Categories
Të gjitha

Vlorë, moj nurë e Labërisë

E kush nuk e dashuron këtë qytet. Këtë perlë të Labërisë. Këtë qytet plot lavdi dhe me histori të lashtë. Aty ku detet bashkohen, atje ku historia fle nën çdo gur e ndërtesë, aty ku kobalti i detit bashkohet me shkëmbinjtë e skalitur bukur, aty ku ku qytetaria dhe ashpërsia shkrihen si në legjendat e bukura shqiptare.

“Jam nga Vlora dhe i kam thënë të tëra”. Në fakt kjo shprehi popullore është më se e saktë. Vlora është diamanti i historisë shqiptare. Aty u ngjiz kombi ynë. Aty Shqipëria u bë shtet. Aty u ngrit flamuri ynë kombëtar. Aty bukuria dhe trimëria janë ngjizur si akund tjetër për t’u bërë një. Dhe ashtu është. Kush nuk e ka vizituar këtë vend dhe nuk është magjepsur nga natyra e saj krenare. Një bukuri që nuk e gjen askund.

Ajo është e veshur bukur si një nuse që i ka të gjitha dhuntitë. Bukurinë, hijeshinë, nurin, besën, zakonet, dhe mbi të gjitha trimërinë. Dhe një gen vazhdimësie që daton që nga koha e Ilirisë.

E mbiquajtur me emrin e bukur Aulona ajo do përmendet nga shumë udhëtarë dhe kronikanë të huaj të cilat e cilësojnë si një nga qytetet skelë më të rëndësishmet e Ilirisë së Jugut. Aulona e pati shkëlqimin e saj pas rënies së Apollonisë dhe Orikumit.
Emri i Vlorës është ndër të paktët emra gjeografike të bregdetit lindor të Adriatikut që i ka qëndruar kohës qysh nga lashtësia. Në bregdetin e banuar sot nga popullsia shqiptare, ky emër gjeografik del i një lashtësie pak a shumë të përafërt me ato të Durrësit, Shkodrës, Lezhës dhe Ulqinit. “Këta emra gjeografik nuk do t’i kishin rezistuar kohës në rast se vendbanimet e emërtuara prej tyre nuk do të kishin pasur një vazhdimësi përdorimi në radhë të shekujve… Një pjesë e mirë e popullsisë së trevave të banuara nga stërgjyshërit e shqiptarëve mundi t’i rezistonte proçesit të romanizimit dhe më pas të sllavizimit, që përfshiu pjesën më të madhe të Gadishullit Ballkanik”, nënvizon në studimet e veta akademiku Prof. Shaban Demiraj.

Materialet arkeologjike tregojnë se në bregdetin e Vlorës ka pasur shumë vendbanime historike ku dallohen “Shpellat e Velçës”, “Shpellat e Lepenicës” (nga më të rrallat në Ballkan e Mesdhe), “Shpellat e Spilesë” (Himarë) apo “Mozaikët e Mesaplikut”, pasuri e rrallë kombëtare. Vendbanimet tumulare të Vajzës, Dukatit, Mavrovës, “Pitosa” të Mallkeqit tregojnë për autoktoninë dhe vazhdimësinë etno-kulturore të ilirëve në periudhën e bronzit dhe të hekurit.
E njëjta gjë dëshmohet edhe në vendbanimet e tjera të lashtësisë që janë qytete-kala si Amantia, Olympia, Kanina, Himara, Cerja, Armeni, Hadëraj, Triporti dhe vet Vlora (Aulona) etj.

Amantia, e themeluar në shek. V p.e s., është një nga qytetet e pakta të Ilirisë jugore që ka pasur jetë 1000 vjeçare, ku spikat më shumë ndërtimi në terren malor i stadiumit antik madhështor, i ndërtuar me blloqe të mëdhenj gurësh.

Në jug të qytetit të Vlorës gjendet qyteti i Orikumit, i cili ka qenë një nga portet më të lashte të bregdetit të Vlorës, i themeluar si vendbanim në shek. VI-V p.e s.
Oriku u bë port i fortifikuar, bazë e rëndësishme ushtarake në Adriatik dhe në shek. II-I p.e.s ishte kantier i rëndësishëm detar për ndërtim e riparim anijesh, gjë që favorizohej nga prania e madhe e pyllit me pisha të Llogarase dhe Sera e Selenicës. Në shek.I p.e.s. Oriku shërbeu si kryeurë e fuqive pushtuese të kohës, arenë luftrash midis Romës, Maqedonisë dhe Ilirisë, si dhe në luftën rivale midis Çezarit e Pompeut që i solli Orikut shumë shkatërrime. Në shek.II p.e.s., Oriku u godit nga një tërmet i fuqishëm dhe u shkatërrua duke e humbur rëndësine e tij, pa mundur të rimbëkëmbej më. Ishte pikërisht koha kur në gjirin e Vlorës del në pah një tjetër qytet-Skelë, që ishte “Aulona – Vlora e sotme”. Dëshmi arkeologjike e lashtësisë dhe autoktonisë është edhe vetë simboli i saj – “Vajza aulonase”, një skulpturë “hyjneshë” 87 cm., e gdhendur nga mjeshtër vendas me gurin gëlqeror të Kaninës, që simbolizon veshjen e grave ilire.

Emrin e qytetit – Skelë të Aulonës së lashtë e gjejmë të përmendur në shek.II e.s., nga shkrimtari Lukani dhe nga gjeografi Aleksandrin Ptolemeu.

Gërmimet e fundit në Kaninë dhe Himarë kanë dhënë dëshmitë e tjera për kulturën ilire të antikitetit të vonë dhe mesjetës së hershme, për autoktoninë dhe vazhdimesinë iliro-arbërore dhe mesjetare shqiptare. Në shek. VI e.s., dhe vazhdimisht gjatë mesjetës, Aulona përmendet në listën e qyteteve bregdetare si port i rëndësishëm, me detari të zhvilluar, që tregëton vaj ulliri, kripë, valanidh, lëndë drusore, ullinj si dhe panairet që bëheshin në afërsitë e Vlorës, ashtu edhe në vende të ndryshme të Europës. Edhe në grykën e Vjosës ishte skela e Spinaricës, ku zhvillohej tregti dhe aty ishin të pranishëm edhe konsuj tregtarë të Raguzës, Venedikut etj.

Në mesjetë Vlora dhe viset e saj ranë nën pushtimin normand më 1081, më pas nën pushtimin e Venedikut më 1205 dhe atë të sundimit të Hohenstaufenëve gjerman, siç e përshkuan edhe Jireçeku në studimin e tij.
Si një qëndër e zhvilluar dhe e kulturuar Vlora shfaqet edhe në mbrëtërinë e Arbërisë më 1272, ku kronikat e kohës shënojnë lulëzimin e zejtarisë, tregëtisë, blegtorisë dhe pemtarisë, të përfshirë si despotat më vete.

Një rol të rëndësishëm në jetën politike, ushtarake e shoqërore të Vlorës ka luajtur dhe familja e Arianitëve sidomos në shekullin XV-XVI, figura kryesore është ajo e Gjergj Arianitit,i cili organizoi qëndrimin ndaj pushtuesve turq në vitet 1431-1432 në grykat e ashpra të Labërisë.

Ajo që vlen për t’u përmendur është një defter turk i vitit 1520 ku shënohen701 familje vendase dhe 531 familje çifute. Kjo dëshmon për një klimë paqësore e tolerancë ndaj çifutëve në qytet në një kohë kur gjetkë ata persekutoheshin egërsisht.

Në shek.XVII-XVIII Vlora ishte një nga limanet më të rëndësishëm të Shqipërisë së Jugut, pas Prevezës, pasi gjiri i saj u siguronte anijeve mbrojtje nga stuhitë. Në skelën e Vlorës ishin ndërtuar depo të mëdha për grumbullimin e prodhimeve buqësore e blegtorale të fshatarësisë, ku përfshiheshin zona e Beratit, Gjirokastrës dhe Myzeqesë. Në eksportin e tij ky qytet zhvillonte tregti më Triesten, Venedikun, Vienën, Korfuzin, Stambollin, Izmirin, Breshian, Barin, Manastirin, Janinën, Maltën e Qipron. Në portin e Vlorës hynte rregullisht çdo javë vapori austriak “Lloid” dhe ai italian “Pulja”, të cilët vetëm për vitin 1904 kishin kryer respektivisht 224 dhe 181 hyrje-dalje. Vlora eksportonte: vaj ulliri – 20.000 fuçi, ullinj të vjelur – 11.000 barrë, kripë – 1.5 milion kilogram, lesh të palarë – 15.000 okë, lëkurë qengji e lepuri – 20.000 copë, breshka – 40.000 copë, shushunja, shpende, dele, kuaj, mish të therur, peshk të kripur, vezë peshku, serë, asfalt, misër, tërshërë, thekër, fasule, dru zjarri, valanidh, mjaltë të bardhë Kanine, verë të Nartës dhe verë “Vlosh” të Vlorës.

Vlora njihet si një vatër e rëndësishme e patriotizmit ndër shekuj, ku përpjekjet për liri, pavarësi dhe prosperitet kanë qenë në shpirtin e çdo vlonjati.
Luftrat kundër pushtimeve të huaja dhe përpjekjet për përhapjen e arsimit shqip bënë që në Vlorë të krijoheshin shumë shoqëri patriotike.
Në vitet 1908-1912 klubi “Labëria” u bë një vatër e ndezur e përpjekjeve për pavarësinë e vendit dhe luftën kundër pushtuesve xhonturq. Kryetar nderi i këtij klubi atdhetar ishte Ismail Qemali. Çelja e shkollës shqipe të Muradies (7 Gusht 1908) ishte një ngjarje e shënuar në jetën arsimore të Vlorës.
Por ngjarja më kulmore e qytetit të Vlorës ishte 28 nëntori 1912 kur plaku i urtë e diplomati i shquar Ismail Qemali, së bashku me delegatët e ardhur nga vise të ndryshme të vendit, shpalli pavarësinë e Shqipërisë dhe njëkohësisht ngriti flamurin kombëtar në Vlorë. Kështu Vlora u bë kryeqyteti i parë i Shqipërisë së pavarur.

Më 25 dhjetor 1914,  Vlora u pushtua nga  italianët. Pas zgjerimit të pushtimit italian nisi rezistenca kundër pushtuesve. Në vitin 1920, pas Kongresit të Lushnjes, u krijuan Komiteti “Mbrojtja Kombëtare” me kryetar Osman Haxhiun, i cili organizoi forcat luftarake në Luftën e Vlorës. Lufta e Vlorës është një nga epopetë më të lavdishme të shqiptarëve. Vlora u kthye në “Termopilet” e Shqipërisë, siç thoshte patrioti Halim Xhelo.

(Materiali historik u bazua në të dhënat mbi qytetin nga Bashkia e Vlorës)

3 replies on “Vlorë, moj nurë e Labërisë”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *