More

    Naftëtarët kanë nisur grevën, por a po i dëgjon kush?!

    Që me shembjen e sistemit komunist në vend një pjesë e madhe e ndërmarrjeve dhe sektorëve pritoritarë duhet thënë që u privatizuan.

    Njëjtë siç ndodh në shumë vende të tjera kapitaliste, edhe pse për disa fusha apo sektorë shteti zakonisht ruan ekskluzivitetin e përhershëm në menaxhimin dhe administrimin e tyre.

    Nëse ka një arsye reale se përse sot Shqipëria është në këtë situatë ekonomike, më një GDP modeste, me të ardhura të ulëta për frymë, dhe me shkallë të lartë evazioni është pikërisht fakti i keqmenaxhimit dhe paaftësisë së shtetit për të kontrolluar koncensionet dhe kontratat me të cilat u jep pasurinë publike kompanive private.

    E ky është një fenomen tashmë i përsëritur në realitetin tonë. Mjafton të shohësh se çfarë ndodh me pasurinë publike minerare të kromit në Bulqizë, apo të naftës në Ballsh.

    Që të dyja këto pasuri gjigande që në të kaluarën kanë zënë peshën kryesore të përqindjes së PPB-së vendit, sot ndodhen në një gjendje alarmante që ka ardhur si pasojë e keqmenaxhimit dhe papërgjegjshmërisë së kompanive private nga njëra anë, dhe paaftësisë së shtetit për të kontrolluar zbatimin e rregullt të kontratave nga ana tjetër.

    Dhe e gjithë kjo situatë ka rënduar mbi shtresën më të dobët, mbi punëtorët e këtij sektori. E rasti më i fundit është ai i naftëtarëve të Rafinerisë së Ballshit.

    Ata ndodhen tashmë prej ditësh në një grevë urie, pasi shprehen se nuk kanë marrë pagat e tyre pesë muajt e fundit ndërkohë që kanë në total 24 paga të padhëna nga kompania.

    Rafineria e Ballshit ka në total 870 punonjës, por vetëm 10 prej tyre janë akoma sot në një grevë urie. E thirrja e tyre është tejet dëshpëruese. Ata kërkojnë vetëm të marrin atë që u takon, pra pagat për të cilat kanë punuar dhe me të cilat ushqejnë fëmijët e tyre.

    E ndërkohë që disa televizone kanë transmetuar kronika sërish ata nuk kanë qenë në qendër të vëmendjes këto ditë.

    Jo, sepse siç zakonisht ndodh në qendër të vëmendjes është politika. Përplasjet e opozitës me qeverinë, kërcënimet e presidentit për “shpartallim” të grushtit të shtetit, propaganda e qeverisë, apo edhe ngjarjet me të fortë që tashmë zënë një pjesë të rëndësishme të zhvillimeve të ditës.

    E ndërkohë për të naftëtarët, atyre u ngelet të rezistojnë e të bërtasin aq sa të kenë fuqi, sepse vështirë do jetë që zëri i tyre të mbërrijë deri tek veshët e shurdhër të qeverisë./Nga : Edison Balla

    Lajmet e fundit
    Lajme të ngjashme

    PËRGJIGJU

    Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
    Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu