Categories
Histori Të gjitha

68 vajza fierake dolën partizane në një ditë

Duket e pabesueshme, sidomos sot, por është e vërtetë. E kam fjalën për një ngjarje të largët, ndodhur 71 vite më parë, në kohën e pushtimit fashist. Gjashtëdhjetë e tetë vajza nga qyteti i Fierit, më 14 shtator 1943 u hodhën në ilegalitet dhe dolën partizane. Kjo çetë luftëtaresh të reja dilte nga një qytet i vogël, që atëherë nuk i kalonte 5-6 mijë banorë.

Një rast ky unikal në Shqipëri dhe pse jo edhe përtej saj, në Europën e pushtuar nga nazifashistët. Unë atëherë, fëmijë i saporritur, kam qenë dëshmitar i kësaj ngjarjeje të jashtëzakonshme që bëri aq bujë në qytetin tonë dhe alarmoi pushtuesit. S’kish kushtrim më të fuqishëm për luftë se sa ky akt madhështor i këtyre vajzave të reja. Vajza këto, nga të gjitha lagjet e qytetit dhe nga të gjitha shtresat e shoqërisë. Studente e nxënëse, punëtore e më shumë shtëpiake, bija familjesh të varfra, po dhe atyre të kamura. Të frymëzuara nga ideali i shenjtë i lirisë, ato u ngritën mbi pengesat e rreziqet e panumërta, mbi mentalitetin dhe zakonet konservatore dhe niseshin në luftë për çlirimin e atdheut të robëruar. Me një atdhetarizëm të paparë, me një vetëdije të paparë, me një guxim dhe besim të paparë. E kam menduar sa e sa herë nëpër vite këtë akt të pashoq dhe gjithnjë jam emocionuar dhe magjepsur. Pyetja që nuk më ndahet edhe pas rreth shtatë dekadave, është: si ndodhi kjo mrekulli? Mendimi i parë më shkon te madhështia e Luftës Nacionalçlirimtare, te kjo lëvizje popullore e pangjarë ndonjëherë, tek atdhedashuria e zjarrtë e shqiptarëve, tek ai ndërgjegjësim i tyre i lartë, tek ajo ndjenjë e fuqishme përkushtimi e vetësakrifikimi, tek ai entuziazëm që zgjonte ëndrra e madhe e lirisë. Pjesë e kësaj mrekullie kombëtare ishte dhe akti sublim i këtyre vajzave shqiptare.

Natyrisht, ky akt nuk ndodhi rastësisht dhe as qe ndonjë aventurë rinore. Për afro dy vjet, në atmosferën e pushtimit, ato do të mëkoheshin e mbruheshin me idetë e luftës, që përhapnin e përcillnin militantët e saj, do të merrnin pjesë në demonstrata e aksione, do të frekuentonin mbledhjet ilegale, do të shpërndanin trakte, do të mësonin të përdornin armët, do të ndihmonin njësitet guerile, do të ndiqnin kurse sanitare, do të qëndisnin flamurë dhe yje. Pa këtë përvojë dhe përgatitje nuk do ta hidhnin atë hap të guximshëm drejt luftës që i priste.

Dhe erdhi dita, ajo ditë e paharruar vjeshte, kur këto vajza dolën fshehurazi nga shtëpitë e tyre, kaluan nëpër rrugicat e ngushta, kapërcyen ujërat e Gjanicës dhe u mblodhën në një bazë ilegale në lagjen e varfër të Shkozës. Pastaj, sipas një plani të mirëpërgatitur, të udhëhequra nga shokët e njësiteve guerile, dolën nga qyteti në orët e vona të pasdites dhe duke u fshehur pas kallamishteve të kënetës së Sheqit, u drejtuan për në zonat e çliruara nga partizanët. Merret me mend se ç’ndodhte në mendjen e në shpirtin e këtyre vajzave të reja tek shkonin drejt një jete krejt të panjohur. Për disa ditë, ato do të ecnin në këmbë nëpër një itinerar me rrugë e pa rrugë, nga fshati Kallm i Myzeqesë në Dumre dhe prej këndej në Kuçovë, për të mbërritur në Beratin e lirë përkohësisht. Një udhë e gjatë, e vështirë, e lodhshme, plot rreziqe, por që ato e kaluan me sukses të plotë. Ishte kjo prova e parë e këtyre vajzave të reja, shumë prej të cilave s’kishin kapërcyer ndonjëherë kufijtë e vendlindjes, por që nga gjithë ç’po ndodhte po kuptonin se atdheu i tyre nuk ishte vetëm qyteti i tyre, që kish lënë pas, por tërë fushat dhe malet e Shqipërisë.

Dhe këtë do ta kuptonin më mirë, kur udhëheqës të luftës do t’i prisnin krahëhapur në Berat, do të bisedonin me to dhe do t’u flisnin për misionin që kishin përpara. Pas disa ditësh pushimi, atyre do t’u caktoheshin detyrat sipas aftësive dhe përgatitjes së secilës, duke u shpërndarë nëpër formacionet partizane si në Batalionin e sapokrijuar të rinisë “Margarita Tutulani” dhe Batalionet “Ismail Klosi”, “Petro Sota”, “Semani”. Ndërsa të tjerat u ngarkuan me detyra në terren, duke u dërguar nëpër fshatrat e Myzeqesë, të Mallakastrës dhe të Skraparit. Po nisnin kështu një jetë krejt të re, larg familjes dhe vendlindjes, po shkonin drejt së panjohurës, sa joshëse aq dhe enigmatike, po asnjëra prej tyre nuk mendonte për kthim prapa. Ishin ideali dhe morali partizan që i jepnin kuptim dhe e udhëhiqnin jetën e tyre tani e tutje.

Ky ishte vetëm fillimi, sepse më vonë, pas pagëzimit luftarak nëpër aksione të ndryshme dhe provave që dhanë, shumë prej tyre u radhitën në formacionet e lavdishme partizane si Brigada I dhe Brigadat V, VI, VII dhe XI. Ato vajza të brishta, hiret e të cilave përzhiteshin nga tymi i barutit, do të merrnin pjesë nëpër betejat e njohura të Tendës së Qypit, të Kalasë së Margëlliçit etj. Do të përballeshin me operacionin e egër të dimrit 1943-1944, duke provuar urinë dhe ngricat, plagët dhe lodhjen, duke u gjendur në situata nga më të rrezikshmet, që kërkonin besim, kurajo, vetëdije të lartë. Prej kësaj çete luftëtaresh do të binin dëshmore në ndeshje me armiqtë katër shoqet e tyre Liri Gero, Penelopi Pirro, Taze Çela dhe Feride Bega. Heroina e popullit Liri Gero, e plagosur rëndë në betejë e sipër do të kapej nga nazistët, do të torturohej dhe pastaj do ta digjnin, duke e hedhur të gjallë në mes flakëve. Ishte kjo një vdekje, që vajza e thjeshtë myzeqare me emrin Liri i blatonte lirisë së atdheut. Do të qenë shoqet e shokët e saj më pas që do t’i merrnin hakun dhe do të vijonin më tej rrugën e luftës. Në këtë rrugë të lavdishme disa nga vajzat do të shquheshin për trimëri, për vlera luftarake dhe cilësi të larta morale dhe do të meritonin detyra me përgjegjësi, duke u bërë komandante dhe komisare të formacioneve partizane, drejtuese rinie dhe veprimtare politike. Në mes tyre s’mund të rrimë pa përmendur në radhë të parë emrat e organizatoreve dhe drejtueseve të kësaj çete luftëtaresh, komunistet Shpresa Hoxha (Fuga), Izmini Kokobobo dhe Manushaqe Qadhimi, por dhe të tjerë emra si Gjinovefa Trebeshina, Ylvie Shehu, Shenisha Demi, Jorgjie Haxho, Liri Paloli, Liri Bozdo, Nedime Kryeziu, motrat Havari, Kristina Aleksi, Dhora Sota… Është ky një varg i artë emrash që vazhdon me të tjera dhe që kronika historike e kohës i ka të skalitura.

Dhe këto qenë vetëm një pjesë e 6000 vajzave dhe grave shqiptare që u ngritën në luftën antifashiste dhe u inkuadruan në radhët e formacioneve partizane. Një realitet i pangjarë ndonjëherë në tërë historinë shqiptare. Edhe kur kishte ngjarë, në raste tepër të rralla, si me Norën e Kelmendit, me Tringën e Malësisë apo Shote Galicën, ato kishin hyrë në këngë dhe kishin mbetur në kujtesën e popullit. Po atëherë ç’mund të thuhet për ato mijëra partizane, që kronikanit të historisë do t’i dridhej dora nga emocioni për të shënuar emrat e tyre. E gjithë kjo e vërtetë që na nderon si popull liridashës, nuk mund mos të na vërë në mendime dhe të na bëjë të kthehemi në ato kohëra të rënda për fatin e atdheut, të cilit do t’i dilnin zot dhe vajzat e gratë shqiptare. Por, për hir të së vërtetës, duhet thënë se këtij akti madhor, iu kundërvunë në vitet e luftës forca konservatore e reaksionare, duke ngritur një stuhi shpifjesh e përbaltjesh, shoqëruar me fushata propagandistike të mbrapshta. Në të u përfshinë që nga shtypi zyrtar i qarqeve kuislinge të Tiranës e deri të forcat politike si Balli Kombëtar e Legaliteti, duke i quajtur këto vajza dhe gra si të përdala dhe mendjelehta, duke sajuar histori të paqena, mbushur me gënjeshtra dhe trillime fyese. Dhe kjo ndodhte në një kohë kur këto vajza e gra luftonin me vetëmohim krah shokëve të tyre, përballeshin me sakrifica të panumërta, derdhnin gjakun duke lartësuar kështu figurën e tyre, moralin e tyre, virtytet e tyre të papërsëritshme. Historia objektive tanimë e njeh dhe e çmon këtë realitet madhështor të gruas shqiptare. Është ky kontribut kombëtar që hodhi themelet dhe hapi rrugën e emancipimit të saj në shoqërinë shqiptare të pasluftës. Të drejtat dhe pozita që ajo zuri më vonë nuk iu falën, por ajo i fitoi vetë, me gjak e me sakrifica, me prova të vlerave të saj të pamohueshme e të pazëvendësueshme.

Brezat e sotëm të femrës shqiptare duhet t’u jenë mirënjohëse simotrave të tyre partizane, sakrificave, guximit dhe ëndrrës deri në vetëflijim që ato blatuan në emër të lirisë. Të lirisë jo vetëm kombëtare, por dhe të lirisë shoqërore, jo vetëm shoqërore, por dhe të lirisë shpirtërore e mendore, të çlirimit të saj nga gjithë ato pranga që e kishin kthyer në robinë.

Lufta Nacionalçlirimtare do të ishte fillimi i atij procesi, që këto robina i shndërroi në luftëtare dhe nga luftëtare në qytetare të lira, të zonjat e vetvetes. Një fenomen i madh qytetërues në jetën e popullit tonë, që nuk mund të errësohet e të anashkalohet. Segment i këtij fenomeni është dhe akti i 68 vajzave që brenda një dite, të frymëzuara nga ideali i lirisë, u nisën të gjitha së bashku në luftë për çlirimin e atdheut të robëruar. Në kujtim dhe për nder të tyre është ngritur në mes të qytetit të Fierit lapidari prej bronzi i këtyre vajzave luftëtare. Një lapidar jo i zakontë që t’u kujtojë brezave të vërtetën e përjetshme se ai popull që harron të kaluarën, humbet dhe të ardhmen e tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *