Videoja e re që promovon Shqipërinë dhe bukuritë e saj, përmes një apeli drejtuar aktorit irlandezo-verior, Liam Neeson, që të vijë dhe të zbulojë vendin tonë, është bërë një hit i vërtetë në mediat sociale.
Duke përdorur komentet e tij të famshme për Shqipërinë, një dekadë më parë, në filmin “Taken”, aktori i njohur i Portokallisë, Florian Binaj, është ai që ia drejton ftesën aktorit.
“Hej Liam, ne i adhurojmë filmat e tu dhe mendojmë se je shumë i talentuar, por kemi një problem. Ti i bëre njerëzit të mendojnë se ne shqiptarët jemi kriminelë, hajdutë dhe që kërkojmë gjithnjë vajza për të rrëmbyer. Por tani është koha të të tregojmë se çfarë jemi në gjendje të bëjmë ne, të të hipim në një avion, sepse ne besojmë se ti do të rrëmbehesh nga Shqipëria”, thotë Binaj në spot.
E titulluar “Të rrëmbehesh nga Shqipëria”, videoja promocionale është mbushur me apele për të njohur historinë e Shqipërisë, traditën, kështjellat, fjordet dhe luginat, liqenet e ngrira, kanionet dhe flamengot, e gjithë kjo, rrethuar nga ngrohtësia dhe mikpritja e shqiptarëve.
Kjo fushatë e re, pason atë të mëparshmen që e cilësonte Shqipërinë si një dashuri të re mesdhetare dhe sekretin e fundit të Evropës. “Ne jemi rrëmbyer nga Shqipëria. Tani është radha juaj”, thotë një grup turistësh të huaj në video, ku nuk mungojnë edhe të tjera figura të njohura si ambasadori i BE në Shqipëri, Luigi Soreca, apo edhe aktori nga Kosova, Arben Bajraktaraj, që ka luajtur “Markon nga Tropoja”, në filmin Taken.
Efekte….
“Taken by Albania”, është bërë virale në rrjet dhe me këtë emër është hapur edhe një portal, ku Shqipëria, me turizmin që po kthehet në një industri të rëndësishme, përshkruhet si një vend ku rutina do të shkrihet në diellin e mesditës dhe natyra të magjeps.