Sot në komunën e Tuzit në Mal të Zi u mbajtën zgjedhjet vendore. Tre partitë kryesore shqiptare, Alternativa Shqiptare, Lidhja Demokratike Shqiptare dhe Unioni Demokratik Shqiptar, janë bashkuar në një listë të vetme nën moton “Malësia na bashkon”. Qëndrat e votimit u mbyllën rreth orës 20:00 të mbrëmjes, ndërsa tashmë shqiptarët e bashkuar kanë nisur festën. Ata kanë dalë në rrugë me flamuj kuqezi në duar e me thirrjet “Shqipëri etnike”.
Edhe pse akoma nuk janë shpallur rezultatet finale zyrtare duket se shqiptarët janë të bindur në fitoren e tyre dhe kanë nisur festën me bori makinash, valle shqiptare, këngë e flamuj.
Përveç koalicionit “Alternativa Shqiptare”, në garë për 32 vendet e këshillit komunual të Tuzit, nga ku do dalë edhe kryetari i komunës, janë edhe 5 subjekte të tjera politike vendase. Ndërkohë sipas sondazheve gara më e fortë zhvillohet mes koalicionit të partive shqiptare dhe Partisë Demokratike Socialiste të presidentit malazez Milo Gjukanoviç.
Treva e malësisë së madhe me shumicë shqiptare, Tuzi, u shpall komunë shtatorin e kaluar, pas përpjekjeve prej mbi 3 dekadash të partive shqiptare, për t’u shkëputur nga administrimi si pjesë e Podgoricës dhe ka 40 fshatra/shqip.info