Nga Nëntor Oseku
Një vit më parë bëra kamping disaditor në kanionin e Holtës. Gjatë këtij kampingu qemë mahnitur me bukuritë e kësaj perle të Shqipërisë së Mesme. Fotot e këtyre ditëve të publikuara në medie, ku shihet betonizimi për ngritjen e hidrocentraleve, na dëshpëroi pa masë.
I indinjuar thellë për shkatërrimin e këtij monumenti të mbrojtur natyror, që do të ndikonte negativisht në turizmin shqiptar, ftoj miqtë dhe adhuruesit e shumtë të natyrës që masivisht ta nënshkruajnë peticionin, përkatësisht të marrin pjesë në protestën e organizuar nga aktivistët atdhetarë dhe shoqata “Zagoria”, e paraparë të mbahet në Sheshin Skenderbej në Tiranë, të premten, me datën 25.01.2019, duke filluar nga ora 11:00.
Të veçantë kanionin e bëjnë burimet e shumta termale, me ngjyrë të kaltër, të kristaltë. Shpellat e shumta karakteristike nga dy anët e këtyre shpateve mbuluar dhe me zona pyjore me drunj pishe panje e bredhi, me botë të pasur flore dhe faune, e bëjnë akoma më atraktiv këtë kanion. Kanioni i Holtës paraqet interes për ngjitje malore, për adhurues të kampingut si dhe për grupe kacavarësish nëpër shkëmbinj. Kanioni i lumit të Holtës është 1.30 min. larg Tiranës.