Prof. Asoc. Dr. Zaho Golemi
Dr. Çlirim TOCI
Akademia e Forcave të Armatosura
Në burimet e shumta shqiptare dhe europiane është një fakt që emri “stratiot” është një emër i njohur i mjeshtrit të përdorimit të shpatës, i mercenarit klasik, i luftëtarit të paepur, zot i luftës, i gjakderdhjes dhe i plaçkës. Nëse i referohemi Fjalorit Enciklopedik shqiptar, emri “stradiote”, ka këtë përcaktim: “Prej shekullit XIV, kur ushtritë feudale në Europën perëndimore e humbën rëndësinë, fituan peshë repartet e ushtarëve rrogëtarë, që vinin nga Anglia, Zvicra, Gjermania.
Në kushtet e vështira të jetesës nën pushtimin osman, shumë fshatarë të trevave malore, si të Labërisë, Himarës, të Veriut, po edhe nga Greqia, Dalmacia u rekrutuan në reparte të tilla, duke marrë emrin “stradiotë”. Stratiotët shqiptarë shërbyen në zotërimet venedikase, në shtetet italiane, në ushtritë e perandorisë gjermane, në Francë, Flandër etj”. Princat dhe bujarët shqiptarë të mesjetës kanë qenë pjesërisht të bashkuar por dhe të përçarë, për një sërë faktorësh dhe kushtesh, që “prodhonte” koha, gjendjes ekonomike e shoqërore, kushteve e pozicionit gjeostrategjik fisnor, aktivitetit agresiv të fqinjëve.
Nga familjet dhe oxhaqet e mëdha shqiptare, familja e Gjin Bua Shpatës njihet ajo nga e cila u dërguan stradiotët e parë drejt Italisë dhe Europës, të cilët do të hynin në kronikat më të lavdishme të historisë europiane!, që ndryshe i thonë edhe “lavdia e gjakut”. Stradiotët ishin reparte mercenare arbërore, që shkonin ku kishte luftë dhe paguheshin si mercenarë. Ata ishin mjeshtra në përdormimin e shpatës, shisnin mjeshtërinë e tyre luftarake dhe merrnin shpërblim për këtë. Kapedani stradiot kishte deri në njëqind vetë, në një repartet stradiot që i paguante si mercenarë. Në kronikat e shekujve XV dhe XVI, për luftëtarë shqiptarë kanë hyrë në historinë luftarake të Europës shumë stradiotë, komandantë e kapitenë trima, të cilët arritën deri në gradat më të larta ushtarake, të gjeneralëve të shquar të kohës.
Ata identifikohen si shqiptarë ose me origjinë shqiptare, me etiketimin “stradiot”, ushtarë mercenarë, shqiptarë, grekë, osmanë, dalmatë, hungarezë, bullgarë, sllavë, vllahë etj. Stradiotët ishin komandantë të zotë, luftëtarë të palodhur, të shquar me një dorë tek shpata dhe me tjetrën tek plaçka. Por nga ana tjetër ata ishin luftëtarë të pabindur, të padisiplinuar, me vese gjithmonë të pangopur, dhe grabitqarë si me armiqtë edhe me miqtë. Luftuan në të gjithë Europën por kryesisht në gadishullin Apenin, Spanjë, Francë Gjermani, por edhe tek habsburgasit. Stradiotët mbanin mjekër të gjatë me dy maja, me flokët të gjatë, ndonjëherë edhe gërshetë.
Vishnin setra të gjatë të mbushura me pambuk, që i kishin në vend të mburojës. Armatimi i tyre ishte shtiza, jatagani, thika, panciri, mëzdraku, efikas në luftimet trup më trup. Taktika e stradiotëve ishte mjaft e zhdërvjellët: kalërime të gjata, manovra të shpejta, kalërime natën, tërheqja e rreme, sulme natën si një taktikë e panjohur në Evropë. Ata ishin kalërues të mirë në terrene malore, në mal, në akull, në dëborë, në këneta duke lënë mbrapa kalorësinë e rëndë evropiane. Ata u përdorën me sukses në beteja, në ruajtjen e bregdetit nga piratët, në shërbim të Venedikut, në shërbim të Napolit, Spanjës, Francës, Anglisë e deri tek Perandoria Austro-Hungareze. Me këtë taktike luftoi dhe Gjergj Kastrioti Skënderbeu, kur u hodh në Itali, me kalorësi të lehtë e të egër me kundërshtarët. Në beteja stradiotët zinin rob, kapitenët apo fisnikët sepse ata e kishin çmimin më të majmë tek padronët e tyre. Ata zotëronin energji të jashtëzakonshme, duronin urinë, etjen e pagjumësinë, kishin një zgjuarsi të hollë e të admirueshme, ishin të pamëshirshëm, zgjedhin rrugë të papërdorura si të ishin egërira. Kodi i tyre ishte “ligji i luftës” që njihej si “në besën e vet”, që do të thotë një drejtësi relative. Nëse paguaje liroheshe, nëse jo, vdekje me prerje koke. Lirinë e dinjitetin mund ta “bleje” si zoti i shpatës ose si pasanik. Ata plaçkisnin kur nuk pagueshin, prisnin kokat jo vetëm të robërve, por dhe të vdekurve, pasi paguheshin për kokë. Nuk ishin besmitarë, puthnin papën kur e shikonin se paguante, por vrisnin kardinalë pa asnjë problem kur shikonin se u bëhej padrejtësi. Kuajt i kishin personalë prej gadishullit ballkanik. Dukuria stradiote/stradiots albanois, e vështruar në kontekstin historik, ekonomik, shoqërore si dhe e lidhur ngushtë me vetë natyrën apo karakterin e shqiptarit, organizimin fisnor, me cilësitë dhe të drejtat juridike që shpjegojnë në thelbin e tyre këtë dukuri. Sipas burimeve dokumentare të arkivave të Vatikanit, Venedikut, të kronikanëve europianë etj., në shekullin XVI luftëtarët shqiptarë i gjejmë deri në skajet më të largëta të Europës, nga Italia e afërt e deri në Spanjën e Skocinë e largët, por porta hyrëse në Europë ishte Venediku ose Napoli. Fakt është se tiparet e stradiotit shqiptar të Mesjetës i gjejmë habitshëm edhe “samuraji japonez” po në të njëjtën periudhë hsitorike mesjetare. Samuraji japonez është një ushtar i vënë në shërbim të dikujt; ndërsa stradioti shqiptar, është ushtar me pagesë, mercenar i kohës, sikundër ishin dhe gjermanët, zvicerianët, hungarezët etj. Veshja e samurajit është e rëndë, po ashtu edhe e stradiotit të kohës, me gunë karakteristike. Heshta jari e samurajit të shekullit XV është po aq e gjatë dhe vdekjeprurëse sa dhe ushta/usht–ushtar, e straditotit shqiptar me dy skajet e veta të mprehta. Mburoja e samurajit është e përbërë nga kartona të trashë të ngjitur njëmbinjë, po ashtu edhe “sekreti”, që mbulonte kryet e stradiotit shqiptar poshtë kapeles “albanua”, dhe që i rezistonte për bukuri goditjeve të shpatave. Samuraji priste kokën e kundërshtarit të mposhtur dhe e merrte me vete si trofe. Po ashtu edhe stradioti shqiptar, dukuri kjo orientaliste e osmane, për t’u paguar sipas kokave të prera, të cilat mbaheshin në majë të ushtave. Samuraji e kishte kokën të rruar, por duke ruajtur një bisht të gjatë flokësh të cilin e bënte topuz pas kokës. Shqiptari luftëtar po ashtu e ka mbajtur kokën pa flokë, por vetëm me një bisht të gjatë flokësh nga pas, për t’i dhënë mundësi kundërshtarit t’ia mbante kokën e tij të prerë nga bishti i flokëve, në mënyrë të respektueshme. Qëllimi final ka qenë fitorja e shpejtë si tipar i tyre i përbashkët i luftimit, befasisë dhe i mbijetesës në fushën e betejës, ishte thelbi i strategjisë dhe i taktikave thelbësore të luftimit, ndërsa mënyra e të luftuarit në formacione të rregullta, me pararojë, praparojë, duke shpartalluar armikun me goditjen e parë, me taktika e strategji të suksesshme mundësisht të panjohur për kohën. Veprimtaria e stratiotëve është pasqyruar në veprët e shumë kronistëve dhe autorëve nga shekulli XV, si Charles Oman, Marino Sanuto, Philip de Comines, Konstantinos Sathas, John Hale, e M. E. Mallett, etj. Fakt është që stradiotët shqiptarë, janë kontribues historik me vlerë për Europën perëndimore sipas “kutit të kohës”, ku shkëlqeu kalorësia e lehtë shqiptare, në Evropën mesjetare. Shqiptarët i kanë dhënë gjak dhe shpirt Europës dhe sikurse thoshte akademiku gjirokastrit Eqerem Çabej: “..Si në kohët antike, ashtu dhe më vonë, ky popull malësor i fortë jep gjakun e tij për mbrujtjen e kombeve të reja ballkanike, jo vetëm me anë të përzjerjes etnike, por edhe në pikëpamje politike, si kasta luftëtare e Ballkanit, me armë në dorë. E më tej, si kasta luftëtare e mbarë Europës me stradiotët e shquar shqiptarë!”