Categories
Aktualitet

Shtegëtimi, tradita shekullore e blegtorëve të jugut

Rituali i harruar i një jete nomade, në kërkim të kullotave të pasura për bagëtitë, është ndoshta mes traditave më të rralla në Ballkan që ende vijon të mbahet në jug të vendit.

Përgatitja për shtegëtimin, sipas 86-vjeçarit Memo Koko që vjen nga një familje shekullore blegtorësh, është gati një festë që nis me përzgjedhjen e zileve dhe këmborëve. Ai kujton se, 3 këmborë 150-vjeçare që prijnë kopenë me 1.500 krerë i ka mbajtur kopeja e gjyshit, pastaj ajo e babait, më tej kopeja e kooperativës ku vet ai ishte bari, e tani kopeja e djemve.

I biri, Pëllumbi thotë se me vitet, shumë gjëra kanë ndryshuar, por shtegëtimi bart shumë traditë brenda. Ai pranon se tani, mali nuk i takon si dikur vetëm barinjve, por edhe vizitorëve nga e gjithë bota, që janë kuriozë të njohin ritet pastorale shqiptare.

Shtegëtimi, i gërshetuar me melodinë e orkestrës së zileve e këmborëve, fyejt, karvanin e mushkave që transportojnë pajisjet e stanit dhe qentë, është me interes edhe për udhëtarët e vizitorët shqiptarë.

Shtegëtimi nga zonat e bregdetit drejt maleve të Lunxhërisë, Dhëmbelit e Gramozit, është një ritual që zgjat më shumë se një javë, e ndoshta mes dëshmive të fundit të traditës së mbarështimit të bagëtive, së fundi edhe me interes turistik.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *