Nga : Teodor Mommsen
Në këtë shkrim shqyrtohen shkurtimisht burimet që lidhen me përkatësinë etnike të epirotëve të lashtë, të cilët Teodor Mommsen-i, historiani më i madh i kohës së tij, në veprën ende të patejkaluar “Histori e Romës” (Römische Geschichte) i quante epirotët “shqiptarët e lashtësisë” (die Albanesen des Alterthums)1.
Thuajse të gjithë autorët e lashtë grekë i kanë konsideruar epirotët popull barbar, ashtu siç kanë konsideruar edhe fqinjët e tjerë të tyre trakë, ilirë, ose dhe më tej, trojanët, fenikasit, persët, egjiptianët, etj.Në këtë mënyrë, ata quanin barbar çdo grup etnik jogrek, pavarësisht nga niveli i kulturës ose shkalla e organizimit shoqëror të tyre. Ky fakt kërkon që fillimisht të bëjmë të qartë se ç’kuptonin grekët e lashtë me fjalën barbar.
Ky ishte një term onomatopeik që theksonte faktin që ata ishin të huaj dhe flisnin një gjuhë të pakuptueshme për grekët. Një grek etnik në lashtësi, po të ishte i pagdhëndur e i pakulturuar për grekët e tjerë ishte një ksenos (ξένος), d.m.th. i huaj3, që sidoqoftë ishte superior ndaj barbarit, që gjithënjë ishte i huaj.
Tukididi nga shekulli V p.e.s. na informon se, në kohën e tij, fise të veçanta, madje në jug të Epirit, në Etolinë greke, si fisi i madh i euritanëve flisnin ende një gjuhë të huaj, në shprehjen e tij, një gjuhë fare të pakuptueshme ( ἀγνωστότατοι δὲ γλῶσσαν)
4 . Lidhur me fisin periferik epirot të amfilokëve, ai na thotë, pa dykuptimësi, se pjesa e fisit epirot që kufizohej me ambrakiotët grekë dhe u lidh me ta mësoi greqisht, duke na lënë të kuptojmë se më parë ata flisnin një gjuhë të tyre kurse pjesa që nuk u bashkua me ambrakiotët mbeti barbare, duke vërtetuar edhe një herë konceptin grek se kush nuk fliste/mësonte greqisht ishte/mbetej barbar.
Një shekull pas tij, edhe Hesiodi e quan lisin e orakullit si “vendin ku rrinin pellazgët” dhe Efori bashkëkohës i Herodotit, në shekullin V p.e.s. na thotë se orakulli i Dodonës ishte themeluar nga pellazgët”9.
Epërsia e njohur kulturore greke bënte të mundur që mënyra e jetesës, zakonet, arti, organizimi shoqëror dhe urbanizimi i vëndeve në të cilat u ngritën këto koloni gjatë tërë bregdetit të Mesdheut e madje edhe në brigjet e detit të Zi, të ndikonin në shkallë të ndryshme në atë proces që sot njihet nën konceptin relativ, të papërcaktuar mirë e të papranuar me bashkëkuptim, të ‘helenizimit’ të popujve dhe vendeve të tjera.
Në qoftë se me helenizim do të kuptohej vetëm ky ndikim kulturor grek në Epir si tjetërkund në Europën mesdhetare, Lindjen e Afërme dhe Afrikën e Veriut, atëhere ky ka ndodhur edhe në Epir.
Duke besuar se epirotët u helenizuan dikur në Lashtësi, studiuesit britanikë të Epirit, G. N. Cross14 dhe N.G.L. Hammond, automatikisht kanë pranuar prejardhjen jo greke të tyre. Hammond mendon se zbulimi i mbishkrimeve greqisht të shekullit IV p.e.s. në Epir përbën një provë të helenizimit të epirotëve.
Ky argument i Hammondit, bie nën peshën e rëndë të fakteve të shumta se mbishkrimet greke të gjetura në shumë vende të Europes, nga Spanja deri në Rusi, si dhe të Azisë e Afrikës, nuk kanë sjellë as helenizimin as humbjen e identitetit etnik të popujve të atyre vendeve.
Në pjesën e tretë të këtij shkrimi do të sillen të dhëna që tregojne se epirotët e lashtë kanë folur këtë paraardhëse të shqipes.
Për qëllimin e këtij shkrimi është e nevojshme të bëhet një dallim i qartë midis ‘helenizimit’ kulturor, dhe ‘helenizimit’ etnik. I pari do të kuptohet si ndikim i kulturës dhe artit grek në kulturën dhe artin e epirotëve, ashtu si dhe të latinëve dhe popujve të tjerë të lashtë ballkanikë si trakët, maqedonasit ose dhe dhe popujt e Lindjes së Afërme.
Me ‘helenizim etnik’ do të kuptohet ai proces historik qe shpie në humbjen e vetëdijes etnike, gjuhës, mënyrës së organizimit shoqëror, që duket se ka ndodhur në Maqedoninë e lashtë, pas vdekjes së Aleksandrit të madh, por edhe në Etoli dhe rajone të tjera të Greqisë që autorët e lashtë grekë na thonë se ishin banuar më parë nga fise jo greke7.
Të dhënat më të reja nga mbishkrimet e Butrintit, që përfshijnë dekrete të Lidhjes Kaone dhe Prasaibe, si dhe mbishkrimet për lirimin e skllevërve, tregojnë sa të nxituara kanë qënë hamëndjet se epirotët e lashtë u ‘helenizuan’ dikur në Lashtësi.
Nga ato mbishkrime të shekulllit IV p.e.s., del se njësia më e vogel e organizimit të fisit të prasaibëve në Kaoni ka qënë klani ose subetnia një komunitet prej 200-500 njerëzish 16. Bashkësia (koinoni) i prasaibëve në atë kohë përbëhej nga 90 klane dhe bashkësi klanesh.
Historia e Romës
Daubner mendon se kjo ruajtje e habitshme e strukturës fisnore në Epirin e periudhës helenistike tregon se si studiuesit e Lashtësisë, në të vërtetë janë marrë me aspekte të kulturës elitare, ndërkohë që mendonin se ajo ishte kultura e popullit epirot. Ai arrin në përfundimin e drejtë por tronditës për një opinion mbizotërues se në epokën helenistike ka ndodhure helenizimi i Epirit.
Nje helenizim i tillë, këmbëngul me bindje ai, “nuk ka ndodhur kurrsesi” 17.Fakti që prasaibët kaonë, që kishin si kryeqendër Butrintin, një koloni greke, që ishin më të ekspozuar ndaj forcave helenizuese, të shtyn arsyeshëm të mendosh se në rajonet e tjera larg kolonive bregdetare greke të Epirit, struktura shoqërore e trashëguar epirote duhet të ketë mbetur akoma më e paprekur nga ‘helenizimi’ dhe urbanizimi helenistik.
Edhe në organizimin shtetëror, Epiri kishte ndryshime me botën greke: mollosët qeveriseshin nga një mbret kurse tesprotët dhe kaonët ishin shoqërira pa mbret (abasileutoi). Në ditën e inaugurimit, mbreti epirot betohej para popullit se do të qeveriste në bazë të ligjit dokësor dhe populli betohej të zbatonte atë ligj 18. Duke u mbështetur edhe në mbishkrimet e Butrintit, Daubner ka arritur në përfundimin se edhe nga forma e organizimit të shtetit Greqia dhe Epiri (kaonët) ndryshonin në mënyrë rrënjësore19. Është theksuar se edhe mollosët, të cilët kanë pasur lidhjet më të ngushta me Athinën nga çdo fis epirot, ”ishin shumë larg nga një demokraci pjesëmarrëse e modelit të Athinës ose Argosit” (“”ëere noëhere near being a participatory democracy on an Athenian or an Argive model”)20.Deri sot, askush nuk ka paraqitur ndonjë të dhënë të besueshme nga burimet e lashta greke e romake ose nga burime të tjera arkeologjike, etnografike, etj. që do të provonte se epirotët e lashtësisë humbën gjuhën e tyre. Prania e popullsisë autoktone shqiptare në Epirin e vjetër e në Epirin e Ri dhe mungesa e çdo gjurme mërgimi shqiptarësh në Epir, provojnë të kundërtën.
Në burimët e lashta nuk ka të dhëna që të tregojnë në se masa e popullit epirot ka përvetësuar (adoptuar) perëndi greke ose deri në ç’shkallë mund të ketë aritur ‘helenizimi’ i panteonit epirot. Dhe këtu është rasti të kujtojmë se grekët vetë kanë përvetësuar një numër perëndish nga trakët (Dionisin dhe Aresin), nga Lindja e Afërme (Afërditën) dhe Egjipti dhe Herodoti na siguron se “Emrat e thuajse të gjitha perëndive në Greqi kanë ardhur nga Egjipti” 21. Por a do të thotë kjo se panteoni grek u egjiptianizua?
Sigurisht që jo.
Ne kemi një fakt elokuent se panteoni i epirotëve në Lashtësi nuk u shua. Nga fjalori i leksikografit më të madh grek, Hesikut, ne mësojmë se ende në shekullin IV, dmth pas 10 shekujsh trysnije ‘helenizuese’ nga kolonitë greke të bregdetit jonian dhe të fqinjësisë akoma më të gjatë me botën e kulturën greke, fisi epirot i timpejve vazhdonte të adhuronte atin e perëndive të tyre, Deiëa patyros (Δειπάτυρος – ϑεὺς παρὰ Τυμφαίοις) 22 dhe jo Zeusin, atin e perëndive greke. Mbijetesa e atit të perëndive epirote deri në shekullin IV-V të erës sonë në këtë fis të Epirit, madje edhe pas përhapjes së krishterimit, është një indikacion me peshë i mbijetesës së panteonit të trashëguar epirot.
Epirotët ishin ilirë
As fakti që epirotët nuk ishin grekë, as ai që ata nuk u helenizuan, në vetvete, nuk provojnë se ata ishin ilirë ose paraardhës të shqiptarëve të sotëm. Por ekzistojnë të dhëna historike, gjuhësore, mitologjike, dhe etnografike që tregojnë se epirotët janë, sic thoshte Mommsen-i, “shqiptarët e lashtësisë” 1.
Të dhëna gjuhësore
Fjalët e trashëguara epirote që njohim janë shpjeguar me anë të shqipes e jo të ndonjë gjuhe tjetër
Numëri i fjalëve te trasheguara epirote që njohim është i vogël, por gjuhëtarët i kanë shpjeguar ato me anë të shqipes.
Disa nga këto fjalë jane:aspetos Kjo fjalë del te Plutarku kur ai tregon se aspetos (Ἄσπετος) quhej Akili në gjuhën e vendit (ἐπιχωρίῳ φωνῇ )23. Kjo fjalë është interpretuar edhe si një fjalë greke edhe me fjalën shqipe i shpejtë. Por, ka dy arsye që e bëjnë më të besuëshëm shpjegimin me fjalën shqipe i shpejtë. Së pari se në Iliada Homeri në dy vënde e mbiquan heroin “këmbëshpejtë” (πόδας ὠκὺς)24, 25 dhe, së dyti, se Plutarku na thotë shkoqur dhe thekson që me këtë emër, aspetos, Akili quhej në “gjuhën e vëndit”.
barden (βαρδἥν), τὸ βιάζεσϑαι γυναίκας Ἀμπρακιώται. ‘gruaja me barrë, ndër ambrakiotët’ thuhet në Fjalorin e Hesikut. Nga ilirishtja kjo fjalë ka hyrë në latinisht equa bardia ‘pelë mbratë’ dhe është trashëguar në shqipen ‘bratë, mbratë’, që, sipas V. Pisanit, ka dalë nga një ilirishte *bhordịō ‘bars mbars’ 26.
Në greqisht Heisku e përkthen këtë fjalë biazesthai (βιάζεσϑαι)….daksa (δάξα) e jep Hesiku 27 si një fjalë epirote. Është shpjeguar me fjalën shqipe det. Francesco Ribezzo (1875-1852) e krahasoi ate me ilirishten *dakti 28. Fjala greke për detin është thalasa (ϑάλασα). Në greqishten e lashtë deti quhet thalasa (ϑάλασα).
dramis (δράμιξ) ‘bread’. Është lidhur me shqipen dromcë ‘thërrime’29 dhe me maqedonishten dramis (δραμις) ‘fetë buke’. Ka dalë nga proto-indo-europianishtja *dhreu28.
gnosko (γνώσκω) ne epirotisht kishte kuptimin njoh. Siç vuri re Paul Kretschmer, kësaj forme epirote i mungon dyfishimi karakteristik i greqishtes [ γιγνώσκω ( gignṓskō ) dhe γινώσκω ( ginṓskō) ‘njoh’]. Është e njëjtë me fjalën e trashëguar ilire * gnēskō 30 dhe me shqipen njoh, që ka dalë regullisht, në bazë të regullave fonetike të shqipes, përmes kalimeve sk>h dhe gn>nj.
manu (μάνυ) ‘i, e vogël’ (μάνυ πικρόν ᾽Αθαμᾶνες) 31. Fjalë që përdorej nga fisi epirot i atamanëve, prej së cilës rrjedh fjala shqipe mang ‘i vogli i një kafshe ose zogu’31, që, nga ana e saj, e ka burimin në një rrënjë proto-indo-europiane *men ’i, e vogël’. Eqrem Çabej a ka konsideruar këtë fjalë si një konkordancë epirote-shqiptare31. Këtë fjalë epirote Hesiku e përkthen me greqishten pikron.
pelio/pelia (πέλιος/πελία). Fjalë epirote për ‘plak/plakë’. Është trashëguar në shqipen plak/plakë dhe rrjedh nga ilirishtja *pelak 32. Lidhet dhe me maqedonishten e lashte pelia ‘old man’33. Në greqisht pleqtë quhen gerontes.
Pelagones ishin pleqësia e epirotëve të cilën së pari von Hahn e lidhi me shqipen plak34, që është ruajtur në institucionin shqiptar “pleqësia e fshatit”. Rrjedh nga ilirishtja *pelak 35 .
Emrat e njerëzve
Në mbishkrimet e gjetura në Epir dalin edhe emra njerëzish me tingëllim ilir si Admatos, Amyntas, Anna, Annyla, Appoitas, Dazus, Derdas, Menoitas, Pyrrhos, Sabyrtios, Sabylinthus (Σαβύλινθος). Emrin femëror ilir Bikerna e gjejmë si emër fshati Pikernes (sot Piqeras) në bregdetin e Epirit 36. Banorët shqiptarë të territoreve të Epirit përdorin ende një numër emrash të lashtë ilirë si Balil
Emrat e fiseve epirote
Një veçori unike e pa vënë re, ose e patheksuar sa duhet, që flet në të mirë të identitetit etnik ilir të epirotëve, është numëri i konsiderueshëm i emrave të fiseve epirotë që i gjejmë edhe si emra fisesh ilire. Numri i tyre është i atillë që nuk mund të shihet si një lojë e rastësisë, kur ngjashmëri të tilla me emrat e fiseve greke ose trake mungojnë. Disa prej këtyre fiseve ‘binjake’ iliro-epirote janë:
Autariatët e Ilirisë qëndrore kanë ndajgjegjësin e tyre në autariatët thesprotë në Epir.
Amantëve ilirë u përgjigjen amantët epirotë në Kaoni dhe amintët në Thesproti .
Atintanëve ilirë u përgjigjen atintanët epirotë në luginën Vjosë-Drino.
Enkelejve ilirë u përgjigjen enkelejtë e Kaonisë në Epir.
Dasaretëve ilirë u ndajgjegjen deksarojtë epirote.
Pleraejtë ilirë në Dalmaci kanë ndajgjegjësin epirot në pleraejtë thesprotë (S. Bizantini).
Boii , një fis në në Ilirinë veriore e ka ndajgjegjësin në fisin Boioti të Epirit veri-lindor nga i cili, ka të gjarë, rrjedh edhe emri i mesëm i despotit të Despotatit të Epirit, Gjin Bua Shpatës.
Emrat e vendeve
Emrat e vëndeve të Epirit të Ri e të Vjetër, në format e tyre të sotme, gjithashtu kanë evoluar në bazë të ligjeve fonetike të shqipes
Amonicë: Amantia37.
Arbëri (krahina e Labërisë): Albania/Arbania 38, 39, 40
Arta: Arachthos41.
Bual: Ombalion 42.
çam, Çamëri: Thyamis43.
Delvinë, Delvinë (Përmet), Delvinaq, Delvinaqopulos: *Delminium44.
Drino: *Drilon.
Gjashtë: Onchesmus45.
Konispol: *Konispolis (vëndbanim i kaonëve)
Nemërçka: Amyron46.
Të dhëna historike
Nuk njihet asnjë dokument autentik i lashtë ose mesjetar që të flasë për ndonjë emigrim shqiptarësh në Epirin e Ri ose të Vjetër. I vetmi dokument autentik për imigrim popullatash të huaja në Epir është imigrimi i popullsisë greke në fillim të shekullit XIII, si rrjedhim i keqtrajtimit, përndjekjes dhe masakrimit të tyre nga kryqtarët e Kryqëzatës së katërt47.
Nga shekulli XIV, në Perëndim, Epiri kishte filluar të njihej me emrin Albania. Kështu, në ndalesën që bëri në ujdhesën greke Leukas, nga fundi i atij shekulli, udhëtari italian Niccolo de Martoni pa brigjet e kontinentit që gjëndej përballë, disa kilometra në veri, dhe e quan Albania atë që njihej si Epir në Lashtësi48.
Fakti që ai përdor emrin Albania, dhe jo Greqi për Epirin, tregon pa dykuptimësi se ende në mesjeten e vonë, në shekullin XIV, Epiri vazhdonte të ishte nje territor shqiptar. Këtu duhet mbajtur parasysh edhe fakti që, në ate shekull, shqiptarët në Epir, kishin krijuar shtetet e tyre të pavarur me sundimtarë Gjin Bua Shpatën, Peter Loshën dhe Gjin Zenebishin.
Roli i shquar i gruas në Epir e Iliri bën kontrast me botën greke
Në qytet-shtetet (polis) e Greqisë së lashtë gruaja ishte në një pozitë inferiore shoqërore, me të drejta jo të plota, e mbyllur në jetën familjare dhe e privuar nga postet publike dhe shoqërore.
Në një pozitë pa krahasim më të lartë gjëndej gruaja në shoqërinë epirote. Kjo është pranuar përgjithësisht madje edhe nga autorë grekë49.
Një shëmbëll tjetër i rolit dhe i të drejtave të gruas epirote, është Olimpia, nëna e Aleksandrit të madh, e cila jo vetëm luajti një rol aktiv në mbretërinë dhe perandorinë maqedone, por pas vdekjes së vëllait të Aleksandrit të madh u bë regjente e nipit të saj Neoptolemit II. Nga shoqëria ilire mund të përmëndet rasti i Teutës, që arriti, në mënyrë të pashëmbëllt në shekulin II p.e.s., të behet mbretëreshë e shtetit më të madh ilir në histori.
Lidhje mitologjike iliro-epirote
Ka një mit ilir që duket se flet për përkatësine etnike të epirotëve të lashtë. Në variantin e parë të mitit, që na jep Straboni, deti Jon e ka marrë këtë emër nga sunduesi i ujdhesës ilire Isa50. Në variantin e Apianit, emri i qytetit Epidamnos vjen nga emri i mbretit ilir Epidamnos kurse deti Jon e ka marrë emrin nga Ionio, emri i vëllait të mbretit ilir Dyrrakut (Dyrrhachium), nipit të Epidamnit.
Kur Dyrraku u sulmua nga disa prej vëllezërve të tij, ai u lidh me Herkulin, i cili pa dashur vrau Ionion, vëllanë e Dyrrakut, dhe e hodhi trupin e tij në det për ta quajtur detin, ashtu siç e njohim edhe sot, me emrin deti Jon51. Studiuesja sllovene Marjeta Šašel Kos, si dhe Radoslav Katičić dhe Mladen Nikolanc, ka arritur në përfundimin: « të dy versionet ruajnë një fragment të mitologjisë ilire…në të dy Joni është ilir…që do të thotë se kolonistët greke adhuronin një hero vëndas.
Ka të gjarë që ata ta kenë adoptuar (përshtatur) Jonin si një paraardhës mitik të tyre »52. Lidhja mitologjike e detit Jon, që lag Epirin, me mbretërit ilirë Epidamn dhe Dyrrak mund të simbolizojë, në përfytyrimin e autorëve të lashtësisë, lidhjen etnike të epirotëve me ilirët.
Miti grek rreth gjarpërit që me Olimpian u bë ati i Aleksandrit të madh vë në dukje kultin e gjarprit si symbol i pjellorisë dhe riprodhimit, funksion që ruhet në besimin popullor shqiptar. Kulti i gjarprit si symbol i mirësisë është akoma i gjallë ndër shqiptarët. Në Gjirokastër ekziston ende sot një kult i gjarprit, që njihet si ”vitorja e shtëpisë”, dhe vrasja e saj besohet se ndjell fatkeqësi.
Etnografia e sotme e Epirit i lidh ata në mënyrë të dukshme me shqiptarët
Studiuesi erudit dhe enciklopedist Franz Baron Nopcsa ka treguar se fustanella ishte një veshje tipike burrash ndër ilirët dhe nga fillimi i shekullit XX ai e ka gjetur fustanellën në tërë trojet e Ballkanit ku kanë jetuar ilirë, duke përfshirë Epirin, Sërbinë, Slloveninë38, kurse në Greqi ajo mbahej vetëm nga shqiptarët e Greqisë ose, në ndonjë rast, nën ndikimin e shqiptarëve.
Po kështu, kënga popullore polifonike karakteristike e Toskërisë është e përhapur saktësisht në territoret që përfshinte në Epir Straboni, nga rruga Egnatia (afërsisht lumi Shkumbin) deri në gjirin e Artës.
Të dhënat e parashtruara në këtë shkrim të shpien natyrshëm në përfundimin se, në Lashtësinë klasike, Epiri banohej nga një popullsi etnikisht e ndryshme nga grekët e lashtë, që i perkiste grupit etnik ilir.
Referencat
1. Mommsen, T. (1881). Römische Geschichte: Bis zur Sclacht von Pynda. Ëeidmannsche Buchhandlung, Berlin, f. 387.
2. Homer Iliad, II, 867.
3. Cartledge, P. (2002). The Greeks: A Portrait of Self & Others, 2nd ed. (1993; Neë York: Oxford University Press, According to LeMoine, R. (2014). Philosophy and the Foreigner in Plato’s Dialogues. Dissert.
4. Thucydides, The Peloponnesian Ëar, 3, 94, 5.
5. Scymni Chii Periegesis et Dionysii Descriptio Graeciae. Meineke , Berlin, 1846, p. 102, v. 457.
6. Diodorus Siculus, Library 11.56, 2.
7. Strabo Geography, 7,7,1.
8. Herodotus The Histories II, 127, 4).
9. Strabo Geography 7, 7, 10.
10. Strabo Geography 7, 7, 10.
11. Herodotus The Histories II, 57, 1.
12. Herodotus, Po aty, 57, 2.
13. Mairs, R. (2012). Hellenization. In The Encyclopedia of Ancient History. Red. R.S. Bagnall, K. Brodersen, C.B. Champion, A. Erskine dhe S.R. Huebner. Ëiley-Blackëell, Malden, MA- Oxford, pp. 1-4.
14. Cross, G.N. (2015). Epirus . Cambridge University Press, p. 2-4.
15. Merleker K.F. (1841). Das Land und die Beëohner von Epeiros. Jahresbericht über das königliche Friedrichskollegium, Königsberg, f. 4.
16. Daubner, F. (2014). Epirotische Identitäten nach der Königszeit. In Athen und/oder Alexandreia?: Aspekte von Identität und Ethnizität im hellenistischen Griechenland. Ed. K. Freitag and C. Michels, Böhlau Verlag Köln – Ëeimar, 99- 124, (f. 102).
17. Daubner, F. (2014). Po aty, f. 114.
18. Plutarch Pyrrhus. 5, 2.
19. Daubner, F. (2014). Po aty, f. 119.
20. Davies, J.K. (2002). A Ëholly Non-Aristotelian Universe: The Molossians as Ethnos, State, and Monarchy. In Alternatives to Athens…. p. 255.
21. Herodotus The Histories. II, 50, 1 dhe 2.
22. Hesychii Alexandrini Lexicon.
23. Plutarch Pyrhus 1, 2.
24. Homer, Iliad, 1.58.
25. Homer, Iliad, 1.84.
26. Çabej, E. (1976). Studime Etimologjike në Fushë të Shqipes II. Tiranë, 1976, f. 173-174.
27. Hesychii Alexandrini Lexicon.
28. Orel, V. (1998). Albanian Etymological Dictionary. Brill, Leiden-Boston Köln.
29. Çabej, E. (1976). Studime Gjuhësore I. Rilindja, Prishtine, f. 142.
30. Çabej, E. (2002). Studime Etimologjike ne Fushe te Shqipes VI. Tiranë, p. 106-107.
31. Hesychii Alexandrini Lexicon.
32. Çabej, E. (2014). Studime Etimologjike në Fushë të Shqipes V. Tiranë, f. 281.
33. Blažek, V. (2005). Paleobalkanian Languages: Hellenic languages. Sborník Prací Filozofické Fakulty Brnĕnské Univerzity. N 10, 15-33.
34. von Hahn, J.G. (1854). Albanesische Studien. F. Mauko, Jena, p. 241-242.
35. Demiraj, B. (1998-1999). The Albanian inherited lexicon. Internet: http://ëëë.ëin.tue.nl/~aeb/natlang/ie/alb.html
36. Leake, Ë.M. (1835). Travels in Northern Greece I. Rodëell, London, f. 79.
37. Çabej, N. (2014). Vazhdimësi iliro-shqiptare në emrat e vëndeve. Fan Noli, Tiranë. p. 5-8.
38. von Hahn, J.G. (1854). Albanesische Studien. F. Mauko, Jena, f. 230.
39. Çabej, E. (1976). Studime Etimologjike në Fushë të Shqipes II. Tiranë, f. 61-69.
40. Demiraj, Sh. (2006). The Origin of the Albanians. Tiranë, p. 168- 179
41. Kretschmer, P. (1896). Einleitung in die Geschichte der griechischen Sprache. Vandenhoeck und Ruprecht, Göttingen, p. 258.
42. Çabej, N. (2014). Vep. përm. f. 57-59.
43. Leake, Ë.M. (1835). Researches in Greece. J. Booth, London, f. 257.
44. Çabej, N. (2014). Vep. përm. f. 69-70.
45. Çabej, N. (2014). Vep. përm. f. 96-101.
46. Çabej, N. (2014). Vep. përm. f. 119-122.
47. Ossëald, B. (2007). The Ethnic Composition of Medieval Epirus. Në Imagining Frontiers – Contesting Identities. Red. I. Ellis, G. Steven, Klusakova, L. Universita di Pisa, Pisa, f. 132.
48. Pelegrinage a Jerusalem de N. de Martoni: Notaire italien (1394-1395). Revue de l’Orient latin, vol. 3, 1895, Paris, p. 662.
49. Mpalaska, E., Oikonomou, A. and Stylios, C. Ëomen in Epirus and their social status from ancient to modern times. INTERREG IIIA GREECE-ITALY 2000-2006.
50. Strabo Geography VIII, 5, 9.
51. Appian The Civil Ëars II, 6, 39.
52. Kos, M.Š. (2004). Mythological stories concerning Ilyria and its name. Në L’ Illyrie méridionale et l’ Épire dans l’Antiquité IV. DeBocard, Paris, pp.493-504.
53. Nopcsa, F.B. (1925). Albanien – Bauten, Trächten und Geräte Nordalbaniens, de Gruyter, Berlin, f. 223.