Categories
Bota Lajme

Përhapja e koronavirus arrin në 50 shtete, ja çfarë pritet të ndodhë

Të dhënat mbi koronavirusin COVID-19 sa vijnë e shtohen, po ashtu edhe numri i të prekurve në të gjithë globin.

Virusi ka mbërritur në çdo kontinent përveç Antarktidës, duke shënuar 82,411 të infektuar deri në mëngjesin e sotëm. Ndërlikimet në shëndet vazhdojnë, teksa mjekët dhe shtëpitë farmaceutike ende po punojnë për gjetjen e një vaksine kuruese. COVID-19 u shfaq për herë të parë në Dhjetor të 2019 në Kinë, por përhapja e madhe e tij jashtë këtij territori është një nga shqetësimet më të mëdha të mjekëve sot.

Pak më parë Kryeministri i vendit, Edi Rama, gjatë fjalimit të tij në Komitetin Kombëtar të Sigurisë deklaroi se shtëpia e pushimit të ministrisë së Mbrojtjes në Durrës do të kthehet në karantinë. Sipas deklaratës së bërë publike nga mediat, kreu i shtetit pohoi se Organizata Botërore e Shëndetësisë është siguruar që kjo godinë i plotëson të gjitha kushtet e nevojshme.

Përhapja në Botë
Përtej Kinës dhe vende kufitare, virusi ka infektuar edhe qendrën e Evropës. Ditën e Mërkurë Organizata Botërore e Shëndetësisë, konfirmoi për herë të parë përhapjen e këtij virusi nga vendi origjinë në vende të tjera. Në veri të Italisë numërohen më shumë se 400 raste dhe 12 të vdekur të cilët i janë shtuar bilancit të 2,808 vdekjeve të shënuar nga ky virus në të gjithë botën.

Koronavirusi ka treguar raste të shpërndarjes së tij në disa rajone të italisë, duke përfshirë edhe jugun e Italisë në zonën e Puglias. “La Republica”, të cilës i referohet AgroWeb.org raporton se, rajone të tjera të prekura janë Veneto, Emilia Romania, Liguria, Piemonte, Lacio, Siçilia, Toskana dhe Lombardia, ku shënohet edhe numri më i madh i të infektuarve që arrin në 305. Raste të reja në afërsi të Shqipërisë janë konfirmuar në Greqi, Maqedoninë e Veriut dhe Kroaci.

Mësohet se të prekurit në këto vende ishin kthyer nga Italia vetëm disa ditë më parë dhe po mbahen të izoluar në karantinë.b Ndër vendet e fundit që kanë regjistruar të prekur nga koronavirusi COVID-19 janë Danimarka, Norvegjia dhe Estonia.

Situata në Shqipëri
Sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë dhe ISHP, në vendin tonë nuk ka ende asnjë rast të konfirmuar me këtë virus. “Deri dje janë testuar 13 raste të dyshuara me infeksionin e sipërm dhe histori udhëtimi me vendet ku kemi shpërthime komunitare, rastet kanë rezultuar negative nga testimi në Laboratorin e Virologjisë në ISHP.”, thuhet në njoftimin nga Ministria. Kontrollet në pikat kufitare të Shqipërisë vazhdojnë. Prioritet kanë personat që vijnë nga vende të infektuara si Kina apo Italia.

Çfarë pritet të ndodhë
Qendra Amerikane për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve CDC, lajmëroi dje se Amerika duhet të përgatiten për një situatë pandemie. “Situatta në të cilat ndodhet globi sot të çojnë në përfundimin se ky virus do të shkaktojë një pandemi botërore”, kështu u shpreh për mediat Anne Schuchat, Zëvendës Drejtoreshë e CDC.

Sipas ekspertëve tani nuk është e rëndësishme të diskutohet se a do të ndodhë shpërthimi i kësaj pandemie. Por se kur kjo do të ndodhë, sa vende do të infektohen dhe sa persona mund të rrezikojnë jetën nga ky komplikim. Ndërkohë vetëm dy ditë më parë kreu i OBSH, bëri thirrje për të treguar kujdes maksimal, duke mos përjashtuar as mundësinë e përhapjes së pandemisë botërore./AgroWeb.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *