Categories
Lajme

Papa, arbëreshëve të Italisë: Ruajini traditat tuaja

Sot, në Sallën e Palit VI, në Vatikan, u takuan me Papën më se 6000 pjesëmarrës në shtegtimin e arbëreshëve të Eparkisë së Ungros. Mirëseardhja e përzemërt e Françeskut.

I gëzuar për këtë pritje, po i drejtoj secilit nga ju mirëseardhjen time të përzemërt. Me rastin gazmor të këtij njëqindvjetori të Kushtetutës Apostolike Catholici fideles, përmes së cilës Papa Benedikti XV themelonte Eparkinë e Ungros, ju erdhët në Romë, me bariun tuaj, Imzot Donato Oliverio, për të dëshmuar para gjithë Kishës Katolike fenë e bashkimin e Bashkësisë suaj të dashur. Ju falënderoj për këtë vizitë e për dëshminë tuaj.

Njëqind vjet më parë, ndërsa bota ishte e copëtuar nga Lufta I Botërore, Paraardhësi im i Nderuar ia vuri mirë veshin historisë, kërkesave tuaja të ligjshme ashtu si dhe udhës suaj të guximshme shpirtërore, karakterizuar nga besnikëria ndaj traditave, pa marrë parasysh vështirësitë e vuajtjet. Papa e kishte shumë për zemër Kishën lindore dhe meditonte: “Çfarë duhet të bëj për t’iu përgjigjur më vendosmërisht nevojave dhe dinjitetit më të përshtatshëm të Kishës universale e Kishave të tjera të veçanta?”. Prandaj dekretoi që të themelohej kanonikisht e menjëherë, dioqeza e ritit grek në tokën e Kalabrisë. (Bula Catholici fideles – Besimtarët katolikë).

Kjo ngjarje e rëndësishme krijon mundësinë për ta falënderuar Zotin për atë që bëri në bashkësinë tuaj shekujt e fundit, me mirësinë e mëshirën e Tij. Prandaj ju ftoj ta jetoni këtë jubile jo aq si pikarritje, por si hov të ri e të gëzueshëm të impenjimit tuaj njerëzor e të udhës suaj të krishterë. Në këtë kuptim, është më e nevojshme se kurrë të thellohet njohja e së kaluarës e të kujtohet me mirënjohje, për të gjetur në të arsyet e shpresës e për të ecur së bashku drejt ardhmërisë që Zoti dëshiron të na e dhurojë.

Ju inkurajoj ta mirëprisni gjithnjë në zemrat tuaja e ndërmjet jush, dashurinë e Zotit, burim e shkak i gëzimit tonë, të merrni pjesë në Sakramentet, të jeni pranë çdo familjeje, t’i kushtoni vëmendje më të varfërve e më nevojtarëve, t’i shoqëroni breznitë e reja në sfidën e madhe edukative, që na përket të gjithëve: janë këto përmasat, në të cilat duhen ruajtur traditat tuaja, ashtu si edhe përkatësia ndaj Krishtit e Kishës së Tij. Jeni të thirrur të jetoni si të kishterë, duke dëshmuar se dashuria është më e bukur se urrejtja; miqësia, më e bukur se armiqësia e se vëllazërimi ndërmjet të gjithëve, është shumë më i bukur se konflikti.

Lutja jonë e mirënjohja jonë sot i kushtohet edhe atyre, që gëzojnë me ne nga qielli. Të gjithë atyre, që ju transmetuan fenë me jetën e vet, akoma më përpara sesa me fjalë. Mendoj posaçërisht për ipeshkvijtë, priftërinjtë, rregulltarët, prindërit e gjyshërit, që ju paraprinë, i ruajtën besnikërisht e i përçuan pasuritë e traditës suaj të bukur. Ndiqeni shembullin e tyre, duke ua transemtuar breznive të reja këtë trashëgimi shpirtërore, që ju dallon.

Ju shoqëroftë në udhën tuaj të përditshme Nëna e Shenjtë e Zotit, Odegitria. Prijësja jonë! Ajo, shërbëtorja e bindur, që e pranoi fjalën e Zotit, ju bëftë gjithnjë më të bindur ndaj vullnetit të Atit e mjete bujare të planit të Tij të shëlbimit.

Të dashur vëllezër e motra, ju falënderoj edhe një herë për këtë vizitë e ju uroj përzemërsisht njëqindvjetorin tuaj. Duke ju kujtuar të luteni për mua, ju jap, me gjithë zemër bekimin, të cilin e shtrij me kënaqësi mbi familjet tuaja e mbi mbarë Eparkinë e Ungros.

One reply on “Papa, arbëreshëve të Italisë: Ruajini traditat tuaja”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *