Categories
Lajme Opinione

Kur shteti harron themeleuesin e vetë, Ismail Qemal Vlorën

Shqipëria e pas 90’ës dhe historia e saj shekullore kanë qënë nën interesat dhe këmbët e antishqiptarve të politikës. Dhe kjo sdo shumë shëmbuj, mjafton të shohësh monumentin gjigand dhe skandaloz të një tradhëtari dhe vrasësi patriotësh si Ahmet Zogu në mes të Tiranës…

Si sot 99 vjet më parë mbylli sytë në Peruxhia të Italisë, babai i kombit Ismail Qemali. Shteti shqiptar, armata e tij, nga lart poshtë, sot harruan ti kthejnë sytë, kujtesën, respektin dhe vetëdijen drejt një prej figurave më të ndritura që ka lindur në këto anë.

Do ishte e paimagjinueshme që kjo të ndodhte me Qemal Ataturkun në Turqi, De Golin në Francë, Garibaldin në Itali etj etj. Por shtetin shqiptar e ka zënë amoku, amoku i të sipërfaqshmes, i harresës nga vjen ndaj dhe i verbërisë se ku po shkon. Rinia shqiptare tashmë po edukohet me një standart kriminal vlerash, të rinjtë shqiptar si ata papagajt me ngjyra, gati gati dinë pako gjë për historinë e kombit dhe të figurave të tij.

Dhe për të arritur këtë stad barbar, politika dhe mediat si shërbëtorë të tyre, kanë rolin kryesor. Shqipëria e pas 90’ës dhe historia e saj shekullore kanë qënë nën interesat dhe këmbët e antishqiptarve të politikës. Dhe kjo sdo shumë shëmbuj, mjafton të shohësh monumentin gjigand dhe skandaloz të një tradhëtari dhe vrasësi patriotësh si Ahmet Zogu në mes të Tiranës, dhe më pas të shikosh monumentin e vogël dhe të strukur të Ismail Qemalit në një lulishte të dorës se dytë dhe do kuptosh se si ka funksionuar kjo Shqipëri zyrtare këto dekada, kush ka qënë kuti I saj I vlerësimit dhe shqiptarizmës.

Jo më larg se dje ishte dhe dita e vdekjes së një tjetër shqiptari të madh dhe mik i ngushtë i Ismail Qemalit, Isa Boletinit, vrarë nga shovinistët malazezë me përkrahje tradhëtarësh shqiptarë, Por edhe 102 vjetori i tij u harrua. Ismail Qemali, mëncuria, diplomacia, ekuilibri, njohuritë e tij të thella akademike dhe sidomos atdhedashuria e tij, rrallë kanë njohur të dytë që prej 1919’ës. Pavarësisht intrigave si brënda gjakut dhe jashtë tij askush si ai, nuk diti, nuk mundi të realizonte atë që ai bëri për kombin shqiptar.

Po të lexosh me kujdes sidomos kujtimet e Ismail Qemalit dhe rrugëtimin e tij nga 1844 deri ditën që u shpall mëhvetësimi i Shqipërisë do kuptosh që cdo ditë, orë, studim, punë akademike dhe shtetërore pranë perandorisë turke, përkushtim, miqësi, njohje diplomatike dhe shtetërore, gjithëcka, cdo gjë i shërbyen për të vënë në punë një mekanizëm të madh evropian në favor dhe të mirë të njohjes për herë të parë të shtetit shqiptar. Dhe mos harrojmë ish një mekanizëm intrigash konfliktesh, epoke dhe aleancash ku Shqipëria nuk kish asnjë zë në kapitull, vetëm një vizionar, njohës i mirë i politikës dhe politikanëve evropianë mund t’ja dilte.

Të gjykosh dhe interpretosh tani është e lehtë, sidomos politikanët e qylit dhe demagogjisë, dhe shqiptarët që këtë epokë kanë bërë sherr me librin dhe kujtesën kombëtare, tani që Ismail Qemal Vlora ja u la të certifikuar shtetin shqiptar, shtet të cilin disa pasuese të tij e shitën, e tradhëtuan, e vranë dhe përcanë.. kurse këta të tanishmit e harrojnë, edhe kur bëjnë ndonjë kujtesë ose shou, e bëjnë që dritat e prozhektorit të kthehen nga ata, jo nga simbolet e kombit..por harrojnë që sic thoshte Aleks de Tokvil “ historia është si një galeri pikturash, ku ka pak origjinale dhe shumë kopje..”.. dhe dihet kush janë kopjet. Për ti mbyllur këto pak rrjeshta po risjell një pjesë të thirrjes drejtuar shqiptarve të hartuar dhe botuar nga Ismail Qemali në vitin 1900:

“Nuk dëshirojmë turbullira dhe ngatëresa, nuk duam të prishet paqja në mes të kombeve që janë në gadishullin e Ilirisë. Dëshirojmë vetëm dhe kërkojmë me gjithë zemër bashkimin e farës shqiptare, përparimin e saj si në punë të mëndjes si në lumturi të jetës dhe në begati, që të jemi mjaft të fortë për t’u kundërshtuar gjithë që mendojnë të na shtypin neve dhe kombet e tjerë që kemi nevojë të rojnë se jeta e tyre na mban jetën tonë. Për të shkuar përpara në rrugën e qytetërimit e të përparimit, kemi nevojë për dituri dhe për dituri kemi nevojë për mësime. Pra kemi nevojë të ngrehim në gjithë Shqipërinë shkolla kombëtare për të përhapur dhe për t’u lexuar kudo gjuha shqipe. Kjo nevojë shkollash është më e para e reformave që kemi detyrë të kërkojmë.

Kurrë një popull nuk mund të rritet më vehte pa shkolla dhe pa arsim. Shqiptari, populli më i vjetër i gadishullit ilirik nuk mund të shikoj këmbë kryq përmirësimet dhe përparimet e kombeve të tjerë pa u përpjekur edhe ai që të ecë burrërrisht dhe me nder në rrugën e arsimit dhe të qytetërimit. Duhet të jesh i verëbër që të mos marrësh vesh nevojën e shkollave kombëtare, duhet të jesh tradhëtar që të dëshirosh të ndalësh mësimin e gjuhës shqipe. Ata që duan të ecin duke jetuar në terrin e pa diturisë, pa gjuhë dhe pa komb më vehte, dëshirojnë t’i përgatisin Shqipërisë një vdekje të turpshme.

Nuk kemi dyshim se Shqipëtarët që nëpër aq rreziqe dhe mundime e kanë mbajtur trimërisht emrin e tyre për qindra e qindra vjet nuk do të humbin kohë, për të marrë në dorë armën e arsimit kombëtar, armë e fortë e cila vetëm mund t’ua shpëtojë jetën dhe ti ndihmojë që t’i bëjnë ballë kujdo që dëshiron tju grabisë kombësinë e tyre. Nuk duhet të dëgjojmë qeverinë turke në qoftë se ajo përpiqet dhe në qoftë se ajo mundohet të na pengojë dhe të na mbajë hovin… Ismail Qemali Thirrje drejtuar shqiptarëve Botuar në Bruksel, në Revistën e Faik Konicës “Albania”, Tetor 1900

Nga Brizida Gjikondi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *