Categories
Histori

20 mars 1554: Ditë e shënuar për shkrimin shqip

Më 20 Mars 1554 – Prifti katolik shqiptar dom Gjon Buzuku nis të shkruajë ‘Mesharin’ e tij, që deri më sot njihet si vepra e parë e këtij lloji dhe njëkohësisht si i pari krijim letërsie i botuar në gjuhën shqipe.

Gjon Buzuku fillon të shkruajë librin “Meshari”, siç cilëson ai vetë në pasthënie pikërisht më 20 mars 1554 dhe e përfundoi më 5 janar 1555. Në këtë vit duket se ka përfunduar edhe shtypja e librit.

Nga pasthënia e librit

“E u’ maa due tëh enbaronj vepërënë teme, Tinë Zot tueh përqyem. Endëh vjetët MDLIV njëhzet dit endëh mars zuna enfiill e enbarova endëh vjetët MDLV, endëh kallënduor V dit. E seh për fat nëh keshë kun enbëh endonjë vend fëjyem(16), u duoh tuk të jetëh fajtëh, aih qi tëh jetë maa hi ditëshim seh u’, atah fajh e lus tah trajtonjëh(17) endë e mirë. Përseh nukë çuditëm seh në paça fëjyem, këjo tueh klenëh maa e para vepërë e fort e fështirëh për tëh vepëruom enbëh gluhët tanëh. Përseh mund mund e qëllonjinë(18), se fajh të mos banjinë; përseh përherë ëndajh tah nukë mundëh jeshëh u’ tueh enbajtunëh njëh klishëh enbëh të dyy anët mëh duhë meh shërbyem. E tash u jam enfalëh gjithëveh, e lutëni Tinëh Zonëh endeh për muoh.”

Në vitin 1554 më njëzet mars e fillova dhe e mbarova në vitin 1555, në janar 5 ditë. E në se, për fat, do të kem gabuar kund më ndonjë vend, unë dua, ku të jetë gabimi, ai që të jetë më i ditur se unë, atë gabim e lus ta ndreqë. Sepse nuk çuditem në paça gabuar, duke qenë kjo vepër e parë e fort e vështirë për t’u punuar në gjuhën tonë”,- shkruan Buzuku.

Shënim

“Pasthënia …” është nxjerrë nga fotokopja e origjinalit,që ruhet në Bibliotekën Kombëtare, Tiranë. Origjinali gjindet në bibliotekën e Vatikanit, Romë, me këtë shënim katalogu: R.G. Liturgia III, 194.
Kjo pasthënie është i vetmi dokument (deri me tani) që na udhëzon se kush qe autori i librit dhe kur u përkthye e u botua ky libër.

Profesor Emil Lafe, redaktor i përgjithshëm i “Fjalorit enciklopedik shqiptar” (FESH, 3 Vëllime, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, 2008-2009), shkruan:

“Ka një radhë shenjash e rrethanash që të shtyjnë të supozosh se Buzuku, kur u ul në tryezën e punës më 20 mars 1554, nuk e filloi duke shpikur ai vetë alfabetin që do të përdorte e duke stërvitur dorën për të shkruar shqip, po duke vënë në zbatim ato shprehi që tashmë i kishte fituar nga mjedisi e i kishte zhvilluar vetë. Tregues gjuhësorë dhe historiko-kulturorë flasin në të mirë të kësaj hipoteze.

Kështu, E. Çabej, studiuesi më i thelluar i Buzukut, shprehet se: “kush ka lexuar këtë tekst disa herë me radhë, besojmë se do të ketë përshtypjen që gjuha e përdorur në të nuk është një arë fare e papunuar më parë.”

Ai bashkohet me tezën e arbëreshit Gaetano Petrotta se në Shqipëri do të ketë pasur para sh. XVI një traditë ortografike dhe mbase edhe një gjuhë të përbashkët, së paku në shkrimet e përdorimit praktik.

Edhe duke e shikuar këtë çështje nga ana e historisë së vendit, me një vështrim të gjithanshëm të gjendjes kulturore në Shqipërinë mesjetare, – shton Çabej, – teza e Petrottës do të dilte më fort e përforcuar sesa e kundërshtuar, sepse shkalla e kulturës së popullit shqiptar në atë kohë nuk ka qenë ndryshe nga ajo e vendeve përreth, sidomos e atyre të brigjeve të Adriatikut.”/shqip.info

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *