Ardian Mema mund të marrë frymë lirisht, të paktën për momentin. Në vigjilje të sfidës e cila pritet të përcaktoj fatin e tyre në elitën e futbollit shqiptar, tekniku bardheblu rigjen dy titullarë shumë të rëndësishëm. Dorian Kërçiku dhe Albi Doka i janë bashkuar pjesës tjetër të skuadrës duke u stërvitur plotësisht për 90 minuta. Të dy lojtarët, shumë të rëndësishëm për skemat e trajnerit Mema, i japin dhe më shumë besim se nga transferta kundër Laçit mund të dalin të pamposhtur.
Në kushtet kur infermieria ishte plotë, rikthimi i Dokës dhe Kërçikut qetësojnë ambientin bardheblu. Nuk arrin të rikuperojë në kohë për këtë sfidë Grent Halili i cili vijon të ketë probleme në kavilje. Dy mungesa të sigurta janë ato të Asion Dajës dhe Erando Karabecit të cilët kanë mbyllur sezonin. Në portë edhe në këtë takim pritet të jetë Ilion Lika i cili tregoi një nivel të admirueshëm edhe në sfidën e fundit kundër Kastriotit. Sëbashku me Kërçikun, në mbrojtje nga minuta e para pritet të zbresin Imami, Turtulli dhe Hoxhallari. Doka, Maveje, Kobina dhe Greca do të luajnë në mesfushë ndërsa dyshja e sulmit do të formohet nga Edon Hasani dhe Ngoo.