Sezoni i folezimit të pelikanit kaçurrel (Pelecanus crispus) në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta po përfundon. Kolonia regjistroi në vitin 2020, plot 85 çifte, shifra më e lartë në këto 40 vitet e fundit.
Kolonia është e ndarë në tri nënkoloni të vogla, dhe po prodhon rreth 65 të vegjël të aftë për të fluturuar.
AOS Albania njofton se monitorimi po tregon se numri i çifteve varet fortësisht nga disa faktorë: hapësira për riprodhim krijuar nga përpjekjet e përbashkëta të Administratës së Parkut, AOS dhe përfaqësues të Noe Foundation, ruajtja e kolonisë, kryesisht gjatë natës, për të shmangur shqetësimin me natyrë njerëzore Ndërsa suksesi i riprodhimit ndikohet po ashtu pozitivisht nga masat e mësipërme, ne presim që ai të jetë më i lartë duke lënë hapësira për disa hipoteza të mundshme që rendisin si faktorë kufizues grabitqaritetin dhe kapacitetet ushqyese.
AOS Albania sqaron se grabitqariteti përflitet shpesh si faktor kufizues por mbetet ende i paprovuar në rastin tonë. Ndërkaq, mungesa e ushqimit është vërtetuar nga studime të mëparshme të kolegëve të huaj si një faktor i rëndësishëm kufizues në ekosistemet lagunore sikurse mund të jetë rasti për Divjakë-Karavastanë.
Në sezonet në vijim, AOS Albania thekson se puna do të fokusohet pikërisht në shqyrtimin e mëtejshëm të këtyre hipotezave gjë që do të na japë mundësinë të kuptojmë se cilat janë kapacitetet e sotme mbajtëse të kolonisë së pelikanit kaçurrel në kompleksin ligatinor Divjakë-Karavasta. Kjo do të ndihmojë në përcaktimin se çfarë masash menaxhuese duhet të ndërmerren në vitet e ardhshme/ ATSH – A. Fortuzi