Katër ambasadat kryesore në vend, ajo e SHBA, Italisë, Gjermanisë dhe Britanisë kanë reaguar në lidhje me protestën që do të organizohet sot nga opozita, duke bërë thirrje për tubim paqësor.
Edhe pse përmes 4 deklaratave të ndryshme, mesazhi i 4 ambasadave është i njëjtë, në të theksohet se e drejta për të protestuar është një përbërës thelbësor i një demokracie të shëndetshme, por protestat duhet të jenë paqësore.
Në reagim dënohet dhuna që u zhvillua gjatë protestës së 11 majit që plagosi si policinë dhe protestuesit dhe shkaktoi dëme në pronë.
Gjithashtu u kërkohet liderëve të opozitës të dënojnë dhunën dhe të sigurojnë që protestat që ata mbajnë janë paqësore dhe të mbahen në përputhje me ligjin.
Më tej në reagimin e ambasadave dënohet kërcënimi i ambasadorit të OSBE.
Në përfundim ambasadat e SHBA-së Italisë, Britanisë dhe Gjermanisë bëjnë thirrje të gjitha palëve të hyjnë në dialog, e cila është mënyra e vetme në të cilën bllokimi i tanishëm mund të zgjidhet.