1. TROJET SHQIPTARE
Shtrirja e trojeve shqiptare
Gjatë çerekut të dytë të shek. XIX, me gjithë disfatat e shpeshta që kishte pësuar në të kaluarën, Perandoria Osmane zotëronte ende territore të gjera në Lindjen e Afërme, në Gadishullin Arabik, në Afrikën Veriore dhe në Gadishullin Ballkanik. Brenda këtyre territoreve banonin afërsisht 33 milionë banorë. Në Evropën Juglindore Perandoria Osmane kishte humbur territore të rëndësishme (Hungarinë, Kroacinë, Besarabinë etj.).
Veç kësaj, pak kohë më parë Greqia kishte fituar pavarësinë kombëtare në një pjesë të territoreve të saj, ku banonin rreth 850 mijë frymë. Më 1840 në viset ballkanike, të cilat ndodheshin ende nën kontrollin e Perandorisë Osmane, banonin rreth 10,5 milionë frymë. Prej tyre, Mali i Zi, Serbia, Vllahia e Moldavia, me gjithsej 4,8 milionë frymë, kishin fituar autonominë nën suzerenitetin e sulltanit?. Viset e tjera (me gjithsej 5,8 milionë banorë), përfshirë edhe trojet shqiptare, ndodheshin nën sundimin e plotë të Perandorisë Osmane.
Si edhe më parë, popullsia e Perandorisë përbëhej nga një mori kombësish, të cilat ndryshonin nga gjuha, nga feja, nga zakonet dhe nga mënyra e jetesës. Shteti osman vijonte të mos e pranonte konceptin e kombësisë. Duke qëndruar e lidhur pas konceptit teokratik mesjetar, që e identifikonte kombësinë me fenë, Porta e Lartë vazhdoi t’i ndante shtetasit e vet, pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike, në “myslimanë”, në “rumë” (ku përfshinte ortodoksët), në “latinë” (ku përfshinte katolikët etj.) dhe në “jahudi” (çifutë). Ajo nuk u kishte dhënë asnjëherë rast atyre të deklaronin të paktën gjuhën e tyre amtare, as kur bëhej regjistrimi i popullsisë. Për këtë arsye qeveria turke nuk e shpalli ndonjëherë numrin e popullsisë së saj sipas përbërjes kombëtare, rrjedhimisht as numrin e banorëve të kombësisë shqiptare.
Qysh në pjesën e parë të shek. XIX, me lindjen e lëvizjeve kombëtare të popujve ballkanikë, filloi interesimi i qarqeve të ndryshme evropiane për strukturën etnike të Perandorisë Osmane. Por, nga mungesa e të dhënave zyrtare të sakta, autorë të ndryshëm shpallën njoftime që binin në kundërshtim ndërmjet tyre, ndërsa qarqet politike greke, serbe e bullgare, të cilat, për të përligjur pretendimet e tyre ndaj territoreve shqiptare, filluan t’i konsideronin shqiptarët ortodoksë në jug si grekë, në veri si serbë, në lindje si bullgarë, kurse shqiptarët myslimanë të këtyre viseve herë si turq, herë si grekë, si serbë a si bullgarë të islamizuar dhe pastaj të shqiptarizuar.
Megjithatë, një shumicë studiuesish dhe udhëtarësh të huaj, të cilët gjatë shek. XIX e njohën nga afër strukturën etnike të Gadishullit të Ballkanit, vunë në dukje se, me gjithë sundimin katërshekullor osman, popullsia shqiptare e ruante gjithnjë të paprekur identitetin e kombësisë së vet.
Këtë identitet nuk e kishte cenuar as kthimi i shumicës së shqiptarëve në fenë islame, as politika turke e diskriminimit fetar kundrejt shqiptarëve të krishterë, as fryma e dasisë fetare që qendrat e huaja kishtare kishin përhapur në Shqipëri. Sikurse shënonte udhëtari anglez Xh. K. Hobhauz (J. C. Hobhouse), i cili e vizitoi Shqipërinë më 1809, shqiptarët e tri besimeve nuk e quanin veten, siç ndodhte me popullsitë e tjera të Perandorisë, as “myslimanë”, as të “krishterë”, por në radhë të parë me emrin e tyre etnik “shqiptarë”.
Shqiptarët banonin në të njëjtat troje ku kishin jetuar gjatë gjithë historisë së tyre, në pjesën perëndimore të Gadishullit Ballkanik. Në mes të shek. XIX trojet e tyre mbulonin një sipërfaqe prej rreth 75 mijë kilometra katrorë. Ato shtriheshin: në veri deri në Tivar, në Podgoricë, në Rozhaj e në Novi Pazar (Pazari i Ri), në verilindje deri në Nish, në Leskovc e në Vranjë, në lindje deri në Kumanovë, në Shkup e në Manastir, në jug deri në Konicë, në Janinë e në Prevezë. Brenda kësaj treve banonin 1 800 000-1 900 000 frymë.
Megjithatë, si pasojë e kushteve historike që njohu Gadishulli Ballkanik gjatë sundimeve shekullore romake, bizantine, bullgare, serbe dhe osmane, në disa vende të trojeve shqiptare, kryesisht në ato periferike, kishin depërtuar si kolonistë edhe pjesëtarë të kombësive të tjera. Prania e këtyre kombësive nuk ishte e njëllojtë kudo.
Nga kjo pikëpamje treva shqiptare ndahej në dy zona të mëdha: në trungun etnik, ku shqiptarët përbënin shumicën absolute të popullsisë, dhe në brezin anësor, ku shqiptarët përbënin pakicën e saj, krahas popullsive të tjera. Me gjithë ngushtimin që kishte pësuar gjatë shekujve mesjetarë, trungu etnik përfshinte, në mesin e shek. XIX, viset e Gegërisë (ku bënte pjesë edhe Kosova) dhe të Toskërisë (ku përfshihej edhe Çamëria), me një sipërfaqe prej rreth 52 mijë kilometra katrorë, me rreth 1 300 000 frymë, shumica e të cilëve qenë shqiptarë?. Së bashku me banorët shqiptarë të brezit anësor, numri i popullsisë shqiptare arrinte në atë periudhë në rreth 1 500 000 frymë.
Në brezin anësor, me një sipërfaqe prej 23 mijë kilometra katrorë dhe me një popullsi e cila sipas burimeve të ndryshme arrinte në rreth 500 000-600 000 frymë, përveç shqiptarëve, kishte popullsi malazeze në veriperëndim (Podgoricë, Shpuzë, Zhabjak, Moraçë), boshnjake në veri (Kolashin, Rozhaj, Novi Pazar), serbe në verilindje (Vranjë, Leskovc, Nish), maqedone në lindje (Shkup, Perlep, Manastir) dhe greke në jug (Artë, Prevezë, Janinë)??.
Në kushtet e lindjes së lëvizjeve kombëtare ballkanike, kjo rrethanë u shfrytëzua nga qarqet nacionaliste të vendeve të Ballkanit dhe nga Fuqitë e Mëdha, që i përkrahnin ato për të realizuar lakmitë e tyre shoviniste. Pasojat negative të kësaj politike, e cila filloi të shfaqej qysh në vitet 40 të shek. XIX, i ndjeu në radhë të parë popullsia shqiptare.
- Programi politik i RilindjesIdeologjia e Rilindjes u konkretizua në programin e saj politik e kombëtar, i cili u përpunua gradualisht, duke filluar nga vitet 30-40 të shek. XIX dhe u pasurua gjatë zhvillimit të mëtejshëm të lëvizjes kombëtare. Thelbin e tij, si të çdo lëvizjeje tjetër nacionale, e përbënte formimi i shtetit kombëtar shqiptar.
Përpjekjet e para (pas atyre të periudhës së Skënderbeut, në shek. XV) për shkëputjen e Shqipërisë nga sundimi osman dhe për formimin e një shteti shqiptar u bënë në vigjilje të epokës së Rilindjes, në fundin e shek. XVIII dhe në fillimin e shek. XIX, kur u formuan dy pashallëqet shqiptare, ai i Shkodrës në veri (1771-1831) dhe i Ali pashë Tepelenës në jug (1787-1822). Megjithatë, këto dy pashallëqe, për një varg arsyesh të brendshme e të jashtme, nuk arritën të bashkoheshin (siç bënë Principata e Moldavisë dhe ajo e Vllahisë më 1859-1861) dhe të themelohej kështu, më herët se në vendet e tjera të Ballkanit, një shtet autonom shqiptar. Shqiptarët i shfaqën përsëri prirjet e tyre për t’u shkëputur nga Stambolli dhe, kur krerët e Jugut formuan, më 1828, Lidhjen Shqiptare, deklaruan se do të luftonin kundër Greqisë vetëm po të rrezikohej Shqipëria dhe jo Turqia. Kështu ata nxorën pothuajse krejtësisht Shqipërinë e Jugut nga kontrolli i Portës së Lartë. Ata kërkuan të vendosnin në vilajetin e Janinës një administratë të tillë civile, e cila t’u njihte të drejta të barabarta gjithë banorëve të këtij vilajeti, shqiptarëve e grekëve, myslimanëve e të krishterëve.Bashkëkohësit shihnin në këto qëndrime të krerëve shqiptarë të Jugut prirjet nacionaliste, madje edhe synimin e tyre për pavarësi dhe për t’u shkëputur nga Perandoria Osmane, gjë që mund të arrihej nëse do të ishte vendosur një lidhje e ngushtë ndërmjet tyre dhe Pashallëkut të Shkodrës, i cili shtrihej në atë kohë pothuajse në gjithë Shqipërinë e Veriut. Për shkak të pavendosmërisë së vetë krerëve feudalë shqiptarë, që i trëmbeshin shkëputjes nga Perandoria Osmane, ky bashkim nuk u arrit dhe Shqipëria humbi atëherë mundësinë për të hedhur poshtë robërinë osmane.Programi kombëtar i Rilindjes Shqiptare nuk lindi menjëherë në formën e tij të plotë. Fillimet e tij u hodhën nga mendimtarët e shquar shqiptarë, intelektualët rilindës në vitet 30-40 të shek. XIX. Ata përpunuan dora-dorës idetë për të drejtat e kombit shqiptar, i plotësuan me ato iluministe për shkollën e gjuhën shqipe dhe në përgjithësi për kulturën kombëtare, si edhe me kërkesat për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. Edhe lëvizjet e para të viteve 30-40 të atij shekulli, që u shtrinë pothuajse në të gjitha trevat shqiptare, si dhe idetë e tyre për një administrim të veçantë për tokat shqiptare, për drejtimin e tyre nga vetë shqiptarët, madje, siç u kërkua gjatë kryengritjes së viteve 1843-1844, për një organizim të tillë të Shqipërisë si ai i shteteve fqinje, kishin karakter çlirimtar, shënuan një hap përpara drejt programit autonomist.Me rritjen e lëvizjes kombëtare në vitet 70 të shek. XIX dhe veçanërisht në periudhën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878-1881), u përpunua në mënyrë të plotë programi kombëtar i Rilindjes Shqiptare për sigurimin e autonomisë territoriale-administrative dhe të pavarësisë së vendit nga sundimi i Perandorisë Osmane, i cili u pasurua e u zhvillua më tej në fundin e shek. XIX dhe në fillimin e shek. XX nga organizatat e tjera politike mbarëshqiptare. Në këtë program, ideologët rilindës, në përputhje me kohën e me rrethanat, përcaktuan rrugët nëpërmjet të cilave populli shqiptar, ashtu si fqinjët e tij ballkanas, do të arrinte të formonte shtetin e vet kombëtar e të bashkuar. Organizimin e shtetit shqiptar rilindësit e mendonin në të dyja format, të autonomisë dhe të pavarësisë. Autonomia dhe pavarësia janë konceptuar gjithmonë si dy etapa të zgjidhjes së çështjes shqiptare, të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Por për një varg arsyesh, që kishin të bënin më shumë me rrethanat e jashtme ndërkombëtare, por edhe me raportin e forcave shoqërore e politike brenda vendit, platforma e autonomisë territoriale-administrative të Shqipërisë mbizotëroi gjatë gjithë Rilindjes, deri në nëntorin e vitit 1912.Shteti autonom shqiptar, nën sovranitetin e Perandorisë Osmane, vlerësohej nga mendimtarët rilindës si një organizim i përkohshëm e kalimtar, për të shkuar, në kushte më të favorshme ndërkombëtare drejt një shteti plotësisht të pavarur. Autonomia territoriale-administrative krijonte mundësitë që të ngriheshin institucionet juridike-politike dhe strukturat ekonomiko-shoqërore, që do të shërbenin si mbështetje për rendin shtetëror të pavarur, i cili do të vendosej sapo të krijoheshin kushtet e përshtatshme. Kjo ishte rruga që kishin ndjekur drejt pavarësisë edhe disa shtete të tjera ballkanike; ishte e natyrshme që shqiptarët të merrnin parasysh edhe përvojën e tyre.Por në rastin e shqiptarëve kërkesa e autonomisë u kushtëzua, në një shkallë të konsiderueshme, nga një varg arsyesh të karakterit ndërkombëtar. Rilindësit mendonin se autonomia territoriale-administrative e Shqipërisë, nën sovranitetin e sulltanit, do të ishte një zgjidhje më e pranueshme për Portën e Lartë, sesa ajo e pavarësisë dhe e shkëputjes së plotë të Shqipërisë nga Perandoria Osmane. Ata e shikonin autonominë si një masë që mund të pajtohej edhe me politikën e status quo-së së Perandorisë Osmane, të ndjekur nga Fuqitë e Mëdha. Një administrim autonom i Shqipërisë do t’u priste rrugën lakmive pushtuese të shteteve të reja ballkanike, të shfaqura qysh në vitet 40 të shek. XIX. Duke siguruar njohjen zyrtare nga Porta e Lartë dhe nga Fuqitë e Mëdha të të drejtave të shqiptarëve mbi trojet e tyre dhe të përkatësisë së tyre etnike shqiptare, autonomia territoriale-administrative e Shqipërisë nën sovranitetin e Perandorisë Osmane do të shmangte, sa të ishte e mundur më shumë, rrezikun e copëtimit dhe të aneksimit nga shtetet fqinje.Organizimi i Shqipërisë si një njësi e veçantë shtetërore autonome, qoftë edhe brenda Perandorisë Osmane, do të mënjanonte gjithashtu rrezikun e identifikimit të saj me këtë Perandori, kur kjo të shthurej dhe zotërimet e saj të ndaheshin ndërmjet shteteve ballkanike.
Rilindja, edhe pse ishte në thelb një lëvizje ideore, karakterizohej gjithashtu nga veprime të armatosura të shtresave më të gjera të popullsisë kundër sundimtarëve osmanë. Rilindësit më të përparuar e vlerësuan lëvizjen e armatosur si një mjet të domosdoshëm për të siguruar të drejtat kombëtare dhe për çlirimin e vendit. Këto lëvizje të armatosura, që ndoqën njëra-tjetrën, gjatë shek. XIX dhe fillimit të shek. XX, nisën me kryengritjet kundër reformave të Tanzimatit në vitet 30-40 e vazhduan deri te kryengritjet e mëdha të viteve 1910-1912, që çuan në Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.Forcat shoqërore të lëvizjes kombëtareRilindja Kombëtare ishte një lëvizje e re, e cila shënoi një etapë më të lartë, në krahasim me lëvizjet e mëparshme çlirimtare, edhe nga përbërja e forcave shoqërore që e udhëhoqën atë. Në periudhën e feudalizmit në krye të lëvizjeve çlirimtare qëndronin krerë feudalë ose fshatarë. Meqenëse atëherë vendi ishte i ndarë në njësi politiko-administrative të veçanta, pa lidhje me njëra-tjetrën dhe ku krerët hynin shpeshherë në konflikt me njëri-tjetrin, lëvizjet kundër zgjedhës së huaj bëheshin, si rregull, në emër të një njësie politiko-administrative të veçantë dhe synonin çlirimin e kësaj njësie e jo të të gjitha trojeve shqiptare. Edhe kërkesat e tyre ekonomike e politike ishin të kufizuara dhe me karakter lokal.
Ndryshe ndodhi në epokën e Rilindjes, kur lëvizja çlirimtare i kapërceu caqet lokale e krahinore, krijoi të gjitha kushtet e domosdoshme për bashkimin e forcave më të ndryshme shoqërore të kombit shqiptar rreth një programi dhe një qëllimi të vetëm.Zhvillimi i ekonomisë së re të tregut solli ndryshime në strukturën shoqërore të vendit. U formua borgjezia kombëtare si një forcë e re shoqërore, e cila, në kushtet e një zhvillimi të dobët të kapitalizmit dhe të ruajtjes së mbeturinave të feudalizmit, ishte e lidhur edhe me pronën mbi tokën. Ajo përfaqësohej kryesisht nga tregtarët, zejtarët e pasur dhe pronarët e manifakturave, të punishteve e të fabrikave të para. Si një forcë që ishte e interesuar si për formimin e një shteti të bashkuar shqiptar, ashtu edhe për krijimin e kushteve për sigurimin e personit e të pronës dhe për zhvillimin e ekonomisë së tregut në përgjithësi, borgjezia, në radhë të parë intelektualët e dalë nga radhët e saj, luajtën një rol të rëndësishëm si në përpunimin e programit të lëvizjes kombëtare, ashtu edhe në drejtimin e saj.
- Inteligjencia, e cila vinte jo vetëm nga radhët e borgjezisë, por edhe nga shtresat e tjera të popullsisë, zuri një vend të veçantë për nga roli i saj në lëvizjen kombëtare të periudhës së Rilindjes. Ajo luftoi e punoi për ngritjen dhe zhvillimin e arsimit kombëtar, për përhapjen e tij në popull, për lëvrimin e gjuhës e të kulturës shqiptare në përgjithësi, përpunoi idetë nacionale e ideologjinë e Rilindjes, programin kombëtar dhe mendimin politik shqiptar në të gjitha etapat e Rilindjes. Nga radhët e saj dolën edhe mjaft nga themeluesit e drejtuesit e organizatave kombëtare që udhëhoqën lëvizjen nacionale.Në një vend si Shqipëria, ku bujqësia vijonte të mbetej sektori kryesor i ekonomisë, forcën më të madhe ekonomike e shoqërore e përbënin pronarët çifligarë, të lidhur me pronën mbi tokën, por edhe me ekonominë e tregut. Ndryshe nga pronarët e mëdhenj me origjinë feudale, që përfaqësonin një shtresë konservatore, e cila përgjithësisht mbështeste sundimtarët osmanë, çifligarët, edhe pse nuk kishin një fizionomi shoqërore homogjene, as pikëpamje politike të njëjta, ndjenin domosdoshmërinë e shndërrimeve ekonomike e politike në vend.
Përveç kësaj, çifligarët e rinj ishin të pakënaqur edhe nga paaftësia e Perandorisë Osmane për të mbrojtur tërësinë tokësore të vendit nga rreziku i copëtimit dhe i zhdukjes së shqiptarëve si komb, rrezik që filloi t’u kanosej, sidomos duke filluar nga mesi i shek. XIX. Grupe të veçanta të kësaj force shoqërore u përfshinë në programin kombëtar shqiptar dhe luajtën një rol të dukshëm në lëvizjen nacionale shqiptare në epokën e Rilindjes, kurse mjaft intelektualë, të dalë nga gjiri i kësaj shtrese çifligarësh, përqafuan idetë e reja, u bënë pionierë e ideologë të Rilindjes.Për bashkimin politik të të gjitha forcave shoqërore të kombit, krahas rrezikut të jashtëm, ndikoi edhe një faktor tjetër, me karakter politik dhe ekonomik, siç ishte zbatimi i reformave (i Tanzimatit) në vitet 30-40 të shek. XIX. Tanzimati, krahas ndryshimeve në marrëdhëniet agrare, në administratë dhe në legjislacionin e Perandorisë Osmane, solli për shqiptarët dy rrjedhoja: zëvendësimin e drejtuesve të administratës lokale (që vinin nga paria shqiptare) me funksionarë turq, të cilët u vendosën në krye të administratës civile e ushtarake të Shqipërisë, dhe shtimin e shtypjes ekonomike e kombëtare mbi popullsinë. Të dy këta faktorë e zgjeruan bazën shoqërore të lëvizjes kombëtare.Forcën kryesore njerëzore e luftarake të lëvizjes kombëtare të periudhës së Rilindjes e përbënin, si edhe në lëvizjet e mëparshme çlirimtare, fshatarësia dhe vegjëlia qytetare, të cilat përfaqësonin shumicën dërrmuese të popullsisë. Një vend të veçantë zinin në këtë lëvizje fshatarët pronarë e malësorët, që ishin edhe forca kryesore më e gjerë e lëvizjes kombëtare. Fshatarët pronarë, që përfaqësonin 5/6 e popullsisë agrare, i ndien më tepër se çdo shtresë tjetër pasojat rrënimtare të centralizimit të pushtetit perandorak osman dhe, njëlloj si forcat e tjera shoqërore, rrezikun e pushtimit të tokave të tyre nga shtetet fqinje dhe pasojat e politikës së këtyre shteteve për copëtimin e atdheut. Prandaj ata morën pjesë aktive në luftën kundër sundimtarëve të huaj osmanë, si edhe për mbrojtjen e tërësisë territoriale të vendit.Prej tyre doli edhe pjesa më e madhe e kurbetlinjve, të cilët, duke u kthyer nga vendet e mërgimit, ku kishin qenë në kontakt me idetë e përparuara të kohës, luajtën një rol të rëndësishëm në formimin më të shpejtë politik të bashkatdhetarëve, si nëpërmjet shoqërive të shtypit patriotik të mërgimit, ashtu edhe me qëndrimet e tyre të herëpashershme në atdhe. Me fshatarët bashkoheshin zejtarët e tregtarët e vegjël të qyteteve, që ishin të afërt nga gjendja ekonomike me ta.Lëvizja kombëtare, me objektivat e saj themelorë, me luftën për çlirimin e Shqipërisë nga robëria e huaj dhe për ruajtjen e tërësisë së territoreve të saj, ishte një front i gjerë, i cili bashkoi shumicën dërrmuese të forcave shoqërore të vendit. Edhe udhëheqja e lëvizjes kombëtare nuk i takoi një force të vetme shoqërore. Në krye të saj dolën përfaqësues të borgjezisë, të inteligjencies, të çifligarëve (të bejlerëve) me prirje atdhetare, elementë të veçantë të parisë, klerikë atdhetarë, përfaqësues të fshatarësisë etj. Nga radhët e gjithë këtyre forcave dolën një varg i tërë mendimtarësh (që vinin sidomos nga inteligjencia), që u bënë udhëheqës ideologjikë, kulturorë e politikë, ndërsa nga grupet e tjera shoqërore dolën organizatorë dhe drejtues politikë e ushtarakë të lëvizjes kombëtare.
Marrur nga “RILINDJA KOMBËTARE SHQIPTARE DHE
VEÇORITË E SAJ DALLUESE”
Botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
2 replies on “Trojet Shqiptare”
If you have been doing the same routine for 3 months then you may need to shock your muscles to get them to grow priligy pills
can you get cytotec A previous study stated that all isoforms encoded by all EGFR variants could interact with their ligand, namely epidermal growth factor EGF 130