Kombëtarja shqiptare ka nisur fazën përgatitore për dy ndeshjet e saj të para të fushatës së kualifikueseve për në Euro 2020, ndaj Turqisë dhe Andorrës, që do të luhen më 22 dhe 25 mars. Trajneri i kuqezinjve, Christian Panucci premtoi ndryshime në skuadër, më shumë në sjelljen e futbollistëve, sesa në mënyrën e lojës.
“Sa i përket sjelljes në fushë do të ndryshojmë diçka, por mënyra e lojës do të mbetet njësoj. Kemi mundur të rikuperojmë disa futbollistë. E sigurtë është që diçka do të ndryshojmë, duke nisur që nga sfida me Turqinë. Mund të luajmë me skemën 4-3-3, pse jo 3-5-2. Jam i kënaqur me grupin e futbollistëve që kam, por çdo gjë varet nga forma e tyre”, tha tekniku italian Panucci.
Për Panuccin është më mirë që të gjithë të jenë më të përulur dhe të mos mendohet më për vitin 2016. Italiani shtoi se Turqia është një ekip i fortë, por ai beson në një fitore të skuadrës së tij.
“Ndeshjet do t’i marrim me radhë. Shoh që këtu dikush ka dalë jashtë realitetit pas Euro 2016. Jemi në grup me Turqinë, Islandën, Francën. Po bëmë mirë do të renditemi të tretët, po bëmë diçka speciale do të dalim të dytët. Por, duhet të jemi të gjithë të përulur. Shoh se viti 2016 i ka bërë keq dikujt. Turqia është një skuadër e fortë dhe me shumë cilësi. Sapo kanë ndryshuar trajner, është ekip më i mirë sesa ne, ndaj dhe që t’i mundim duhet që ne të jemi më të fortë sesa ata. Kam besim te futbollistët e mi, jam pozitiv dhe besoj se jemi në gjendje që të fitojmë ndaj Turqisë”, tha më tej trajneri i Kombëtares shqiptare, Christian Panucci.
Në fund, Panucci foli sërish për zërat e merkatos që e lidhnin me skuadrën e Romës, duke rikonfirmuar se nuk ka qenë në kontakte me drejtuesit e klubit verdhekuq, e se ai është shumë i lumtur në drejtimin e Kombëtares shqiptare./Burimi – Top Channel