Ambasada Amerikane në Tiranë ka reaguar në lidhje me draftin paraprak të Komisionit të Venecias për sa i përket emërimeve në Gjykatën Kushtetuese.
SHBA bën thirrje që të respektohet edhe konfidencialiteti që është kërkuar nga Komisioni, deri në një moment kur do të finalizohet i plotë. SHBA mirëpret vendimin e qeverisë për të mos ndërmarrë veprime të mëtejshme lidhur me legjislacionin përkatës derisa opinioni të finalizohet.
“Nxisim të gjitha palët që të respektojnë procesin e Komisionit të Venecias, përfshi kërkesën për konfidencialitet të projekt-opinionit deri sa të finalizohet. Mirëpresim vendimin e qeverisë për të mos ndërmarrë veprime të mëtejshme lidhur me legjislacionin përkatës derisa opinioni të finalizohet. Po ashtu mirëpresim deklaratën e bërë nga Presidenti Meta gjatë konferencës së tij për shtyp me Presidentin e Bullgarisë, duke afirmuar rëndësinë e një vendimi pozitiv nga BE për të hapur negociatat drejt anëtarësimit për Shqipërinë. Duhet të qëndrojmë të përqendruar tek ajo që ka më shumë rëndësi – sundimi i ligjit dhe e ardhmja e Shqipërisë në Evropë.” shkruan Ambasada e SHBA në Tiranë.
Reagimi i SHBA për projekt – opinionin e Vencias erdhi pas disa pasazheve të shkurtra të publikuara në media në lidhje me veprimet e bëra nga presidenti Meta për emërimin e anëtarëve në gjykatën Kushtetuese.
Më parë në lidhje me këtë projekt-opinion reagoi edhe Taulant Balla i cili tha se mazhoranca ka vendosur që të mos reagojë dhe të mos marrë në shqyrtim dekretin e Metës për betimin e gjyqtarëve të Kushtetueses.