Thethi, mrekullia e alpeve shqiptare me bukuri të “pashfrytëzuara”…
Thethi është një fshat në njësinë administrative Shalë në rrethin e Shkodrës në Shqipëri.
Fshati ndodhet më në veri të luginës së Shalës, në mes të Alpeve me një bukuri të rallë, në Veri të Shqipërisë. Shtatëdhjetë kilometra nga qyteti i Shkodrës, i mbrojtur nga tre malet Radohima, Sheniku, Papluku, me lartësi mbi 2500m mbi nivelin e detit, shtrihet lugina e lartë e Thethit, një nga zonat më të veçanta të këtyre Alpeve, 750 deri 950 metra mbi nivelin e detit, me një sipërfaqe prej 2630 hektarësh.
Bukuritë e papërsëritshme të këtij fshati malor në zemër të Alpeve shqiptare, e bëjnë Thethin që të zërë një vend të rëndësishëm në natyrën dhe turizmin Shqiptar.
Duke u nisur nga veçoritë e tij dhe nga vendndodhja pranë kufirit, Parku Kombëtar i Thethit është propozuar që të jetë pjesë e një parku ndërballkanik të quajtur Parku i Paqes, ku të përfshihen territore edhe nga Kosova dhe Mali i Zi.
Shumica e turistëve vërshojnë në verë aty shkruan shqip.info , por banorët e zonës thonë se periudha më e bukur për t’a vizituar është maji- qershori, që atje përkon me ardhjen e pranverës.
Në këtë periudhë fushat e fshatit janë të mbushura me lule ose 2-javëshi i fundit i shtatorit, ku ka nisur vjeshta dhe pylli me ahe merr ngjyrat më të bukura, e gjelbër, e kuqe, e nuancat e së verdhës.
Nëse do të shijosh natyrën me të vërtetë shkruan shqip.info , shko në ditë jave kur s’ka shumë popullim, merr bukë me vete dhe bëje një piknik ose pranë ujëvarës ose tek syri i kaltër. Atje gjenden bujtinat të cilat ofrojnë gatime tradicionale të vendit si dhe “kulla e ngujimit”.
Mund të organizohen aktivitete të shumta në natyrë, si: ngjitjet malore, sportet dimërore në shpatet me borë, biçikleta malore, ski etj.
Me gjithë këto të mira, përse nguroni të vizitoni këto vende, pamjet e të cilave do ju mbeten gjatë në mendje?/Shqip.info