Qytetarët shqiptarë nuk mund të ndalohen për të votuar, pasi kjo do të cenonte perspektivën europiane të Shqipërisë.
Ky ishte qëndrimi i presidentit të Komisionit Europian Jean-Claude Juncker, gjatë deklaratës së përbashkët me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, nga Brukseli, ku theksoi dhe një herë mbështetjen e plotë të Komisionit Europian në rrugën drejt BE-së së vendit tonë.
Juncker ritheksoi gjatë konferencës qëndrimin se zgjedhjet duhet të zhvillohen në datën e përcaktuar.
“Dua të theksoj, edhe pse është një çështje e vështirë, rëndësinë që ka uniteti politik në arritjen e qëllimeve të Shqipërisë. Të gjitha partitë politike në vend duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive në institucionet demokratike. Zgjedhjet janë parashikuar për në fund të qershorit, qytetarët nuk duhet të pengohen të ushtrojnë të drejtat e tyre demokratike”.
I pyetur nga gazetarët lidhur me përpjekjet e Presidentit për t’i anuluar zgjedhjet, Juncker deklaroi se “nuk dua të ndërhyj në këtë debat të brendshëm mes Presidentit dhe qeverisë, por gjithnjë e kam shprehur mendimin tim. Nëse zgjedhjet duhet të zhvillohen, askush s’duhet të pengohet në shprehjen e opinioneve politike dhe demokratike, pra pa ndërhyrë në këtë proces, mendoj se këto zgjedhje duhet të zhvillohen. Nëse nuk zhvillohen do të dëmtonin perspektivën europiane të Shqipërisë”. /j.p/ATSH