Nëse do duam të shikojmë traditat shqiptare të ruajtuara me përpikmëri, Hora e Arbëreshëvet është qyteza ideale.
E njohur si një nga qendrat më të rëndësishme dhe më të populluara të arbëreshëve të Sicilisë, ajo ka ruajtur shumë elemente etnike të kulturës shqiptare, veçantitë kulturore dhe fetare, si: gjuhën, ritin bizantin, veshjet tradicionale, zakonet, muzikën, folklorin, etj.
Banorët janë pasardhës të familjeve shqiptare, duke përfshirë edhe fisnikët dhe të afërmit e Skënderbeut, që u vendosën në Italinë e Jugut gjatë pushtimeve të Perandorisë Osmane në Ballkan.
Identiteti arbëror i Horës së Arbëreshëvet është i fortë, në fakt gjuha arbëreshe flitet nga tërë bashkësia dhe përdoret në gazeta, shkolla dhe radio.
Një nga karakteristikat më të veçanta të këtij komuniteti është edhe tradita shekullore e festimit të Pashkëve. Ata kanë festuar dje ringjalljen e Krishtit, ndërsa detaji që bie më tepër në sy janë veshjet popullore.
Pas meshës së të dielës, është koha për paradën e grave me kostume tradicionale.
Rreth 300 gra veshin kostume tipike arbëreshe të shekullit XV dhe parakalojnë përgjatë rrugës “Gjergj Kastrioti” drejt sheshit kryesor. Veshjet, një përzierje e vërtetë ngjyrash, janë unike në llojin e tyre dhe tërheqin vëmendjen e turistëve për bukurinë dhe origjinalitetin e tyre.
Çdo veshje ka veçantinë e saj: ka rrip, harqe, vello, kapele, të gjitha të bëra me materiale me cilësi të lartë dhe punë artizanale. Ngjyra më e zakonshme është e kuqja, e ndjekur nga jeshilja dhe vjollca.
Një regjistrim i kohëve të fundit tregon se ka rreth 800 veshje në Horën e Arbëreshëve, 500 prej të cilëve janë veshur në Pashkë. Në fund të paradës jepet bekimi dhe shpërndahen vezët e kuqe./Marrë nga Shekulli