Nga veriu në jug, ekipi i National Geographic Open Explorer provon ushqimin, natyrën dhe mikëpritjen shqiptare, duke vizituar fermat, bujtinat dhe kantinat e ndryshme, në kërkim të personazheve dhe vendeve inspiruese.
A është turizmi shqiptar gati për të qenë i qendrushëm? A ka një të ardhme të afërt turizmi që synon të mbrojë ambjentin, të shpërndajë të ardhurat në mënyrë më direkte te individët, e të lejë një impakt pozitiv në tërësi për shoqërinë dhe planetin?
Një ekip ndërkombëtar prej tre krijuesish vizual morën përsipër t’i përgjigjeshin këtyre pyetjeve, përmes një udhëtimi disa ditor në Shqipëri, që u publikua në kohë reale dhe tek platforma online e National Geographic Open Explorer.
National Geographic Open Explorer është një platformë që i bashkangjitet adresës zyrtare të Nat Geo-s, duke i mundësuar eskploruesve nga e gjithë bota të ndajnë më shpejtë e më direkt eksperiencat e tyre me audiencën globale të National Geographic.
Ekipi që do të flasë për turizmin e qëndrueshëm në Shqipëri përbëhet nga Kristina Anxhels, Huan Karlos Rodarte dhe Erika Gilsdorf, të cilët kanë vite të tëra eksperience prodhimi kontenti vizual.
Ata përfituan që të lançonin në Shqipëri dhe projektin paralel të tyrin Stepitup.world, ku do të publikohen rrëfenja personale të jashtëzakonshme nga e gjithë bota.
Bujtina e Dallëndyshe dhe Petrit Merjos, Nivicë, Tepelenë
Ndalesa e parë e ekipit të krijuesve vizual bëhet në Nivicë të Tepelenës, tek bujtina e Dallëndyshe dhe Petrit Merjos. Pasi e braktisën fshatin në fillim të viteve ’90, çifti u kthye në vitin 2017 për të përshtatur shtëpinë e tyre të vjetër në një bed & breakfast. I gjithë fshati është në pararojë të turizmit të qëndrueshëm në Shqipëri, me projekte të cilat synojnë të kthejnë vëmendjen e turistëve te respekti për natyrën dhe jetën e fshatit.
Një nga pjesëtarët e ekipit të huaj, meksikania Kristina Anxhels, na rrëfen se si Nivica i sjell reminishencat e gjyshes së saj në Meksikë, e cila jetonte e punonte në të njëjtat kushte ashtu si dhe njerëzit e këtij fshati.
E mahnitur nga bukuria dhe njëherësh natyra e egër dhe e paprekur e vendit, Anxhels na thotë se do të donte të rikthehej sërish këtu pas disa vitesh, për të parë se si ja kanë dalë në këtë fshat të ruajnë autenticitetin e tyre, tek sa ja ofrojnë atë botës.
Vaji i ullirit “Subashi”, Marikaj, Tiranë
Pas ndalesës në jug, ekipi zhvendoset në qendër të Shqipërisë, ku viziton firmën e përpunimit të vajit të ullirit ekstra të virgjër “Subashi”.
Kjo firmë që administrohet nga Silvana Subashi, është një nga historitë më të njohura të suksesit të biznesit shqiptar, duke bërë që vaji i ullirit “Subashi” të jetë një brand që shkon përtej kufijve të vendit.
Pemët 2000 vjeçare të ullirit këtu jo vetëm që janë nga më të vjetrat në Evropë, por i japin dhe një prekje përjetësie këtij vendi, duke e bërë të jetë shumë më tepër se sa thjesht një firmë për prodhimin e vajit të ullirit.
Mrizi i Zanave, Fishtë, Lezhë
Agroturizëm quhen të gjitha ato aktivitete që lindin kur një udhëtim turistik ndërthuret me shërbime të caktuara bujqësore apo kur përfshin eksperiencën e fshatit.
Një prej realiteteve më të suksesshme është pa diskutim Mrizi i Zanave, i njohur edhe përtej Shqipërisë për kuzhinën fantastike tipike shqiptare, që vjen me një prekje moderne nga shefi Altin Prenga.
Që prej hapjes së këtij agroturizmi, duket sikur i gjithë fshati i Fishtës në Zadrimë është në shërbim të restorantit, për ta furnizuar atë me të gjitha produktet e freskëta bio të nevojshme.
Agroturizmi “Devin”, Qerret, Pukë
Largohemi nga Lezha, dhe i drejtohemi Pukës, ku në fshatin Qerret agroturizmi “Devin” është një fermë tipike familjare që tashmë pret dhe turistë.
Që nga turet përreth fermës, tek kalërimi, qëndisja dhe vjelja e fruta-perimeve, aktivitetet që mund të ndiqen këtu nga pushuesit janë të shumta.
Mbi të gjitha, këtu mund të bëhesh pjesë e jetës familjare të Marie Shkjaut e bashkëshortit të saj, dhe 5 vajzave të tyre, të cilat kontribuojnë gjithashtu në punët dhe atmosferën unike të agroturizmit.
Agroturizmi i Anete dhe Dioniz Markut, Ganjollë, Guri i Zi, Shkodër
Një tjetër ndalesë bëhet në agroturizmin e Anete dhe Dioniz Markut, në fshatin Ganjollë të Gurit të Zi, Shkodër.
Pasi emigruan në Siçili e u njohën me disa modele të suksesshme të agroturizmit, çifti vendosi të rikthehet në Shqipëri, dhe të aplikojë njohuritë e marra në praktikë.
Tani ata kanë një agroturizëm ku mikpritja është kthyer në art më vete.
Një nga elementët bashkues të bujtinat e vizituara deri më tani, është bujaria e familjeve të cilat e bëjnë qëndrimin në këto fshatra një mundësi për të patur kontakt me vet banorët e zonës, me traditat, zakonat, sjelljen e tyre.
Të gjitha bujtinat kanë përvetësuar modelin e ‘mëso duke u praktikuar’, që afron turistët me jetën e fshatit, dhe proceset e ndryshme që ndodhin aty.
Rruga e Mullirit, Reç, Malësi e Madhe
E njëjta mikëpritje e ngrohtë na jepet dhe tek agroturizmi “Rruga e Mullirit”, i pozicionuar rrëzë Pyllit të Gështenjave në Reç të Malësisë së Madhe.
Mirash Markaj, i zoti i shtëpisë, na ndihmon të mbledhim gështenja, pasi jemi në kulmin e sezonit, tek sa zonja e tij, Zina, nis e gatuan bukën e misrit me misër të mbledhur në oborr.
Edhe këtu të duket sikur nuk është fare e nevojshme të dalësh ndonjëherë për pazar, pasi të gjitha produktet e nevojshme bio mund t’i gjesh jashtë oborrit të bujtinës.
Koplik Winery in Koplik
Rivihemi në lëvizje, por mbetemi afër Reçit, ku 15 minuta larg ndodhet “Kantina Kopliku”, në Koplik.
Shaqir dhe Afërdita Hysa na mirëpresin buzagaz, dhe pak para se të nisë perëndimi, na ngjisin tek kati i dytë i kantinës, ku mund të shijohet një gorë verë kallmeti e prodhuar aty, me pamjet vërtet sugjestive të vreshtave të rrushit dhe liqenit të Shkodrës.
Pak më vonë nisim dhe ne procesin e vjeljes së rrushit, pasi jemi ende në kohë.
Agroturizëm “Shega”, Muriqan
Ndalesa e fundit bëhet tek agroturizëm “Shega”, në Muriqan. Ferma e Ahmetit ngjan vërtet një kopësht i Edenit, ku duket sikur mund të gjesh gjithçka që mëma natyrë mund të prodhojë.
Familja Sylejmani na mirëpret me lëngun e shegës më të mirë që kemi provuar ndonjëherë, si për të na thënë se jo më kot i kanë vendosur atë emër fermës së tyre.
Nuk duhet të presim shumë, që të vihemi vetë në kërkim të shegëve më të mëdha të kopështit, për t’i këputur e mbledhur, apo dhe frutave të tjera e perimeve sipas dëshirës.
Disa konkluzione
Agroturizëm Shega përkon dhe me fundin e udhëtimit të ekipit të krijuesve vizualë, të cilët më pas do të vizitojnë Malin e Zi.
Producentja e ekipit, Erika Gildsorf, na thotë se i gjithë udhëtimi ishte një e papritur e madhe, dhe se ndihej shumë krenare që po e rrëfente atë për të tjerët.
Ajo që e preku më tepër, ishte “pasioni i plot njerëzve në Shqipëri për të mbrojtur natyrën e për të qëndruar autentik.”
Kjo na konfirmohet dhe nga Kristina dhe Huan Karlos, të cilët gjithashtu ishin entuziast për të gjithë eksperiencën e kaluar në vendin tonë, të cilin e konsiderojnë tashmë gati si një shtëpi të dytë.
Nga një vend për të cilin nuk dinin thuajse asgjë, Shqipëria rezultoi të ishte për ta shumë më tepër se sa stereotipet e hasura tek tuk nëpër media apo të dëgjuara nga njerëzit.
Natyra e egër, historitë e bujtinave të ndërtuara me mund e vizion për të ardhmen, si dhe ngrohtësia me të cilën ju hap çdo derë ku trokitën, ishin për ta një burim frymëzimi dhe emocionesh të forta, të cilat u përcollën live në National Geographic Open Explorer, e që do të përcillen përmes kanaleve të shumta të rrjeteve sociale edhe në javët në vazhdim./IntoAlbania.com