Categories
Histori Të gjitha

Heronjtë e antikitetit në gojën e një malësori

Pregaditi Zylyftar Hoxha

Para shatë vjetësh në një nga sallat e Hotel “Tirana” u promovua libri i Rose Wilder Lane,  “Zonja Lane për Shqipërinë”, me titullin “Majat e Shalës” në origjinal, të përkthyer nga një vajzë e re shqiptare me banim në Amerikë, me emrin Dorina Molla.

Për përkthimin e këtij libri ajo ka marrë edhe një certifikatë-leje përkatëse sipas ligjeve amerikane, duke qenë kështu një nga librat më zyrtarë, pasi ky libër është paraqitur në shqip edhe nga dy ose tre përkthyes të tjerë shqiptarë, me pak ndryshim në esencë, si, fjala vjen, një botim në Kosovë nga Ilir Seci, një botim tjetër këto kohët e fundit nga Eleni Laperi, ndoshta edhe ndonjë tjetër.

U mendua fillimisht se një shkrimtare amerikane, shumë e njohur në Amerikë sidomos në letërsinë për fëmijë, ishte “një zbulim”. Por nuk qe ashtu. Mit’hat Frashëri, një nga intelekualët më në zë të kohës, ka shkruar që në vitin 1923 një portret jashtëzakonisht të bukur e të frymëzuar të saj. Po kështu në atë kohë ka shkruar një shkrim të gjatë dhe interesant në “Dielli” për të Harillo Bakalli.

Siç del nga botimet në shqip, Rose Wilder Lane ka bërë shumë për Shqipërinë me veprën dhe aktivitetin e vet. Le të tjerat, vetëm që ajo ka jetuar një kohë të gjatë në Shqipëri, vetëm për atë që i quan  malet dhe njerëzit e saj më të bukurit e dheut, meriton më shumë respekt e mirënjohje nga ne.

Si nis aventura?

Dy shoqet e veta që punonin në Kryqin e Kuq Amerikan në Shkodër e ftojnë t’iu bashkohet atyre në një udhëtim që ato do të bënin në Dukagjin atë vit dhe Rouz me kënaqësi iu bashkohet. Eshtë koha kur mijëra refugjatë lufte të larguar nga viset e tyre nga Plava e Gucia e trojet shqiptare të Malit të Zi janë vendosur në Shkodër dhe aty kanë gjetur njëfarë prehje me ndihmën e Kryqit të Kuq Amerikan, i cili në atë kohe i jepte ndihmat në emër të Komitetit për Mbrojtjen e Kosovës.

Karvanit që do niste këtë udhëtim i bashkohet Rrok Perolli funksionar i qeverisë shqiptare, i cili ishte nga Peja dhe kërkonte të depërtonte në Dukagjin për të parë nga anojnë krerët e Dukagjinit, sepse në pjesën veriore kishte ende forca serbe të cilat donin të merrnin tokat shqiptare.

Si përkthyes marrin Rexh Metën, 12 vjeçar nga Vuthajt, i cili ishte jetim dhe jetonte në Shkodër. Ky qe një ndihmës i vyer dhe një herë ai i shpëton jetën Rose Walder Lane. Përcjellës janë dy malësorë që bëjnë përcjelljen nëpër krahina të cilet jepen vetëm me emra, Qerimi, Marku, duke i dërguar nga një fshat në tjetrin në besë si e lypëë zakoni i atyre viseve.

“Majat e Shalës”, Lane i tregon botës sa fisnikë janë shqiptarët

“Majat e Shalës” është një libër i shkruar me dashuri nga autorja, ai nuk është një libër ekzotik, ku përshkruhen indigjenë, por një libër realist e humanist. Studiuesja nuk ekzaltohet nga prapambetja e shqiptarëve, që do t’i jepte rastin që të shkruante një libër për të çuditur lexuesit në Perëndim, sepse ky ishte një ngushëllim shumë i vogël për të. Ajo përpiqet të hyjë brenda botës së shqiptarit, të tronditet nga ky realitet dhe të përjetojë me dhimbje gjendjen që sheh.

Ky libër ka të dhëna etnografike, historike për mënyrën e të jetuarit edhe të menduarit,  për banesën dhe veshjet tradicionale, për rendin fisnor edhe të drejtën, të vëzhguarit të drejtpërdrejtë gjatë një eksplorimi të jashtëzakonshëm të autores. Këto të dhëna janë të besueshme edhe të vendosura në një kontekst shumë të qartë historik.

Libri i saj për Shqipërinë brenda pak koheve u ribotua tri herë në Angli, Francë dhe Amerikë. Shtypi i kohës, ai amerikan dhe anglez, e percolli veprën me tituj si “Një shkrimtare amerikane thotë se mendja e shqiptarëve kur të zhvillohet do të bëjë çudira”, “Rose W. Lane i tregon botës fisnikërinë e shqipatrëve”, etj.

Me mjeshtëri të madhe, autorja përshkruan ngjarje të ndryshme, historinë dhe prehistorinë e shqiptarëve, jetën, zakonet, virtytet e tyre; adhurohet besa, nderi i femrës, liridashja, trimëria, guximi i shqiptarëve të Shqipërisë së Veriut, bukuria natyrale e tyre etj. Ajo ishte e ndërgjegjshme për një rracë që kushtet natyrore dhe historike e kishin lënë pas, por ajo ndjen simpati për këtë “komb të egër”.

Si qenkan ata të prapambetur, shtron pyetjen ajo, kur mijëra vjet më parë, u kanë vënë krahrorin persëve, grekëve, romakëve, mongolëve, serbëve, turqëve, dhe kanë mbajtur gjuhën dhe zakonet e tyre të hershme.

A e dini se grekët kanë marrë prej shqipëtarvet emrat e perëndive të tyre? A e dini se e ëma e Aleksandrit të Madh qe një grua shqipëtare? A e dini se pashallarët e Turqisë, urdhëronjësit e Misirit, njerëzit e mbëdhenj të Italisë janë Shqipëtarë?…”

Kështu shkrimtarja e madhe, sa më mirë i njeh shqipëtarët, aqë më tepër i do, sa më së afërmi i sheh, aq edhe nderimi i saj për ta i shtohet, duke na dhënë një libër vërtet të rrallë, një etalon dashurie se, siç thotë ajo,  “nese nuk sheh Shqipërinë, humb një nga rastet e rralla në jetë.

Në gji të atyre maleve, atje lart ka qytete parahistorike, legjenda të vjetra, këngë, zakone, për të cilat nuk di askush…”. Me këtë shprehje, Lane mbyll librin, por jo rrugën për në Shqipëri.


Rose Wilder Lane

Kush ishte Rose Wilder Lane

Rose Wilder Lane u lind me 5 dhjetor 1886 në Dakota të SHBA. Edhe nëna e saj ishte shkrimtare e njohur. Që nga viti 1915 bëhet një emër i njohur në publicitikë. Në këtë kohë boton edhe librin e parë.

Pas Luftës së Parë Botërore Lane bëhet reportere e Kryqit të Kuq Amerikan. Nis udhëtimet nëpër Evropë, shkon edhe në Rusi. Ky duket se ishte edhe takimi i saj i parë me banorët dhe natyrën e këtyre trojeve. “Kalifornia, Mizuri dhe Ballkani janë vendet e mia”, do të thoshte ajo më pas.

Në gjithë ata vende të Evropës ku ajo shkon, Shqipëria bëhet shumë shpejt vendi i saj i preferuar, nga udhëtimi i parë atje frymëzohet dhe shkruan librin “Majat e Shalës”. Në vitin 1924 vjen përsëri në Shqipëri bashkë me një miken e vet dhe bën një sërë udhëtimesh nëpër Ballkan, të cilat janë botuar si shënime udhëtimi në “Udhëtimi me Zenobinë”, “Zenobia” ishte emri artistik i një makine “Ford” me të cilën shetit nëpër Ballkan dhe më së shumti në Shqipëri.

Pas katër viteve, në vitin 1928 kthehet përsëri në SHBA, ku jeton me prindërit dhe merret me letërsi për fëmijë.  Roze më 1933 boton “Lëreni Uruguanin të shungullojë”, në 1938 boton “Tokë e lirë” si dhe “Qyteti im i vjetër”. Më 1939 shkon në New York ku boton “Më jepni Lirinë” dhe pas një viti vendoset në Danbury, Connecticut, ku fillon një jetë aktive politike, rezultat i së cilës është vepra “Zbulimi i lirisë”, që u botua në vitin 1945.

Pas vitit 1957 bën një sërë udhëtimesh në Lindje të Mesme dhe atë të Largët duke shkruar rreth udhëtimeve në këto vende. Në një libër të titulluar “Islami dhe zbulimi i lirisë’ shkruan mbi fenë islame. Në vitin 1965 shkon në Vietnam si reportere lufte, shkruan që andej dhe planifikon edhe një udhëtim  tjetër nëpër Evropë, por nuk e realizon dot, pasi më 30 tetor 1968 vdes.

Malsorë Shqiptar!

Heronjtë e antikitetit në gojën e një malësori

Rrëfimet që i kanë bërë më tepër përshtypje Rose Wilder Lane i ka futur të plota në vepër, kështu shpjegimin që i bën një malësor plak origjinës së fiseve në Europë e jep në detaje sesi para se të bëheshin detrat, fiset ishin vetëm në Ballkan dhe në Veri të vendit dhe pastaj u bënë detrat e njerëzit u shpërndanë.

Malësori i Matit shpjegon origjinën e Aleksandrit të Madh, i cili, sipas tij, ishte nga Imadhia (Mati) dhe pasi u rrit shkoi në Maqedoni, e cila ishte shqiptare po ashtu, malësori plak i rendit edhe breznitë e Aleksandrit, brezat e tij: Karana, Cenua, Trimi, Perdika, Argua, Filipi, Ajeropi, i cili u bë edhe mbreti i parë i Maqedonisë dhe kishte pastaj këta pinjollë: Alqeti, Leka, Arminti, Perdika i Dytë, Arqelloja, Oresti, Arqelloja i Dytë, Arminti i Dytë, Leka i Dytë, Perdika i Tretë, Arminti i Katërt, Filipi i Dytë dhe Leka i Madh i biri i Filipit, i cili është ndryshe si e njohin bota Aleksandri i Madh.

“Shqiptarët, racë inteligjente, të bëjnë t’i duash!…

Rose Lane mahnitet nga zgjuarsia natyrale e njerëzve aty, ajo sjell një shembull shumë domethënës në një bisedë me bajraktarin e Shoshit, teksa ajo u tregon malesorëve prej nga ka ardhur dhe mundohet t’iu shpjegojë rrumbullakesinë e botës, se si Lein është nga San Francisko e ka udhëtuar rrotull derisa ka ardhur këtu në Shosh. Aty e ndërpret bajraktari i Shoshit, i cili i thotë: nesë është ashtu, pra nëse bota është e rrumbullakët atëhere ajo duhet të lëvizë shumë shpejt sepse përndryshe ujërat do të derdheshin. Lein shprehet se mbeta e mahnitur me zgjuarsinë natyrale të tij, dhe mendja me shkoi tek fakti se nëse një ditë shqiptarëve do u jepej mundësia, mendja e tyre do çudiste botën!

 “Ahmet Zogu, “Fajkoi i Matit” në zemrën time”

Ndërsa trokiti në zyrën e ministrit te Brendshëm, për t’i kërkuar një lejë për të udhëtuar në malësitë e veriut, Rose Wilder Lane,  u njoh me Ahmet Zogun dhe dhe mbeti e impresionuar nga ai. Në kujtimet e saj ajo shkruan se Zogu nuk qe dakord për lejen për vetë rrethanat historike që po kalonte vendi ato ditë. Ndaj Lane u detyrua të rrijë në Tiranë, ku pati rast të takohej disa herë me Zogun.

Ja si shkruan ajo në librin e saj për një nga këto takime:

Pata intervistuar pa entusiazëm të veçantë çdo anëtar të kabinetit shqiptar, me përjashtim të Ahmetit, fajkoit, prijësit të Matit. Nga ato që dija e kisha dëgjuar prisja të isha mjaft entusiaste nga Ahmet Bej Mati, megjithëse më duhet të pranoj se nuk impresionohesha kollaj si nga burrat e shtetit ashtu edhe nga ushtarakët.

Gjithsej gjashtë shkencëtarë dhe biznesmenë ishin heronjtë e mi. Por pse vallë vetëm pas tre minutash bisede me Ahmet Bej Matin unë i shtova kësaj listës sime të vogël këtë prijës malesh të fiseve gjysmë të zbutura, i cili me siguri nuk dinte asgjë si nga shkenca ashtu dhe nga biznesi modern? Unë u futa në zyrën e Ahmet Beut e përgatitur të shkëmbej format e përpunuara të kortezisë së malit dhe të shoh Ahmetin.  Ai ishte i mprehtë, depërtues, energjik, kontrollonte mjaft mirë veten e tij dhe imponues.

Kjo ishte përshtypja e parë. Përshtypja e dytë ishte se ai ishte burri i veshur më mirë, në një këndvështrim evropian, që kisha parë ndonjëherë. Ishte veshur si një biznesmen i suksesshëm amerikan, i cili i jepte kartabiankë një rrobaqepësi të mirë dhe nuk interesohej më për veshjen. Ai u ngrit dhe me tha: “Tungjatjeta”. Dhe ndërsa tha këtë, më pa mua ashtu si një shkencëtar shikon në gypin e mikroskopit. Pastaj më ofroi një karrike, u ul dhe shtoi: “A mund të jem në shërbimin tua,j zonjë?” U shokova aq shume sa m’u errësua mendja. Pastaj i thashë se doja të vizitoja Matin dhe Mirditën dhe se kisha ardhur në Ministrinë e Brendeshme për të më ndihmuar për këtë.

Ahmeti me ofroi një cigare dhe ma ndezi atë, ndërsa mendja ime u mobilizua mjaft, pasi pashë se ai kërkonte kohë për të dhënë  përgjigjen e tij. Sytë tanë u takuan kur e falenderova për cigaren dhe pashë se ai e kishte kuptuar që unë e dija pse ai ishte duke hezituar. Në ato çaste m’u duk vetja idiote dhe u përpoqa të ndërroj temën e bisedimit. Por ai tha: “Tani Shqiperia po kalon një kohë të vështirë, zonjë.

Unë nuk mund t’u them juve nëse mund të shkoni në male apo jo. Nuk mund të diskutoj me ju sot për vështirësitë tona. Pas dhjetë ditesh ato do të mbyllen. Unë do t’u kërkoj të prisni dhjetë ditë, ndoshta më pak, sigurisht jo më shumë se dhjetë ditë.

Pastaj, nëse ju do të vini të më takoni përsëri, ateherë do t’u tregoj gjithçka që deshironi të dini. Nëse është e mundur që ju të shkoni në male, sigurisht do të shkoni si mike e qeverisë shqiptare”. Kështu ai i kishte thëne të gjitha. Më shoqëroi deri tek dera, duke me thënë: “Jetë të gjatë! Paç një udhëtim të mbarë!” dhe e mbajti derën hapur që unë të dilja dhe në të njëjtën kohë të hynte vizitori tjetër.

Dera u mbyll. Ndërsa unë thashë: “Ky është një nga burrat e pakët të mëdhenj që kam takuar”. Gjatë gjithë asaj dite, herë pas here sillja në mendje atë takim dhe mahnitesha. Si kishte arritur aq lart ai burrë duke patur parasysh të kaluarën? Nga bisedimet aluduese, të papërcaktuara dhe të ngeshme të maleve, nga dinakëritë e stërholluara të oborrit të Sulltan Abdyl Hamitit? Ku e kishte gjetur atë forcë drejtuese dhe atë mendjemprehtësi? Mendova se ai ishte një gjeni dhe asgjë tjetër. Pastaj vajta me tej duke pyetur: “A është Ahmet Beu një patriot?” Në qoftë se jo, atëhere sigurisht ai ishte një nga burrat më të rrezikshëm në Shqipëri.

Historia e Rexh Metës, “birit” shqiptar të Lane

Në vitin 1921, Rose gjeti në jetimoren e Shkodrës një djalë të vogël 12 vjeç me emrin Rexh Meta, të cilin e birësoi, dhe e mori me vete në udhëtimet e saj në malësi. Ajo  i siguroi burs djalit për në shkollën teknike “Harry Fultz” në Tiranë dhe më pas në Universitetin e Kembrixhit në Angli, në Fakultetin e Financave, ku në vitin 1937 mori doktoraturës në lëmin e ekonomisë financiare. Më 1938-n ai kthehet në Shqipëri dhe fillon punën si drejtor i Drejtorisë së Financave të Shqipërisë.

Dy vjet me pas internohet në Itali, ku qëndron deri më 1943-shin. Në verën e vitit 1943 kthehet në Shqipëri dhe lidhet me eksponentët kosovarë që vepronin në atë kohë në Tiranë si Ismet Boletinin, Xhafer Devën, Shaban Polluzhën, Rexhep Mitrovicë e të tjerë. Menjëherë pas Luftës, Rexh Meta arrestohet nga pushteti komunist në Shqipëri dhe dënohet me vdekje.

Rose Wilder Lane e mëson këtë lajm dhe ndërhyn deri te Presidenti i SHBA që atij t’i falet jeta. Pas ndërhyrjes te Enver Hoxha dënimi i tij shndërrohet me 27 vjet burg. Ai e kreu dënimin në qelitë e Burgut të Burrelit, ndërsa familja u internua. Rexh Meta vdiq në vitin 1985. Trupi i tij u varros në Shkodër.

Korrespondencë e Mit’hat Frashërit me zonjën Lane

Mit’hat Frashëri, mik i zonjës Lane, veç që ka një korespondencë të pasur me të, ka botuar që në vitin 1924 shënimet me titull “Duke kënduar një librë”, ku shkruan se ai ka biseduar vetë me këtë grua dhe ka parë me një çudi të kandshme sinqeritetin e ndjenjavet të saj për vendin tonë.

“Dëshira e ime, më thoshte zonja Lane, është që të vete të rronj në Shqipëri, të punoj për të, të shuguronj aktivitetin dhe zëmrën t’ime për këtë vënd…” Edhe dy vjet më parë, në Paris, zonjusha Mosley Williams, një engleze që padyshim gjith Tirana e mban fort mirë ment, më thoshte: “Mbase ke të drejtë, jam e marrë. Po të jesh sigur se ay që e sheh një herë Shqipërinë, më s’e harron dot, dhe është e pamundurë që të mos e dojë” – shkruan Mit’hati.

Më tej ai shkruan se si Mbreti Zog u marros pas vajzës së huaj, dhe sipas zakonit shqiptar ai u dërgoi një letër prindërve të saj ku kërkonte të fejohej me të. Askush nuk e di se pse nuk përfundoi pozitivisht kjo aventurë rinore, por një gjë është e saktë, se edhe Lane në portretizimet e saj të figurës së Zogut, nuk e fsheh simpatinë që ndjen për këtë njeri, që ajo e quan “Fajkoi i Matit”, shkruan Mit’hat Frashëri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *