një stan  i vogël matanë zallit.

Biseda po zhvillohej në qendër të fshatit, poshtë Pulajve, lagjes së sipërme, pranë shtatores së Idriz Sulit, një prej autorëve të Kanunit të Labërisë, që jetoi këtu përpara dy shekujsh.

“Tani kemi mbetur rreth 50 shtëpi, por dikur kemi qënë 200”, tha Fetih Bega, një çoban i cili dukej sikur më shumë i drejtohej vetes, sesa të tjerëve. Kishte një zë të shuar dhe fjalët ia dëgjoja me vështirësi. “Është një fshat 1500-vjeçar”, – tha Fatmir Boçka. “Kullotat janë plot dhe ne jetojmë në mes të pyjeve. Lumi që vjen nga Fushëbardha ka ujë për njëzet ditë, me pas, ai shteron. Çfarë do të bëjmë? Me se do t’i potisim tokat tona?”.

Tavolinat u zgjeruan dhe akoma më shumë fshatarë filluan të grumbullohen pranë njëri-tjetrit. Të rinjtë, ata pak të mbetur, u tërhoqën në një kënd të klubit dhe u ulën mbi disa tavolina.

Në janar, “Taronina shpk”, një kompani e prodhimit të energjisë, i kërkoi Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM) një leje mjedisore për të ndërtuar një hidrocentral në Lumin e Zhulatit. Sipas projektit, do të shfrytëzoheshin ujërat e dy lumenjve: shtrati i Zhulatit, pranë Urës së Xhivelit dhe Burimi i Çullunarit që rridhte përgjatë Faqes së Cilikokës. Në përputhje me procedurat, AKM-ja çeli procesin e dëgjesave, duke njoftuar palët e interesuara përmes një njoftimi online, Njoftimi përfshinte zyrtarisht territorin e ish Komunës së Cepos, por bazuar në skicat inxhinierike dukej qartë se vetëm banorët e Zhulatit do të prekeshin nëse leja do të miratohej. Disa ditë më pas, përfaqësuesit e kompanisë “Taronina sh.p.k.” mbërritën në fshat.

U mblodhëm rreth 30 burra. Ishte dhe kryeplaku dhe vendosëm Jo!”, tha Fatmir Boçka. “Ia bëmë të qartë edhe përfaqësuesit të tyre; ishte një djalë nga Tirana që mbante një copë letër në dorë. E kishin shkruar HEC Taronina, sepse atje do të vendoset ndërtesa e hiodrocentralit, por uji merret në Zhulat”. – Kishin marë me vete dhe kryeplakun e Cepunës dhe të Paleokastrës, u hodh Bejo Kërri. – Kryeplaku një votë ka, – u hodh dikush tjetër. – Nëse e bëjnë, neve na zhdukin, vazhdoi Fatmir Boçka. Tani kemi rreth 80 familje, po në verë bënemi 250 shtëpi . – Ata të facebook-ut na thonë që duam ta gjejmë Zhulatin, siç e kemi lënë, – tha Musllim Kërri, një çoban i vjetër që mbante një kapuç leshi mbi kokë. Ai u ngrit dhe vazhdoi të fliste në këmbë. “Në gusht, bashkëfshatarët, së bashku me familjet e tyre kthehen nga emigracioni. Të vegjlit e zgjojnë fshatin, Këtu poshtë bënen rreth 25 pellgje ku lahen fëmija, sepse nuk kanë kohë të shkojnë në Borsh apo në Himarë. Nëse vije këtu gjatë kooperativës, gjeje 100 burra që loznin tek Rrapi, me shelqe të hedhura krahëve e me qylafë mbi kokë. Eh, ndizej i tërë fshati dikur”.

Hodha sytë rrotull. Gjallëria tani ishte zbehur. Djemuria ishte larguar. Ata fare pak që kishin mbetur i shtynin ditët nëpër kullota, duke ushqyer bagëtinë, e cila i mbante gjallë dhe kështu jetonte edhe vetë fshati. Koha bën të sajën. Dielli po prekte Majën e Lucës. Poshtë, në Fushën e Mezuveçes binte muzgu. Një rreze e florinjtë dielli  pushonte mbi supin e monumentit të Idris Sulit, si për herë të fundit, përpara se të zhytej në errësirë.

Rrapi filloi të thahej me shpejtësi”, po tregonte Murati. “Kjo ndodhi dhjetë vite të shkuara. Fillimisht u tha vetëm një degë, më pas, sëmundja preku edhe disa pjesë të tjera. Brenda një viti mori i tërë trungu. Fshatarët u pikëlluan, por heshtën. Askush nuk u përpoq ta shpëtonte. Dikush tha se ky ishte një mallkim, i ardhur nga jashtë, të tjerë  fajësuan për të kundërtën, pikërisht daljen jashtë, në emigracion , të banorëve. Sipas tyre, ky ishte një reagim ndaj braktisjes. Pra, brakstisja po ndëshkohej me braktisje”. – Po më pas ç’ndodhi?, pyeta unë – Ishte një vdekje e shpejtë. Rrapi 500-vjeçar u shua brenda pak muajve”, u përgjigj Murati. “Tani askush nuk mund të thotë me siguri se çfarë e shkaktoi me të vërtetë. Ishte një ikje e shpejtë dhe e mistershme”, përfundoi. Vështroja portretin e legjislatorit popullor të ngritur mbi trungun e vdekur të Rrapit. Diçka më mungonte, ose më mundonte, do të thoja. Ata i përkisnin një tjetër bote. Dhe ndoshta, duke qënë pranë njëri-tjerit, mund të dinin diçka më shumë nga ne.

Skulptori 40-vjeçar Murat Kërri, autori i monumentit të Idris Sulit, e filloi punën për ndërtimin e tij duke transformuar trungun shumëshekullor të Rrapit në një vepër arti. “Këtu njeriu dhe natyra qëndrojnë së bashku, ndaj mendova që nuk mund të ketë një vend më të mirë për këtë monument sesa mbi këtë rrap shumëshekullor të tharë, por ende të fortë”, përfundoi rrëfimin e tij.

Një zhurmë dobët, e largët zilesh, sa vinte e po shtohej. Hodha sytë poshtë në fushë. Ishte zhurma e bagëtive. Brenda pak minutave pararoja e tyre hyri në fshat, pikërisht atje ku rruga kthente për nga monumenti. Ishin rreth 800 krerë, kryesisht dele dhe pak dhi. Ato lëviznin së bashku, në drejtim të fshatit, të ndrojtura, përgjatë një itinerari i cili nuk do të ndryshonte kurrë, deri ne fund, në fund të jetës së tyre, e kam fjalën. As nuk mund të mendoja të ndodhte ndryshe.

“Ka vite që uji nuk shkon fare këtu”, – tregon çobani 60 vjeçar Eduart Gavoi. “Gjatë jetës time e kam parë tre herë lumin të thahet; pikë uji nuk ka patur! Këtu tokat janë zall; thahen me hënë e jo me diell. Ato duan 24 orë ujë në ditë. Hidrocentrali nuk na gënjen dot. Nëse e kanë me patjetër, le të ngopim më parë bagëtinë; të potisim tokat njëherë, pastaj, ç’të mbetet, le ta marrë kompania”, propozon duke qeshur Eduarti. Për herë të parë po dëgjoja një alternativë të re, këtu mes gërxheve të Labërisë, nga një çoban i thjeshtë dhe me një fytyrë të qeshur.

Brenda muzgut m’u bë sikur zhurmoi diçka. Mbajta frymën për një cast…Një zhurmë e cuditshme, e lehtë dhe e vazhdueshme vinte nga larg. Zhurma e ujit dëgjohej e zbehtë.

Atmosfera në klub ishte po ajo: kundër HEC-it, kundër kompanisë. Mbledhja zgjati edhe pak minuta. Olsi Nika nga EcoAlbania, u tregoi projektin teknik të hidrocentralit dhe pasojat e mundshme nëse diga do të ndërtohej. Në fund, ata dukeshin më të qartë, më të bashkuar por dhe më të vendosur. “Po kemi qënë fshat i madh”, më tregon Besim Pula. “Edhe Fushëbardha, fshati ngjitur,  nga ne ka dalë. Në Kolonjë, pak më poshtë, fshatarët u bënë grush dhe nuk pranuan HEC-in. Është uji i fshatit”, thanë. “Po ne?”.

“Ata nuk e lanë një fshatarin e tyre, që kërkoi të ndërtonte një rezervat peshku”, u hodh Qazim Pula, një bletërritës, më i riu ndër ta. “Ky fshat mbahet nga tre gjëra: lumi, pyjet dhe bimët mjeksore. Nëse i heq ujin bien që të tria”. Ka dhe diçka tjetër me të cilat mbahet ky fshat mendova: edhe këta banorë të mençur.

Në fund, përpara se të largoheshin, unë nuk arrita t’u thoja fshtarëve asgjëmë shumë sesa një përshëndetje. Në fund të fundit, askush nuk priste ndonjë gjë nga unë.

Ne u kthyem, duke udhëtuar me një makinë të lartë. Kaluam përbri Zallit të Joshes, nëpër Luginën e Kardhiqit, derisa dolëm në rrugën kombëtare. Kullota 1500-vjeçare kishte mbetur pas, në errësirë. U mbështeta në sedilje dhe mbylla sytë. Doja të përmblidhja gjithçka që kisha dëgjuar. Po s’munda. Në kokë më kumbonin të njëjtat vargje të poetit popullor: O djali Kallabollate/ Doje të shtoje hirate / Humbe dhe ato që pate!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *