“Më duhet pak kohë për të njohur skuadrën dhe si punohet në Federatë”. Kjo ishte një nga deklaratat e Edi Reja gjatë prezantimit si trajner i kombëtares së Shqipërisë.
Por për ta përshpejtuar këtë proçes tekniku do të ketë ndihmën e një personi që ka luajtur gjatë dhe e njeh shumë mirë përfaqësuesen kuqezi. Përveç Ervin Bulkut, tashmë pjesë e pandarë e stafit teknik, në krah të Edi Reja do të jetë edhe Hamdi Salihi.
Ish-sulmuesi u tërhoq nga futbolli vetëm pak javë më parë, duke njoftuar nisjen e një aventure të re. Burime të “Balkanëeb” pranë Federatës Shqiptare të Futbollit bëjnë të ditur se shkodrani do të jetë pjesë e stafit të trajnerit të ri në kombëtaren e Shqipërisë. Hamdi Salihi pati një takim me teknikun italian menjëherë pas prezantimit të tij zyrtar në pankinën kuqezi, ndërsa edhe gjatë paradites të së enjtes, të dy ata janë parë bashkë.