I pajisur me nivelin më të lartë të diturive për kohën, Naim Frashëri rrugën e tij jetësore në krijimtari e kishte orientuar, në drejtim të hapave të parë, që duhej të merrnin shqiptarët, për ta ribërë Shqipërinë.
Ishte tejet i ndërgjegjshëm se kombi ishte nisur në rrugën vendimtare të rizgjimit dhe ai do të përparonte vetëm nëse arsimohej, nëse në rrugën e tij drejt qytetërimit do të ruante vlerat autentike, si nderin, besën, respektin, mikëpritjen dhe tëra vlerat pozitive dokesore, morale e fetare. I bindur se rruga ishte e gjatë dhe me shumë pengesa, ai do të tretej si qiriri duke bërë dritë për të tjerët. Dhe, në këtë drejtim arriti më shumë se të gjithë bashkëkombësit. Naimi, edhe pse i sëmurë, botën e tij të pasur shpirtërore e emancipoi duke përhapur rreze drite, duke i kënduar gjuhës shqipe, shkollave shqipe, që po hapeshin, dhe në çast po mbylleshin nga Porta si shkolla të rrezikshme, sepse po t’ i shkëputej Shqipëria Turqisë, Stambolli e dinte se çfarë e priste.
Naimi, ishte përfaqësues i vërtetë dhe i denjë i kohës së tij. Njohës i shkëlqyer i gjuhëve dhe u kulturave evropiane dhe atyre të Lindjes, përfaqësues tipik i rrymave iluministe e romantike, fetar tejet tolerant dhe liberal në kuptimin më të mirë të fjalës. Ai i sintetizoi të gjitha këto veçori në unin e tij krijues, duke u bërë rreze drite jo vetëm për kohën e tij. Jo rastësisht, por pas një përvojë të gjatë hulumtuese, shkencore, albanologët dhe krijuesit meritorë të kombit, zgjodhën si bazament për krijimin e gjuhës së njësuar kombëtare, pikërisht gjuhën e Naimit dhe të trevës ku ai u lind dhe u rrit. Dhe, kjo gjuha jonë, e ëmbël, e mirë, e bukur dhe e vlerë, po i përballon me sukses ndeshtrashave dhe thirrjeve të hapura për dezintegrim dhe përçarje kombëtare e gjuhësore të qarqeve pro serbe e progreke, në Prishtinë dhe në Tiranë. Përpjekjet për ta prishur gjuhën letrare nuk po reshtin, por trimëron fakti se në të gjitha shkollat shqipe mësohet sot gjuha e njësuar letrare. Të gjitha tekstet shkollore janë të hartuara në këtë gjuhë, 98 për qind e medieve të shkruara dhe elektronike emetojnë dhe shkruajnë në këtë gjuhë, kudo në trevat shqiptare dhe në diasporë. Në dy përqindëshin e përçudnuar gjendet ndonjë paçavure e shkruar, në “gege dialekat”, apo ndonjë përpjekje e mjerë dhe e gjorë e pseudo-gjuhëtarëve dhe pseudo- intelektualëve që i kanë vënë vetes për qëllim deformimimin e gjuhës së unifikuar të mbarë kombit.
Naim Frashëri u lind më 25 maj 1846 në Frashër të Përmetit dhe vdiq më 20 tetor 1900 në lagjen Erenqoj të Stambollit, ku edhe u varros. Rridhte nga dega e Dakollarëve ose e Dulellarëve e Familjes Frashëri. Eshtrat e tij janë sjellë në Shqipëri në vitin 1937.[1] Ishte poeti më i madh i rilindjes kombëtare shqiptare, atdhetar, mendimtar dhe veprimtar i shquar i arsimit e i kulturës shqiptare. Më 1886 botoi poemën e tij të famshme Bagëti e Bujqësi, dhe në gjuhën greke botoi librin: Dëshira e vërtetë e shqiptarëve (O alithis pothos ton Alvanon). Më vonë katër libra për shkollat: “Vjersha për mësonjtoret e para”, “E këndimit të çunavet këndonjëtoreja”, (në dy vëllime, me poezi, lexime të ndryshme, njohuri të para shkencore humanitare), si dhe një “Histori të përgjithshme”. Më 1888 vijoi me “Dituritë” (ribotuar më 1895 me titullin “Gjithësia”, – shkenca të natyrës). Më 1890 doli përmbledhja e lirikave Lulet e verës, pastaj “Mësimet” (proza patriotike dhe të moralit) dhe Fjala flutarake (vjersha) më 1894, së fundi më 1898 poema e madhe epike Historia e Skënderbeut dhe poema fetare Qerbelaja, etj.
Naim Frashëri u shqua për lirikën e tij patriotike me temë aktuale (vjershat “Gjuha shqipe”, “Korçës” 1887, etj.). Ai i këndoi me pasion të rrallë mallit dhe bukurive të atdheut (“Bagëti e bujqësia”) dhe bëri thirrje të fuqishme për çlirimin e tij (krijime të ndryshme, “Dëshira e vërtetë e shqiptarëve”), si dhe për begatimin e vendit dhe një të ardhme demokratike të tij. Ai i këndoi natyrës, dashurisë (poema “Bukuria”, një ndër kryesoret e tij, 1890), miqësisë, jetës intime (me brengën për të afërmit që bori). Poema “Historia e Skënderbeut”qe një kurorëzim i veprës së tij, “testamenti i tij politik e poetik”, me grishje të hapëta për çlirim nga Turqia është shkruar sipas traditës së madhe barletiane. Në poemat epike ai u ndikua nga historitë e vjershëruara të Lindjes dhe nga bejtexhinjtë frashëriotë, po duke iu kundërvënë këtyre me shqipen e kulluar apo me shkarkimin e dogmës fetare (në “Qerbelaja” dhe në veprat e tjera, që i hartoi për afrimin e elementit besimtar në lëvizjen kombëtare).
U shqua edhe për poezinë meditative në shqipet si dhe poezinë filozofike (vjersha “Perëndia” 1890). Shkroi dhe proza për të vegjlit dhe bëri disa përshtatje mjeshtërore fabulash të La Fontenit. Botëkuptimi i Naimit ishte në thelb panteist e idealist. Me admirimin e madh që kishte për racionalizimin e Dekartit dhe si pasues i shquar i iluministëve francezë Volter, Ruso, etj., me besimin e plotë në shkencat dhe në rolin e tyre revolucionar në shoqëri (pranimi i teorisë Kant-Laplas dhe i darvinizmit, që i propagandoi me guxim të madh për kohën), me demokratizimin e tij dhe antimonarkizmin, besimin në aftësitë e pashtershme të popullit të vet për të qëndruar, për t’u çliruar, për të vajtur përpara me hov, Naim Frashëri u bë një veprimtar revolucionar në tërë fushat, si shkrimtar, njeri i mendimit, njeri politik. E gjithë veprimtaria e tij letrare dhe kulturore ishte e lidhur ngushtë me çlirimin dhe përparimin e vendit, me çlirimin shpirtëror dhe ndriçimin e masave të popullit. Ai kishte besim të plotë në aftësinë e mendjes për të njohur realitetin e për të vënë në shërbim të njeriut njohjen e ligjeve të botës. Kërkonte arsimim për të gjithë, emancipimin e gruas, qeverisjen demokratike, të vendit (një “demokraci prej pleqet”, pra të një ngjyre shqiptare), ngrinte lart vetitë e karakterit të shqiptarëve (besën, trimërinë, bujarinë), traditat kombëtare që nga lashtësia pelazgjike. Bënte thirrje për miqësi me fqinjtë në kushtet e respektit reciprok, shpallte dashurinë në gjithë popujt e racat, ngrihej me forcë kundër Megali Idesë e pansllavizmit, duke admiruar vetitë dhe kulturën e popujve të tjerë (poezinë përparimtare lindore, atë greke, latine, rilindjen evropiane, romantizmin evropian, prej të cilave dhe u ndikua).
Naim Frashëri luajti, përkrah Samiut e pas Kristoforidhit, një rol themelor për shqipen e re letrare, të cilën e shkroi me një pasuri të veçantë fjalori e sidomos frazeologjike, duke u mbështetur kryesisht në gjuhën e popullit, e shkroi të pastër dhe bëri një punë të dukshme për pasurimin e saj, duke e ngritur atë në lartësinë e një gjuhe arti të zhvilluar dhe kulture. Ndikimi i Naim Frashëri, me gjallje të shkrimtarit dhe pas vdekjes, jo vetëm te shkrimtarët shqiptarë të kohës, por edhe të periudhës së mëvonshme, ishte i madh. Pas Çlirimit u vunë në pah dhe u çmuan gjerësisht meritat dhe vlerat e punës dhe të krijimtarisë së tij, përmes studimesh të ndryshme. Ribotimet e veprave të tij janë të shumta; përveç tyre janë bërë edhe disa botime kritike shkencore të veprave të Naimit. Emrin e Naim Frashërit e mbajnë shkolla dhe institucione të ndryshme. Për merita kulturore në Shqipërinë jepet urdhri që mban emrin e poetit kombëtar.
Veprat:
Ëndërrimet, 1885, në gjuhën persiane
Shqipëria (1880, botuar më 1897)
Bagëti e Bujqësi [2], 1886
Dëshira e vërtetë e shqiptarëve (O alithis pothos ton Alvanon)
Vjersha për mësonjtoret e para
E këndimit të çunavet këndonjëtoreja, në dy vëllime, me poezi, lexime të ndryshme, njohuri të para shkencore humanitare.
Histori të përgjithshme
Lulet e verës, 1890
Mësimet, (proza patriotike dhe të moralit)
Fjala fluturake, (vjersha) 1894
Historia e Skënderbeut, (poemë epike) 1898
Qerbelaja (poemë fetare)
Perëndia, 1890.
Fjalët e Qiririt (publikuar për herë të parë në numrin e parë të revistës “Drita”)