More

    Kishat e Skënderbeut, Aleksandër Meksi zbulon 17 vendndodhje

    Studiuesi Aleksandër Meksi referoi temën “Peshkopata arbaneze, Gjon Kastrioti dhe grindja për kufij përmes peshkopatave të Lezhës për përkatësinë e kishave” në konferencën shkencore për Vitin Mbarëkombëtar të Skënderbeut. Meksi sjell fakte të reja, të zbuluara nga arkivi sekret i Venedikut
    Anila dedaj 

    “Peshkopata arbaneze, Gjon Kastrioti dhe grindja për kufij përmes peshkopatave të Lezhës për përkatësinë e kishave” ishte tema që referoi dje studiuesi Aleksandër Meksi në konferencën shkencore, që u mbajt në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriot Skënderbeut.

    Meksi referimin e nisi duke sjell në kujtesë letrën e shkruar nga Gjon Kastrioti, ati i heroit tonë kombëtar Skënderbeut, i cili shkruan se “12 kisha që janë në territoret e tij i përkasin peshkopatës arbaneze prej 800 vitesh, prandaj duhet të ndërhyhet për të shmangur grindjet edhe trazirat ndër popujt e atyre viseve nga kjo padrejtësi”. Sipas Meksit, vjetërsia e peshkopatës dhe përmendja e 12 kishave kanë qenë subjekte në studime të veçanta. Por, hapësira gjeografike se ku shtriheshin këto 12 kisha zë vend kryesor në studimin e tij.

    Dallimi më i rëndësishëm nga çfarë dihej deri më sot, janë zbuluar 17 kisha në 16 fshatra. Por ku ndodhen ato 17 kisha të 16 fshatrave, për të cilat deri më sot kemi pasur vetëm hamendësime?  “Shumica e atyre kishave ndodhet edhe sot në të njëjtët fshatrat me të njëjtin emër, që i gjejmë në listën e letrës. Në Balldren kemi kishën e Shëna Prendës, të datuar. Në Blinisht nuk gjejmë një kishë të Shën Kollit, por vetëm në Kakariq. E treta në listë duhet të jetë kisha e  Shelbumit (Akrolisi), mali formë maje, (në Lindje të Lezhës), nga e cila mendohet se ruhet më shumë emri sesa gjurmë të rrënojave, në Mërqin është Kisha e Shëngjinit, në Kallmet kemi edhe sot kishën e Shën Eufemisë, në Vel ndodhet edhe Shëna Prenda dhe kisha e Shelbumit, në Rasfik ndodhet kisha e Shën Gjergjit, në grykë Manati ndodhet kisha e Shën Vlashit dhe emri Solomon. Vendodhjen e fshatit Span nuk kemi mundur ta gjejmë. Në ato zona në shpinë të Lezhës është vetëm një kishë me pajtor Shën Dhimitrin, në fshatin Dardhë. Mbi fshatin Spiten ndodhet sot kisha e Shën Lezhit të Bokjanit. Në Zjemen ndodhet Kisha e Shën Kollit, në Pllanë kisha e Shën Barbullës, në Rei kisha e Shëna Prendës, në Reja e Zezë nuk njihet kisha e Shën Mërisë, në Kashnjet ndodhet Kisha e Shën Mëhillit. Këto 17 kisha në 16 fshatra janë të gjitha në Lindje të qytetit të Lezhës, ndonjë prej tyre si Kashnjeti edhe në Malësi edhe mbi lumin e Matit, domethënë në Veri të tij”.

    Në tjetër dilemë është se përse Gjon Kastrioti i quajti këto kisha pjesë e territorit të tij. “Mesa duket ato troje dikur të principatës së Arbërit, ndërkohë sundoheshin nga shumë feudalë të vegjël, ndërkohë që ne mendojmë se duhet të kenë qenë krerët e piskopatës, ata që i kanë kërkuar ndihmë Gjon Kastriotit jo shumë të bindur që mund ta zgjedhin vet këtë problem në favor të tyre, duke shpresuar se marrëdhëniet e mira dhe mbi baza interesa reciprok ndërmjet Kastriotit edhe republikës, që zotëronte  dhe Lezhën, ndërhyrja dhe mbështetja e Gjonit do të ishte e dobishme për to”.

    Ferid Duka: Sundimi osman dhe kisha katolike 

    “Unë, duke qenë se jam marrë disi me historinë e fesë në Shqipëri, veçanërisht për periudhën e pushtimit osman dhe, më rezulton që në lidhje me Kishën e Shën Stefanit, qendra e saj ka qenë fshati Mamel i Elbasanit dhe vendndodhja e peshkopit të kësaj kishe Nikollë Gega, ka qenë një nga eksponentët e kishës në fundin e shekullit XVI dhe në fillimet e shekullit të XVII. Ai është edhe autor i një letrerelacioni dërguar Papa Klemendit tetë për situatën kishtare në Shqipëri. Më rezulton që vendqëndrimi dhe kisha e Shën Stefanit, ka qenë në Mamel të Elbasanit dhe pastaj ka qenë i detyruar për rrethana që u krijuan gjatë sundimit osman të zhvendoset për arsye të caktuara në një fshat të Tiranës. Dua të theksoj gjithashtu se rrethanat që krijoi sundimi osman e detyroi Kishën katolike të rrudhet, të pakësohet numri i besimtarëve, të reduktoheshin kishat. Pati një dinamikë të re në kohën osmane në gjirin e kishës katolike dhe në njësitë administrative të saj”.

    Latest news

    Related news

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here