Categories
Kulturë

Si u shkatërrua kultura Ilire nga dyndjet sllave dhe osmane

Intervista/ Aleksandër Meksi flet si restaurator: Kultura ilire nën dhe është mbuluar nga ndërtimi i pallateve

Nga : Leonard Veizi

Historia e Shqipërisë është shkruar më së shumti edhe përmes asaj çfarë na ofron një objekt kulti. Në fillim janë ngritur kishat e ritit katolik, më pas ato të ritit ortodoks dhe në shekullin XV nisi edhe ngritja e xhamive e teqeve, një pjesë e të cilave përshtatën si të tilla edhe ndërtesat që deri më para pushtimit osman kishin shërbyer si objekte kulti kishtare. Por, më e keqja do të vinte më pas…

“Feja është opiumi i popujve”. Me këtë motiv, dhe nën ndikimin e drejtpërdrejtë të Revolucionit Kulturor Kinez, më 6 shkurt Enver Hoxha mbajti fjalim për “revolucionarizimin e mëtejshëm të partisë dhe pushtetit”, pjesë përbërëse e të cilit ishte edhe lufta kundër “ideologjisë fetare” e “zakoneve prapanike”. Pas kësaj, regjimi ateist e ndaloi ushtrimin e fesë në Shqipëri. Në nëntor të 1967-ës, doli dekreti me nr. 4337, me anë të të cilit anulohej legalizimi i komuniteteve fetare dhe ndaloheshin të gjitha ritet. Ndërkaq, me një nismë të pabesueshme të marrë nga nxënësit e shkollave të Durrësit, të prirë nga shkolla “Naim Frashëri”, sulmuan dhe shkatërruan shenjtëroren ortodokse në Shën Vlash. Në këtë mënyrë nisi në të gjithë Shqipërinë shembja e objekteve të kultit. Revolucioni përfundoi me shkatërrimin e 2169 objekteve, nga të cilat 608 kisha ortodokse e manastire, 157 kisha katolike, 740 xhami dhe 530 teqe.

Me vrullin e marrë mund të ishin prishur të gjitha, sa mos kishte mbetur gjë mbi dhe, por diku dora u ndal. Vërtet shumë monumente kulti të rëndësishme u prishën, por disa të tjera po aq të rëndësishme arritën të mbijetonin. Ato u morën në mbrojtje nga Instituti i Monumenteve. Por, çfarë ndodhi me monumentet e mbetura? Prof. dr. Aleksandër Meksi, një nga njohësit më të mirë të fushës së restaurimit, shpjegon për “Fjala”:

Prof. Dr. Aleksandër Meksi

Si u seleksionuan objektet e kultit në ato që duheshin shkatërruar dhe në të tjerat që duheshin ruajtur?

Objektet e kultit nuk ishin të gjitha në mbrojtje shtetërore. Në këtë rast do të flasim për ato që ishin në mbrojtje të shtetit. U bë një reduktim i listës ku ishin të gjitha objektet e kultit. Më saktë, u krijua një komision, që bëri një reduktim të kësaj liste. Nuk është se thuhej haptazi se cilat duhet të mbaheshin dhe cilat jo, por ta zëmë se nga 200 objekte rreth 100 të tilla u prishën. U ruajtën monumentet (kisha edhe xhami) që u gjykuan me vlera më të mëdha se ato që do të largoheshin. Një pjesë e këtyre objekteve që ishin menduar për t’u hequr, ndodheshin nëpër zona shumë të largëta dhe shpëtuan. Tanimë janë rikthyer në pozicionin fetar që kanë pasur dikur. Por, një pjesë edhe humbën. Them se një pjesë u rrënuan, të tjera u transformuan dhe u përdorën për depo. Natyrisht që pikturat murale të tyre nuk rezistuan, kështu që shkatërrimi qe i madh.

Objektet e kultit shkatërroheshin me urdhër nga lart apo edhe nga iniciativa që merrte baza?

Pa dyshim. Për shembull, minaret e një pjese të xhamive ishin shkatërruar kur u vunë në mbrojtje shtetërore, sepse ata të pushtetit lokal kishin një zell të tepërt dhe nuk duruan që të dilte lista, por iu futën punës, sepse u desh nja dy vjet derisa u bë seleksionimi.

 Përse u desh një kohë kaq e gjatë?

Sepse ky seleksionim u shoqërua me dokumentacionin shkencor të tyre, me fotografitë, përshkrimin, rilevimin etj. Në këtë mënyrë u bë. U gjykua sipas vlerës, kohës së ndërtimit, autorësisë së piktorëve, në rastin e pikturave murale. Pra, u desh kohë që lista të plotësohej.

Gjatë punës për restaurimin, ju ka qëlluar të ndeshnit që një godinë më e re të jetë ngritur mbi themelet e një objekti të vjetër kulti?

Po, ka. Po kujtoj në Durrës, ku në mes të qytetit është një xhami, xhamia e Fatihut. Ajo është ndërtuar mbi një kishë të shekullit të 10-të. Pas vitit 1501 menjëherë me pushtimin e Durrësit nga osmanët, ajo u kthye në xhami. Ishin osmanët ata që u morën venedikasve. Një pjesë e godinës u prish, sepse nuk i përshtatej një xhamie si formë. Ajo është një nga rastet kur xhamia është ngritur mbi një kishë.

Është gjithashtu kisha e Shën Stefanit mbi kalanë e Shkodrës, e cila gjithashtu është kishë e kthyer në xhami. Por, ka dhe dy-tri raste të tjera.

Tashmë së fundi Xhamia Mbret që po restaurohet nga fondacionet turke, atje ku është teqeja e Helvetivëve, dy-tri metra në thellësi doli një mozaik që i përket periudhës paleokristiane të shekullit V-VI. Pra, në themele ka një histori në shumë raste më të vjetër se ajo që duket në sipërfaqe.

Vetëm ndërhyrja e administratës osmane solli ndryshime të objekteve të kultit apo ka pasur dhe raste të tjera?

Ka pasur dhe më parë se kaq. Shumë objekte të tjera janë prishur sepse shkatërrimet që sollën dyndjet sllave kanë qenë të mëdha. Pastaj, në qoftë se në një qytet që ka qenë i ndërtuar dhe i zhvilluar më përpara, ndërtohet përsëri, përgjithësisht gjenden ndërtime më të vjetra. Ashtu siç shpeshherë thuhet se është ndërtuar mbi një kishë, por nuk rezulton e tillë. Duhen kryer gërmime të thella arkeologjike për të gjetur që realisht ka qenë mbi një kishë apo jo. Kurse ka të tjera që janë rindërtime mbi kisha më të vjetra, të themi pjesërisht ruhen muret e periudhës paleokristiane të shekullit V-VI. Më vonë objekti është rritur edhe në mure të tjera të qëndrueshme për të mbijetuar.

Në literaturë shkruhet se në Ilirinë antike kishte një amfiteatër të kulturës helene apo një tjetër të kulturës romake. Po nga kultura ilire, çfarë gjurmësh ka?

Ka edhe gjurmë nga kultura ilire. Në disa raste gjen varreza të vjetra, ndërtime të vjetra. Durrësi sot mund të ishte një vend i rëndësishëm për të gjetur mbetje nga kultura ilire, por pas vitit 1997 pikërisht zona arkeologjike e qytetit ka humbur, pasi është kthyer në truall për ndërtime pallatesh.

Në studimet tuaja keni shkruar shumë edhe për kishën e Mesopotamit. Mendohet se është nga të rrallat në Evropë ku kryheshin në të njëjtën kupolë si ritet katolike ashtu edhe ato ortodokse…

Këto objekte kulti janë të rralla përgjithësisht. Gjatë fundit të shekullit XIII, anzhuinët, dinastia franceze, që kishin nën zotërim edhe një pjesë të Arbrit, marrin për nuse në oborrin e tyre vajzën e despotit të Epirit. Në atë kohë, Mesopotami bënte pjesë në despotatin e Epirit. Ishte manastir që varej direkt nga patrikana e Kostandinopojës. Pra, nuk varej nga peshkopi vendës, fjala vjen nga ai i Gjirokastrës, i Himarës apo i Butrintit. Në atë kohë katolikët shtinë në dorë edhe Butrintin dhe kishin peshkopin e tyre për 100 vjet të paktën, ku në listë janë 3-4 emra peshkopësh katolikë. Pra, në këtë periudhë kohore morën në dorë edhe manastirin, i cili asokohe kishte vetëm të krishterë. Ka edhe sherre ndërmjet tyre së paku deri nga viti 1304 kohë kur u prishën dhe katolikët u larguan nga ndikimi. Sherri ndërmjet ortodoksëve dhe katolikëve është i dokumentuar, sepse igumeni i këtij manastiri bashkë me dy-tre igumenë të tjerë, kur katolikët ishin shtrirë në Epir, shkojnë në Napoli të ankohen ndaj vështirësive që kishin për ushtrimin e ritit ortodoks. Kjo është arsyeja që kemi të bëjmë me një ndërtesë, e cila ka një formë unikale thuajse në këto përmasa, në këto vlera, në tërë kulturën bizantine.

Pra, gjatë kësaj kohe manastiri ishte edhe ortodoks, edhe katolik. Pra, ky ndërtim i ri që u bë brenda manastirit, ishte më i vjetër. Aty ka dy altarë. Ka dy variante për to: një objekt kulti ka dy altarë, ose kur ato janë për dy shenjtorë, ose në rastin që një altar përdorej për ortodoksët e një për katolikët, të cilët bashkëjetonin në të njëjtën kupolë.

Kjo do të thotë që katolikët rreth viteve 1200 kanë qenë edhe në Jug të Shqipërisë?

Çerekun e fundit të shekullit të 13-të, janë këta kufijtë kohorë që e përcaktojnë, kanë hyrë në Butrint dhe janë vendosur njëfarë kohe atje. Kanë qenë në Vlorë kur vendi ka qenë nën ndikimin e mbretërisë së anzhuinëve, deri në 1307 kur vërtetohet se janë rikthyer ortodoksët. Ka ndërtime në një sërë vendesh, themi edhe Portiku i Jashtëm që është në kishën e manastirit të Apolonisë, ka skulptura që janë qartë ndikime të shkollës romanike-gotike. Me shumë gjasa në rastin e Apolonisë, ky ndikim nuk ka ardhur direkt nga jugu, por nëpërmjet Dubrovnikut, Tivarit, Kotorrit, ku ishin Balshajt, të cilët në të njëjtën kohë i kishin të shtrira zotërimet e tyre deri në Vlorë. Po kështu është kisha e Zvërnecit që ka elemente të periudhës romanike-gotike. Kemi ndikime në Kurjan, ku ndikimi këtë herë ka hyrë nëpërmjet Vlorës.

Një pyetje të fundit. Monumentet e kulturës kanë nevoja të vazhdueshme për restauratorë. Në dijeninë tuaj, a prodhojmë dot ne më restauratorë, të cilët do të vazhdojnë punën e mëtejshme?

Sot ka nevojë për restauratorë, por duhet rikthyer në kushtet e reja, me format të reja organizative nga Instituti i Monumenteve të Kulturës. Është bërë një kurs për master restaurimi, por në formën më absurde për mendimin tim. Duhet riforcuar Instituti, duhen kualifikuar njerëzit, sepse aktualisht është në nivel më të ulët shkencor sesa 30 vjet më parë. Shkencëtarët nuk dalin në pension. Them që nuk është në rrugë të drejtë, por kanë nevojë për ndryshim rrënjësor përpara se të mbetemi pa monumente kulture dhe në fond të mbeten vetëm fotografitë dhe librat tanë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *