Categories
Lajme

Pashka në Berat, ceremonitë në kishat e vjetra të qytetit

Për të gjithë besimtarët ortodoksë në qytetin e Beratit, mesnata solli lajmin e gëzuar se “Krishti u ngjall”, e bashkë me të u ringjall edhe shpresa për botën.

Ceremonia e Pashkës në Berat u kremtua në Katedralen “Shën Dhimitri” dhe u drejtua nga Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës, imzot Ignati.

Ceremonia e shenjtë u ndoq nga qindra besimtarë ortodoksë, të cilët ishin mbledhur brenda dhe jashtë ambienteve të Katedrales, duke u lutur në një nga ditët më të rëndësishme të kalendarit të krishterë, për më shumë paqe dhe jetë më të mirë.

Besimtarët ortodoksë beratas morën pjesë fillimisht në meshën për ringjalljen e Krishtit, që u drejtua nga At Petraq Simsia. At Petraqi kryesoi lutjen e traditës sipas liturgjisë, me lutje ndaj Zotit, duke respektuar të gjitha ritet e kësaj feste.

Më pas, besimtarët ortodoksë morën dritë nga drita e Zotit, duke ndezur qirinj nga imzot Ignati, dritë që çdo besimtar ortodoks e përcjell me vete në shtëpinë e tij, si shenjë mirësie dhe për të marrë bekimin e Zotit.

Mesnata, që shënoi edhe ringjalljes e Krishtit, kulmoi në sheshin qendror të qytetit, jashtë Katedrales “Shën Dhimitri”, ku të gjithë besimtarët ndriçuan qytetin me dritën e Zotit, me qirinj në duar.

Besimtarët ortodoksë beratas uruan të gjithë besimtarët ortodoksë në të gjithë Shqipërinë për më shumë paqe, begati e mirësi në çdo familje shqiptare. Urimeve iu janë bashkuar edhe besimtarë të huaj, tē cilët kishin ardhur në Berat për të festuar Pashkën.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *