Edhe pse të dëmtuar nga prerjet e shumta, plazhi i Golemit ruan ende brezin e pishave të buta bregdetare, po tani që plazhi ka nisur me intensitet të plotë del në pah mungesa apo pamjaftueshmëria e infrastrukturës për të përballuar fluksin e automjeteve që vërshojnë drejt zonave turistike, veccanërisht në fundjavë. Në mungesë të parkimeve dhe për të qenë sa më pranë plazhit, automjetet parkohen nën pisha.
Dikur në brezin e rërës, poshtë pishave në plazhin e Golemit, pushuesit e shumtë shfrytëzonin gjelbërimin dhe ajrin e pastër për të konsumuar një vakt dreke a organizuar një piknik me familjen e shoqërinë.
Sot, të gjithë këtë hapësirë e kanë zaptuar automjetet e pushuesve. Ky fakt, ashtu si dhe mungesa e vendparkimeve është kthyer në shqetësim për ta.
Në këto kushte, pushuesit kërkojnë që pushteti vendor të rivlerësojë hapësirat publike dhe përmes planifikimeve efikase urbane të zgjidhë problemin e parkimit dhe t’u kthejë pushuesve hapësirat e zaptuara.