Categories
Gjuha Shqipe

Ndajfolja

Ndajfolje quhen fjalët e pandryshueshme që plotësojnë para së gjithash foljen, duke treguar mënyrë, vend, kohë, shak, qëllim, sasi:
Blendi shkruan bukur, qartë dhe saktë.

Ndajfolje quhen fjalët e pandryshueshme që  plotësojnë para së gjithash foljen, duke treguar mënyrë, vend, kohë, shak, qëllim, sasi:
Blendi shkruan bukur, qartë dhe saktë.

Ndajfoljet mund të plotësojnë edhe një mbiemër ose ndajfolje tjetër:
Detyra ishte tepër e vështirë.
Ata u ngritën shumë herët atë ditë.

Por nga kuptimi ndajfoljet janë gjashtë llojesh:
mënyre, vendi, kohe, shkaku, qëllimi, sasie.

NDAJFOLJET E MËNYRËS

Ndajfoljet e mënyrës luajnë rolin e grupeve parafjalore rrethanor mënyre:
Vjollca e Dritani silleshin natyrshëm (=në mënyrë të natyrshme) me të gjithë.

Ndajfoljet kryesore të mënyrës janë:
– mirë, keq, bukur, pastër, qartë, shkurt, thjesht, që tregojnë cilësinë e veprimit. Të tilla janë edhe ndajfoljet gëzueshëm, natyrshëm, furishëm, etj.;

Vjollca flet bukur frëngjisht.

– menjëherë, pak nga pak, vazhdimisht, shpesh, papritur, etj. Që tregojnë ecurinë e veprimit:
Dritani u ngrit papritur.

– cekët, gjerë, gjtë, thellë, ulët që tregojnë përmasa:
Toka duhet punuar thellë.

– bujarisht, trimërisht, artistikisht, besnikërisht, teorikisht, që kanë kuptimin e togut në mënyrë + mbiemër: bujarisht (në mënyrë bujare), po edhe shqip, frëngjisht, anglisht:
Në Shqipëri më pritën dhe më përcollën bujarisht (në mënyrë bujare).

NDAJFOLJET E VENDIT

Ndajfoljet e vendit luajnë rolin e grupeve parafjalorë plotës vendi.

Ndajfoljet kryesore të vendit janë:
– afër, larg, pranë, rreth, djathtas, majtas, aty, atje, diku, gjëkund, gjithkund, anembanë, gjithandej, kudo, ngado, asgjëkund, kurrkund, etj, që tregojnë vendin ku kryhet veprimi:
Makina u kthye djathtas (në anën e djathtë).

– ku, nga:
Ku po shkon ?
Nga je edhe pse ke ardhur ?
Në të vërtetë ku dhe nga janë ndajfolje pyetëse, po merren edhe si ndajfolje vendi:

NDAJFOLJET E KOHËS

Ndajfoljet e kohës luajnë rolin e grupeve parafjalore rrethanor kohe.

Ndajfoljet kryesore të kohës janë :
– dje, pardje, nesër, pasnesër, paradite, pasdite, sot, sonte, tani, vjet, që tregojnë kohën e saktë të kryerjes së veprimit:
Erdha sot (=ditën e sotme) nga Tirana dhe do të nisem nesër (ditën e nesërme).

– njëherë, një herë e një kohë, gjithmonë, kurdo, së shpejti, së lashti, që tregojnë një kohë të papërcaktuar:
Së shpejti do të organizohet në Tiranë një konferencë për gjuhën shqipe.

NDAJFOLJET E SHKAKUT

Ndajfoljet e shkakut luajnë rolin e një grupi parafjalor rrethanor shkaku.
Ndajfoljet e shkakut janë: përse, pse të cilat përdoren për të pyetur për shkakun e kryerjes së një veprimi:
Pse (për çfarë arsyeje) nuk punon edhe ti si të tjerët?
Përse (për çfarë qëllimi) më kërkon?
Këtu mund të fshihen edhe fjalët prandaj, andaj, (=për këtë shkak, për këtë arsye, për këtë qëllim) të cilat funksionojnë edhe si lidhëza.

NDAJFOLJET E SASISË

Ndajfoljet e sasisë luajnë rolin e grupeve emërore rrethanor sasie.
Ndajfoljet kryesore të sasisë janë:
– shumë, pak, tepër, fort, së tepërmi, për së tepërmi, njëherë, dyherë, etj, që tregojnë në ç`masë realizohet veprimi:
E njoh mirë Butrintin, se e kam vizituar tri herë.
Gjeta një libër shumë të vjetër, të ruajtur shumë mirë.

– fort, tepër, së tepërmi, njëfish, dyfish, trefish, aq, kaq, mjaft, pak, etj. që shprehin intensitetin ose shkallën e një veprimi a të një cilësie.
Dëgjomë, mua plakun, se di më tepër se ti./shqip.info/

SHKALLËT E NDAJFOLJEVE

Ndajfoljet përdoren në shkallën pohore, krahasore dhe sipërore, kryesisht ndajfoljet e mënyrës: mirë, bukur, qartë, si edhe disa ndajfolje vendi e kohe: lart, poshtë, afër, larg, vonë, herët, etj.
Shkalla krahasore dhe shkalla sipërore e ndajfoljeve formohen me po ato fjalë me të cilat formohen shkalla krahasore e shkalla sipërore e mbiemrave.

– Shkalla pohore
Miri ecën shpejt

– Shkalla Krahasore
e barazisë : Mirri ecën aq shpejt sa Genti.
e sipërisë : Miri ecën më shpejt se Genti.
e ultësisë : Miri ecën jo aq shpejt sa Genti.

– Shkalla sipërore
Miri ecën shumë shpejt./shqip.info/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *