Categories
Aktualitet Lajme

Shqiptarët lindin më pak/ Lindjet dhe vdekjet në një vit po shkojnë drejt barazimit

Shtesa natyrore e popullsisë ka rënë me 2.3 herë në vetëm 5 vjet.

Të dhënat e fundit zyrtare nga Instituti i Statistikave tregojnë se diferenca mes lindjeve dhe vdekje të popullsisë në Shqipëri po ngushtohet me ritme të frikshme.

Sipas INSTAT gjatë vitit të kaluar në Shqipëri lindën 28 mijë e 561 foshnja dhe u shënuan 21937 vdekje. Kjo bën që shtesa natyrale e popullsisë, e llogaritur si diferencë mes lindjeve dhe vdekjeve të bjerë në vetëm 6624 vetë.
Sipas INSTAT, kjo është shifra më e ulët e shtesës natyrore të popullsisë e shënuar në 1 shekull, që nga koha kur Shqipëria nisi të mbante regjistrin demografik. Të dhënat historike tregojnë se në vitin vitin 2014, shtesa natyrore e popullsisë në Shqipëri ishte mbi 15 mijë vetë. Por ky tregues ka ardhur në rënie të vazhdueshme nga viti në vit duke rënë për vitin e kaluar në vetëm 6624 vetë ose 2.3 herë më pak se sa 2014-a.

Rënia e shtesës natyrore të popullsisë lidhet direkt me rënien e lindshmërisë. Të dhënat tregojnë se krahasuar me vitin 2014, numri i lindjeve është ulur me më shumë se 7 mijë vetë, ndërkohë që numri i vdekjeve ka mbetur thuajse konstant.
Edhe pse Shqipëria vazhdon të ketë shtesë natyrore pozitive të popullsisë, pra numri i lindjeve që regjistrohen në një vit vazhdon të mbetet më i lartë se ai i vdekjeve, popullsia tkurret. Kjo për shkak të emigrimit, i cili vazhdon me ritme të larta. Edhe pse INSTA-t nuk i ka publikuar të dhënat për emigracionin gjatë vitit të kaluar, , mesatarisht nga Shqipëria largohen 40 mijë vetë në vit, shumë herë më tepër se sa shtesa natyrale e popullsisë çka bën që popullsia totale të vazhdojë të rrudhet./Top Channel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *