Categories
Kulturë Të gjitha

Odiseja dhe Sirenat, grishje drejt viseve iso-polifonik

Vasil S. TOLE

Odiseja dhe Sirenat

Grishje drejt viseve iso-polifonike të Epirit

Një temë homerike me variacione

Tiranë, 2005

Përmbajta
Hyrje
Variacioni. 1. Politropos, Polikromos dhe Polifonos
Variacioni 2. Odiseja dhe Sirenat, grishje drejt viseve iso-polifonike
Variacioni 3. Vendndodhja e Hadit dhe polifonia: Sirenat –vajtore dhe legjenda e vdekjes së Panit
Intermexo Mbi artin dionisiak dhe atë apolonian
Variacioni. 4. Odiseja, si etnografi dhe folklor mbarëmesdhetar
Variacioni 5. Profecia e Tirezias dhe udhëtimi i fundit i Uliksit
Mbyllje

HYRJE

Studimi, temë me variacione “Odiseja dhe Sirenat….”, niset nga shqetësimi i kahershëm për të zbuluar prejardhjen e tejlashtë të iso-polifonisë shqiptare, si një dukuri e jashtëzakonshme e të konceptuarit të vetë muzikës. Në të pleksen, ashtu si në një temë me variacione muzikore, teza dhe hipoteza mbi këtë simbolikë dhe, për më tepër, mund të gjenden motive të mjaftueshme për të provuar ekzistencën e iso-polifonisë qysh në kohërat e qytetërimeve antike. Qe kënaqësi marrja me këtë lëndë, çka se shpeshherë, gjatë kësaj pune joshteruese për zgjedhjen studimore, na u desh të merremi edhe me çështje që i tejkalojnë kompetencat dhe dëshirën tonë për një interpretim thjesht etnomuzikologjik të “Odisesë” së Homerit.


Variacioni 4. Odiseja, si etnografi dhe folklor mbarëmesdhetar.

“Kënga dhe përralla s`kanë zot”

fjalë e urtë

Ky kapitull lidhet ngushtë me mënyrën si lënda homerike, është mbartur dhe përmbledhur ndër vite, në një tekst të vetëm. Me të drejtë thuhet se arti i Greqisë së lashtë kaloi nga ideja e kaosit tek ideja e botës harmonike, nga kulti dhe adhurimi i natyrës tek kulti i njeriut, nga ideja e fatit tek ideja e lirisë, nga ideja e zotit tek ideja e njeriut të lartësuar si zot, nga figurat enigmatike te figura të përcaktuara e të individualizuara [1] . Katër a pesë shekuj e ndajnë Homerin nga tregimet e tij. “Iliada” dhe “Odiseja” përbëjnë burimin e parë historik, monumentin e parë të shkruar, i cili përshkruan aktet e trimërisë së parahelenëve në këtë epokë. I mëshohet faktit se “Odiseja” u shkrua dhe u përkthye shumë kohë pas “Iliadës”, dhe u deshën plot 150 vjet për të mbrujtur greqishten e “Odisesë”. Me të drejtë Homeri konsiderohet si përfaqësuesi më i spikatur i artit apolonian, si pasqyrë e epokës dhe e njerëzve që e kanë kristalizuar panteonin e famshëm Olimpik [2] . Përkime të ndryshme janë nxjerrë në pah edhe nga studiues të tjerë, të huaj e shqiptarë [3] .

Lamartini në një letër përgjigje që i kishte çuar De Radës ( 1814-1903), i thoshte se kishte studiuar vjershat shqipe të përkthyera në italisht, të cilat i çmonte tepër dhe shtonte se poezia fillesën e ka pasur në brigjet shqiptare, dhe me anë të kësaj fraze (sipas M. Frashërit), vjershëtori frëng donte të kuptonte Homerin [4] . Dh. Kamarda (1821-1882), ka nxjerrë në pah përngjasimet e Nuseve të maleve me Meliet apo Nereidet e grekëve, kuajt që flasin me kuajt e pavdekshëm që këndoi Homeri; Naim Frashëri (1846-1900) i cili pohon se Homeri gjeti në trojet e sotme shqiptare Aqilehtin-Akilin dhe se, mbështetur te Herodoti ai ripohon që fjalët e besës e të perëndive i kanë rrënjët në gjuhët shqip si Teta-Deti; Afroditi-Afërdita; Djana-Hanë, gegnisht. Më tej, tek “Odiseja”, studiuesi D`Anzheli, ndër të tjera, përqendrohet edhe në etimologjinë e fjalës “OutiV”, që u përkthye me fjalën asnjeri, kjo e lidhur me emrin që i jep Uliksi Polifemit, për t’u identifikuar. Për Robert Anzheli, kjo fjalë përkon me fjalën pellazgjike ose shqiptare üti = tëndi, në kuptimin që ekziston ende në Shqipëri. Përgjigja üti-yti=tëndi, që u jepet pyetjeve: Kush të ka tradhtuar? Kush të ka bërë keq? ka të njëjtin kuptim si tek Uliksi.

Pavarësisht se na ndajnë mijëra vjet, nga koha e Homerit dhe Homeridëve, në fillim të shek. XX, shkrimtari dhe studiuesi Ernest Koliqi (1903-1975), gjatë udhëtimeve të tij në Shqipërinë e Veriut, në Krasniqe, përmend vllazninë e quajtur Qorrat e Kolgecajve, të cilët ishin një fabrikë e vërtetë këngësh popullore. Natyrisht asnjëri syresh nuk ishte qorr a i verbër: quheshin ashtu mbas prirjes që ka populli, që prej Homerit e mbrapa, t`i pandehë lypsa e të verbër poetët [5] . Më tej, lidhur me sa u tha [6] , ai ka vënë re gjithashtu edhe përngjasim në mënyrën si rapsodi anonim shqiptar i jep trajtë të lirë lëndës së përbashkët epike ballkanike, duke krijuar rishtaz një lëndë të re në përputhje me shpirtin dhe me shijen e tij.

(foto: Zumarexhiu nga Dukagjini, foto Marubi, botohet me autorizim të familjes)

Sipas Çabejt “ …lokalizimi i mitit të Uliksit në Itakë do të thotë se Uliksi është më tepër një hero i Greqisë veriore, pra i një vendi që ka qënë në kontakt të përhershëm me fiset ilire-shqiptare”. Këtë pohim e pranojmë mirëfilli nisur edhe nga gjeografia që Uliksi përshkroi dhe njohu gjatë udhëtimit të tij, përpos faktit që, pohohet rëndom nga studiuesit [7] , tashmë është e qartë se udhëtimet e tij përfshijnë Ismarën në Turqi, Lotofagët në Afrikën Veriore, Circen në Itali, Lestrigonët në Korsikë, Eolin në Maltë, Kalipsonë në Spanjë etj. Të gjendurit e tij kryesisht në ujë dhe fare pak në tokë, pohohet edhe në vargjet e mëposhtme:

Poseidoni, prandaj, që tund gjithë botën,
nuk ia merr shpirtin, por e sjell poshtë-lart
pa e lënë të shkelë në tokën e të parëve.

Këtej kam ardhur
Me varkë, e me shumë shokë, duke velëzuar
Mbi detin sterrë, drejt popujsh të panjohur.

Duke qënë se studiues të ndryshëm kanë vërejtur se poemat homerike e kanë prejardhjen nga legjendat dhe këngët e vjetra, të cilat kanë rrjedhur nga traditat gojore popullore, po paraqisim më poshtë disa përqasje të tilla, të konstatuara në trashëgiminë e gjallë folklorike të shqiptarëve.

  1. Në këngën I të librit “Odiseja”, Telemaku, i biri i Penelopës, i thotë së jëmës se “Këngëtarët s`janë shkaktarë për vuajtjet tona”. Ky pohim duket se është i të njëjtit shtrat me atë të Kanunit të Lekë Dukagjinit, neni 1200 ku thuhet se: Lajmësi nuk ban faj.

Lahutën më të bukur një kasnec
Ia la ndër duar këngëtarit Femios.
Ky, duke shoqëruar atë lahutë,
Këndoi me zë që shpritin ta këpuste,
Kundër vullnetit t’tij, në mes të princave.
Në ballë këndonte një këngëtar me nam,
të ulur e dëgjonin gjithë heshtur.
Këndonte kthimin gjëmëmadh të grekëve,
atë kthim nga Troja, t’zi si ua kishte bërë
Paladë Atena.

Gjithë kjo vërtetohet edhe në këngën XXII të “Odisesë” ku Fem këngëtari, qe i vetmi që shpëtoi gjallë nga hakmarrja e Uliksit:

Vetëm shpëtoi ai Femi, këngëtari,
i biri i Terpisë, ai që këndonte
kundër dëshirës s`tij mes princash.
Mbante në dorë lahutën dhe kish zënë një qoshe
te dera e fshehtë e rrinte dhe mendonte.

(foto: Lahutari, foto Marubi, botohet me autorizim të familjes)

  1. Një ngjashmëri mëse të dukshme me kalimin e Uliksit pranë sirenave, do ta pikasim edhe në Ciklin e Kreshnikëve, në epin “Ora e Bjeshkës” [8] . Ashtu si tek Sirenat, të cilat vrisnin çdo detar që kalonte në afërsi të ishullit të tyre, në epin “Ora e Bjeshkës”, Ora, Zana [9] e malit, gurëzonte cilindo kalimtar që kalonte në bjeshkë duke kënduar. Ja se si i porosit Muji të 300 dasmorët e tij, të cilët i dërgon për të marrë nusen:

A merrni vesht, krujshqve u ka thanë,
njeto bieshkë kini me dale,
s’kini me ba as kangë as piskamë,
se aty asht qillue nji zanë
e, në koftë se ju kini me këndue,
të gjithve, tybe, ka me ju zanue
e nuk ka kush qi ju me u pshtue.
A merrni vesh, a kini kuptue?

Më poshtë po citojmë porosinë e Circes [10] për Uliksin, porosi që lidhet me çastin kur ai dhe shokët e tij do të kalonin pranë kepit të Sirenave, dhe që ngjan kaq fort me porosinë e Mujit për dasmorët:

Tani dëgjo se çfarë do tthem, një ditë ti kujtofshin hyjnitë fjalët e mia.
Afër sirenash ju do të kaloni.
Kujtdo ato mendjen e kresë ia marrin,
Por është i marrë kush ndalet të dëgjojë
Këngën e tyre tëmbël. Ai sdo shohë
Askurrë atdhe me sy: as grua, as fëmijë
Nuk do ta presin me gëzim kur tkthehet, Se me zërin e tyre aq tkulluar,
Sirenat të magjepsin krejt. Lëndina
Ku ato jetojnë është e rrethuar krejt
nga një bregore koskash edhe kafkash
të njerëzve, që kalben përmbi dhe.
Mos u ndalo.

Ora e Bjeshkës, pasi i ngriu dasmorët e pakujdeshëm që e harruan porosinë e Mujit, mori robinë nusen e këtij të fundit. Muji, nëpërmjet gruas së tij zbuloi se fuqia e Orës është tek një pëllumb, dhe që vetëm pasi ai e kapi dhe e vrau atë, mundi të çlironte shokët e tij nga ngurosja. Ashtu si Sirenat, edhe Orët-Zanat janë zakonisht dy ose tre syresh. Si të tilla i hasim edhe në këngën “Martesa e Mujit”:

Zana e madhe kndon në mal
Zana e vogël kndon në shkam
Dorë për dorë me zanën e dytë:
Zana jemi e zana kjoshim!
Besa besë e fjala fjalë,
Grueja grue e zana zanë,
Zana diell e grueja hanë:
Mjerë kush besë grues i ka xanë!

Emri Zana, sipas Joklit rrjedh prej latinishtes: Diana. Sipas një tjetër mendimi, Zana rrjedh nga emri za=zana, zëri. Në veri e gjejmë me emrin Zana, në Jug me Zëra. Çabej mendon se zanat janë zëri i natyrës dhe i ndërgjegjes njerëzore. Zakonisht “Zanat e malit” përshkruhen si vajza të maleve me fuqi të mbinatyrshme, si dhe me aftësi të veçanta në këngë e valle. Vetë emri zana e shtojzovalle, i këtyre krijesave të tejdukshme, të përbëra prej drite, tingujsh e lëvizjesh vallëzuese, është domethënës, sipas R. Sokolit. Zanat kanë fëmijë që i përkundin në djepa, që lodrojnë, këndojnë, hedhin valle, u bien veglave muzikore. Populli thotë: “Po knojke si zanë mali”.

(foto: rapsod me çifteli, foto Marubi, botohet me autorizim të familjes)

Meqë dalin zakonisht natën, Zanat njihen edhe si “t’lumet e Natës”. Ndonëse nuk kemi të dhëna rreth melodikës së këngëtimit të tyre, “Zanat e malit” shihen edhe si frymëzuese të rapsodëve shqiptarë gjatë këngëtimit me lahutë ose karadyzen, e këtu ngjasojnë muzën greke të muzikës dhe poezisë, Evterpi e cila u jepte frymëzim këngëtarëve të lashtësisë. Zanat e malit i hasim dendur në rapsoditë kreshnike shqiptare me lahutë. Kur vritet ndonjë nga ndoret e saj , Zana nis e vajton mu si një nënë për të birin. Ernest Koliqi [11] i ka vënë re qysh herët lidhjet e Ciklit të Kreshnikëve me epopenë e Uliksit. Ai shkruan se: atë mbramje na këndoi nji ndeshtrashë të Halilit, e cila kishte gjasime të çuditshme me motivin homerik të Penelopit të Prokëve. Nji vajzë e rrënoi t`anë, tue mos pranue me e zgjedhë dhandrrin ndër 300 mtuesit, të cilët e gëzojshin pritjen e gjatë në shtëpinë e saj atnore me gosta të majme. Ma në fund ajo u del para miqve dhe premton se do të fejohej me atë që do të kishte marrë hakun e vëllaut të saj të vramë. Por vrasësi na ishte nji fatos i tmershëm. Vetëm Halilit ia del që ta mujë në dyluftim: e martohet me vajzën.

Sikurse është pranuar, krahas sirenave, edhe muzat kanë një përngjasim me Orët e Bjeshkëve. Sipas Grimbergut, [12] muzat janë parë gjithmonë si hyjnesha të maleve, dhe besohej se ato jetonin në maja si Helikoni a Pindi, në veri të Greqisë, në kufi të Shqipërisë Jugore, pranë Përmetit. Zef Jubani 13, duke u mbështetur mbështetur edhe te G. Hahni, pohonte se shqiptarët i blatuan perëndisë së muzikës qytetin e Apolonisë dhe se banorët e atyre viseve mbajnë ende emrin Myzeqarë, që do të thotë njerëz me prirje për muzikën. Pesha dhe rëndësia e muzave në artin e antikitetit ka qënë shumë e madhe. “Odiseja”, dhe “Iliada” hapen me vargjet: këndo e muzë. Sipas Naim Frashërit: “Apolloni ish dhe i par’ i Musavet, të cilatë ishin nëntë, e secila ish mnurronjës’ e një pune a mësonjëse”. Muzat ishin që të gjitha bija të Zeusit dhe hyjneshës së kujtesës Mnemosinës. (Ndër to: Kaliopi-muza e poezisë, Melpomeni-muza e tragjedisë, Evterpi-muza e muzikës, Erato-muza e elegjisë, Talia-muza e komedisë, Terpsihori-muza e valles, Kli-muza e histories, Urani-muza e astronomies, Polimnia-muza e himneve të shenjtë).

Njëra prej nëntë muzave, Evterpi, përfaqësonte “poezinë lirike dhe muzikën”, ndërsa, një tjetër bijë e Zeusit: muza Kaliopi, u sillte frymëzimin aedëve dhe rapsodëve antikë para se ata të këndonin epet.

(foto: Muza Evterpa me lirë, Muzeu Historik Kombëtar, foto Vasil S. Tole)

  1. Në këngën XII, kur Circeja këshillon Uliksin, përmend ndër të tjera edhe kalimin e Odisesë dhe shokëve në ishullin e Trinakies, aty ku kullosin tufa-tufa lopët dhe dhentë e majme të Diellit. Circeja thotë se ka shtatë tufa me dhen e shtatë kope me lopë të majme, të cilat gjallojnë atje pa lindje e pa vdekje. Tufën e ruajnë dy hyjnesha, Faetuza dhe Lampetia. Circeja porosit që këto kope të mos preken, dhe ky është kushti që Uliksi dhe shokët të kthehen shëndoshë e mirë në Itakë. Në të kundërt, të gjithë do të vdesin, lundërthyer.

Herodoti [14] (484-425 para.Kr.), në veprën “Historiae” , libri IX, përshkruan një histori të ngjashme që ka ngjarë në qytetin e Apolonisë. Sipas tij, në Apolloni ka dele të cilat i janë kushtuar Diellit; ato kullosin pranë lumit Aoo-Vjosa, që buron nga mali Lakmon, dhe përshkon truallin e Apollonisë, për t’u derdhur mandej në det, afër Orikut (sipas Scymni CHII [15] , Oriku është qytet i ndërtuar nga eubeasit, teksa ktheheshin nga Troja). Ashtu si tek “Odiseja”, këto dele u shqyen, jo nga njerëzit por nga ujqërit dhe për këtë apoloniatët dënuan rojen e tyre Evenin me verbim; faji i tij qe se ai fjeti, ndërkohë kur duhej të ruante delet. Vite më pas, Aristoteli (384-322), në veprën “De Animalum Historia”, libri III, 20.522,b, shkruan në veçanti për lopët e Epirit, si racë e zgjedhur kafshësh. Ai përmend gjithashtu edhe qe dhe dele më të mëdha, të cilat njiheshin me emrin pirrike, për shkak të emrit të mbretit Pirro.

Në kuadrin e këtij variacioni të “Odisesë dhe Sirenat….”, nuk do të lëmë pa përmendur edhe vëzhgimin që lidhet me legjendën muzikore, e cila reket të shpjegojë lindjen e qytetit të Durrësit, Epidamnit antik [16] . Ana Komnena në librin e saj “Aleksiada”, pohon se Durrësi, në kohët antike, u rindërtua prej Amfionit dhe Zetit. Siç dihet, dy binjakët, të quajtur edhe vëllezërit Dioskurë të Tebës, ishin fëmijët e jashtëligjshëm të Zeusit, me nënë Antiopën. Amfioni ka qënë mbret i Tebës dhe muziktar i shquar. Fuqia e tij ishte aq e madhe sa tregojnë se Amfioni ndërtoi muret e qytetit veç falë fuqisë së lirës së tij. Këtu, na intereson sidomos fakti se Zeti, vëllai i tij, ishte pjesëmarrës në ekspeditën e famshme të argonautëve, dhe dëshmitar i ballafaqimit të Orfeut me Sirenat, shumë kohë më pare se Uliksi t’u kalonte pranë. Për Zetin thuhet se kishte krahë, pra ishte një njeri fluturues.

(foto: Rapsodë në grup duke kënduar, foto Marubi, botohet me autorizim të familjes)

(foto: Luigj Sheldia me saze, foto Marubi, botohet me autorizim të familjes)

[1] Uçi, Alfred, “Mitologjia, folklori, letërsia”, Tiranë, 1982, fq. 100. Studim i cit.

[2] Për këtë shiko dhe Kola Aristidh ,“Gjuha e perëndive”, Tiranë, 2003, fq. 22.

[3] Për më gjerë shiko “Antologji e mendimit estetik shqiptar 1504-1944”, përgatitur nga Nasho Jorgaqi, Tiranë, 1979.

[4] Shiko dhe Frashëri, Mehdi, “Kujtime të viteve 1913-1933”, Tiranë, 2005, fq. 39. Studim i cit.

[5] Koliqi, Ernest, “Vepra”, 6, Prishtinë, 2003, fq. 454-455.

[6] Koliqi, Ernest, “Vepra”, 4, Prishtinë, 2003, fq. 57.

[7] “Odiseja”, parathënia nga Engjëll Sedaj, Prishtinë, 2000, fq. 18. Shiko gjithashtu edhe Cleret Maxime, “Die Reisen des Odysseus”, Vevy, 1960.

[8] “Epika legjendare”, Tiranë, 1966, fq. 406.

[9] Figura mitologjike shqiptare-hyjneshat e maleve shqiptare. Sipas “Fjalorit enciklopedik”: kulti i fortë i Zanës në Shqipëri dhe në mbarë gadishullin Ballkanik, na bën të mendojmë se te Zana kemi të bëjmë me një hyjni vendase paragreke. F. Konica i sheh Zanat si mike të Shqipërisë. Në këtë kategori futen edhe figurat e tjera mitologjike shqiptare si shtojzovallet dhe jashtësmet.

[10] Homeri, “Odiseja”, kënga XII, Prishtinë, 2000, fq. 216.

[11] Koliqi, Ernest, “Vepra”, 4, Prishtinë, 2003, fq. 23-24. Studim i cit.

[12] Grimberg, Karl, “Historia botërore dhe qytetërimi”, Vol. I, Tiranë, 2003, fq. 280.

[13] Shiko tek “Antologji e mendimit estetik shqiptar”, 1504-1944, Tiranë, 1979, fq. 152. Shiko gjithashtu edhe Hahn. G , “Studime shqiptare”, Jena, 1854.

[14] Për më shumë tek “Ilirët dhe Iliria tek autorët antikë”, Tiranë, 2002, fq. 21.

[15] Shiko “Ilirët dhe Iliria tek autorët antikë”, Tiranë, 2002, fq. 73.

[16] Shiko Zeqo, Moikom, “Disa monumente të murosura në Durrës”, “Monumentet”, 2/1985, fq. 63.


Variacioni 5. Profecia e Tirezias dhe udhëtimi i fundit i Uliksit

Pavarësisht se vepra “Odiseja” është gjini epiko-legjendare dhe se në të, sikundër thuhet rëndom, është shumë e vështirë të orientohesh saktë për gjeografinë e vendeve të zëna ngoje, mendojmë se, në disa raste, mund të hidhet dritë mbi disa të dhëna gjeografikë të përgjithshme, të dhëna që lidhen ngushtë me strukturën e vetë veprës. Ndër to, gjykojmë si shumë të rëndësishme profecinë e hijes së Tirezias, shortarit të Tebës. Ja se si shtjellohet ajo në Këngën XI, drejtuar Uliksit:

Pasi tu kesh bërë varrin nshtëpinë tënde,
Pak me dredhi e pak me trimëri,
Përsëri do tdetyrohesh që të nisesh Me rremin tend në krah e tudhëtosh
e, ec e ec, të shkosh te disa njerëz
që det skanë parë me sy, dhe që nuk dinë çështë kripa ngjellë të tyre, as nuk njohin çjanë lundrat faqepurpurt ose rremat
e lustruar, këto flatra të anijeve.
A do që unë të tjap një shënjë tsigurt
pa frikë se mund tgabosh? Po atë ditë kur do të ndeshësh rrugës një udhëtar, i cili do të pyesë se ku e shpie atë lopatë, që hedh grurë, atje ti ndalu, e ngul të shtrenjtin rremin tend e shpejt një dash edhe një dem hy Poseidonit therja si tdish më mirë, edhe një derr,
i cili tketë arritur moshë ndërzimi. Pastaj kthehu nshtëpi për tju flijuar me radhë therore gjithë hyjnive, tcilat
janë zotat e hapësirave qiellore.
… Një tëmbël vdekje do të kesh larg detit, ti do të vdesësh, kur të mplakesh fare mes një mijë tmirash, i rrethuar nga fiset
e tu të lumtur. Ja, kështu do t`ngjasë.

Të njëjtën histori Uliksi ia tregon Penelopës, sikundër del edhe në këngën XXIII:

Tirezja mka urdhëruar të udhëtoj nëpër qytete tndryshme me një rrem
të gjatë në dorë, derisa të mbërrij
ndër disa fise që se njohin detin, dhe ndaj nuk dinë çfarë është kripa në gjellë, që snjohin barkë me kiçe t`kuqe flakë,
as rrema, këto flatra të anijeve etj.

Nga të dhënat e veprës “Urbibus et Populis” të Stefan Bizantinit (shek. VI pas. Kr.), kemi dijeninë se në thellësitë e maleve të Epirit, Uliksi, duke përmbushur porosinë e orakullit Tirezia, ndërtoi qytetin Bunima, duke bërë fli një derr, një ka, dhe një dash për Poseidonin, pranë Trampyas, në vendin e njerëzve që nuk e njihnin detin. Sa më sipër e pohon edhe Apollodori (180-109 para.Kr.), në veprën “Bibliotheca”, ku shkruan se: Uliksi, pasi bëri fli për nder të Hadit, Persefonës dhe Theirezisë, duke kaluar më këmbë nëpër Epir arriti tek thesprotët dhe sipas orakullit të Theirezisë zbuti zëmërimin e Poseidonit me flijime [1] .

Duke u rrekur të hedhim dritë mbi vendndodhjen e këtyre banimeve të themeluara prej Uliksit, ndihmuar prej etimologjisë së emrave, kujtojmë se në gjuhën shqipe [2] , rrënja e fjalës Bunima, është bun, buni, bune, bunet, që ka kuptimin e një kasolleje të vogël të mbuluar me dërrasa e me gjethe, të cilën e ngrejnë barinjtë në stanet ku bjeshkojnë. Kuptimi tjetër i kësaj fjale është gjithaq një shtëpi e ndërtuar me mur të thatë dhe me gëlqere. Edhe fjala tjetër bunishtë ka kuptimin e stanit në bjeshkë, ku ngrihen bunet e barinjve gjatë shtegtimit të bagëtive. Ky mjedis i përshkruar, është krejt jashtë kontekstit të një skenografie detare dhe mirë i përfshirë në infrastruktrën e njerëzve që jetojnë ndër male, e që nuk e njohin as kripën dhe as detin. Lidhur me fjalën Trampyas, dëshirojmë të kujtojmë se prof. E. Çabej [3] , fjalën tram, tramtë e klasifikon si shkëmbim, duke e ilustruar me shprehje si “bëjmë tram”, i jepet dikujt diçka në shkëmbim të diçkaje tjetër. Me sa duket edhe qyteti i Trampyas, përfaqëson simbolikisht vendin ku fjala dhe sendi mund të marrë kuptime të ndryshme, d.m.th, ku rremi i varkës së Uliksit, quhet edhe si lopatë për grurë. A nuk ishte kjo shenja që Uliksi të ngulte rremin në tokë dhe të bënte flijimet për Poseidonin?

Në këtë pikë vlen të përmendim se Uliksi, për të përmbushur profecinë e Tirezias, përshkoi vise malore jo greke. I parë qysh herët nga Çabej si një hero i Greqisë veriore, pra i një vendi që ka qënë në kontakt të përhershëm me fiset ilire-shqiptare, mund të mendohet që Uliksi kishte të ngjarë të njihte dhe të përdorte gjuhën e përbashkët pellazgjike të atyre anëve, kryesisht të atyre epirote.

[1] “Ilirët dhe Iliria te autorët antikë”, Tiranë, 2002, fq. 76. Studim i cit.

[2] “Fjalor i gjuhës së sotme shqipe”, Tiranë, 1980, fq. 197.

[3] Çabej, Eqrem, “Studime gjuhësore”, Prishtinë, 1976, fq. 191.


Mbyllje

Polifonia ende vazhdon të mbetet një nga mrekullitë që krijoi njeriu për jetën dhe vdekjen e tij. Mbështetur në iso-polifoninë dhe në këngët tradicionale mesdhetare, liturgjia dhe melurgjia bizantine vajtoi dhe ende vajton vdekjen e Krishtit, por dhe ringjalljen e Tij. Përmes polifonisë, J. S. Bahu kreu evolucionin e vërtetë në muzikë, evolucion i cili kulmoi me polifoninë tërësore të Ligetit në shek. XX etj. E tillë është dhe do të mbetet polifonia, një këngë magjike sirenash ose një kaba me gërnetë nga ato të Usta Laverit, të cilën jo shumëkush ka fatin ta dëgjojë, qoftë edhe një të vetme herë, përgjatë shtegëtimit drejt amshimit të pasosur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *