Categories
Aktualitet

Tërmeti, Mazniku: 10 pallate dhe 400 banesa në Tiranë janë të pabanueshme

Paralelisht me ndihmën që po u jepet banorëve në nevojë, grupet e punës së Bashkisë së Tiranës po verifikojnë në terren të gjitha banesat private dhe pallatet, për të evidentuar godinat me probleme, të cilat mund të jenë të pabanueshme për shkak të goditjeve të forta sizmike. Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku, duke folur për mediat, tha se grupet e punës me përbërje inxhinierë konstruktorë, kanë konstatuar disa banesa të pabanueshme në Tiranë, për të cilat është urdhëruar evakuimi i banorëve.

Duke iu referuar të dhënave zyrtare të ardhura nga grupet e punës në terren ai u shpreh se nga verifikimet e bëra deri më tani në Tiranë janë konstatuar dëmtime në 405 pallate. Sipas specialistëve, deri më tani janë vlerësuar si të pabanueshëm 10 pallate, ku njësia me numrin më të madh të pallateve të shpallura të pabanueshme është njësia nr.6 në Kombinat.

Gjithashtu, grupet e vlerësimit të situatës kanë bërë verifikimet edhe në banesat private, ku kanë rezultuar se 621 kanë pësuar dëmtime të rënda. Mazniku bëri të ditur se 406 banesa private janë shpallur të pabanueshme, për të cilat është bërë i detyrueshëm evakuimi. Ndërsa njësitë me më shumë banesa të shpallura të pabanueshme janë Kashari, Petrela dhe Vaqarri.

Bashkia e Tiranës u ka bërë thirrje të gjithë banorëve të bashkëpunojnë me përfaqësuesit tanë në terren dhe të dalin vullnetarisht nga këto ndërtesa të pasigurta për jetën e tyre, dhe të pranojnë ndihmën e ofruar për strehim dhe ushqim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *