Categories
Histori Të gjitha

Dodona dhe gjuha shqipe, çelësat e artë të Mitologjisë së Lashtë

Djepi i mitologjisë është Dodona, çelësi i artë i historisë së vjetër; djepi i Pellasgëve është Dodona, e cilësuar njëzëri “pellasge” dhe “barbare”, djepi i fesë dhe qytetërimit të lashtë evropian, përkatësisht greko-romakë,është Dodona, Pellasgjia e Mirë-lltë. Dodona, Pellasgjia e Mirëfilltë ndodhet në zemër të Shqipërisë. Kjo është arsyeja, që shkrimtarët e vjetër dhe të rinj, vërejnë se gjuha shqipe është  gjuha e perëndive. Shqipja afron mundësi të mëdha, të pafundme, për studimin e botës së vjetër, e emrave të hyjnive, miteve, toponimeve, antroponimeve, etj. Samiu E shpjegon bukur origjinën e pellazgëve, të cilët kanë qenë para grekëve. Me ardhjen më vonë të helenëve pellazgët u shtynë në Thesali dhe prej andej në Epir. Kurse disa prej tyre kishin shkuar në Itali. Meqënëse në kohën e dyndjes së tyre në Evropë, – shkruan Samiu, helenët ndodheshin në gjendjen e barbarisë, kishin pranuar besimin e pellazgëve dhe kishin marrë shumë gjëra nga gjuha e tyre. Nga përzierja e gjuhës së tyre, lindi në Greqi një gjuhë e cila me kalimin e kohës u nda nga pellazgjishtja.Këtu gjen mbështetjen shkaku pse gjuha e poetit Omer të “Iliadës dhe Odisesë” shihet si më e afërt me pellazgjishten si gjuha e filozofit Platon. Samiu përmend edhe një fakt tjetër lidhur me këtë çështje se emrat e perëndive greke, pothuaj të gjithë janë pellazgjisht dhe arrin në përfundimin se gjuha e vjetër e Epirit nuk ka qenë greqishtja, por ka qenë pellazgjishtja.

Në dy shkrimet e mëposhtëm, “Mnia”dhe “Sirenat” po merremi me “leximin” e kuptimit dhe të emrit të tyre.

Mnia mitologjike dhe mëria shqiptare

Mëria shqiptare është e vjetër sa dhe vetë fjala “mni”, “mëri. Fjala e bukur “zemër”, pas të gjitha gjasave këtu e ka burimin: Zë mëni! Shqipja ruan besnikërisht kuptimin parak të fjalës si asnjë gjuhë tjetër. Mëria, pra, është një veti e zemrës. Në greqishten dhe latinishten e vjetër, “men” -“mon”, ka kuptimin e guximtarit, sypatremburit, trimit, të zemëruarit, të xhindosurit, e zotit, e mbretit. “Men”-“mon” do të thotë fuqi e madhe, “daimon” – “demon”. Homeri poemën e famshme “Iliada” e nis me vargjet: “Këndo o Muzë, mninë e Akil Peleut”!

Poeti tragjik i antikitetit, Eskili, xhindet, domethënë “eriniet” i quan “Menades”, një trajtë e së cilës shfaqet si  “Maniai”, pra, si “mani”, si shtysë e brendshme, si prirje e fortë, si sëmundje, si varësi. Rrënja e fjalës “mni” shfaqet dhe te epiteti i furive, “eumenidet”; te emri i Agamemnonit, mbretit të Akejve, te shprehja shqipe “burrë zamani”, domethënë “burrë zakoni”, nga ata të moçmit. Rrënja “zaman” është në lidhje farefisnore me rrënjën e vjetër “zameno”. Mirëpo gjuha shqipe të habit.

Me “minë” ka lidhje dhe fjala “mendje”. Në kohët e vjetra “mendje” shqiptohej si “men”, “teleshmën”, “humameno”, nga rrjedh “menje”, “mejtim”, etj. Në mitologjinë e të parëve tanë, pellasgëve, “Meti” përfaqëson hyjninë e menturisë, e mënçurisë. Shikohet qartë se kemi të bëjmë me një familje fjalësh me origjinë të përbashkët: mëri, zemërim, mendje, mendim, zemër, mat, matje, masë, mësim, etj. Deri këto kemi të bëjmë me një dukuri gjuhësore dhe mitologjike.

Por sikurse thamë, mënia është dukuri e pastër e zemrës dhe e mendjes, dukuri e pastër e shpirtit të njeriut. Shpirti s’është gjë tjetër veçse përzierje e mendjes dhe e ndjenjave, shkrirja e të dyjave në një njësi të vetme. Si e tillë, mëria, është energji e një lloji të veçantë, energji shpirtërore. “Mëria” është dhe një dukuri psikologjike, karakteristikë e psikikës së njeriut,  është dhe dukuri shoqërore, karakteristikë e një populli. Te shqiptari, puqet forma me përmbajtjen, kuptimi i thellë i fjalës me dukurinë “mni”, “zëmërim”. Asnjë gjuhë tjetër nuk e shpjegon më mirë e më qartë se sa shqipja kuptimin e fjalës së lashtë “mni”, mëri, sepse fjala është e saj. Në shqipe fjala “mëri” merr kuptim të ngjeshur, të pasur, të thellë: mëri, zemërim, dhembje, nëmje, mallkim, brengë, prekje në sedër, prishje qejfi, ngacmim, mallëngjim, fyerje, poshtërim, lëndim, duf i madh, egërsim, ndërkryerje, hakmarrje, cytje, xhindosje, urrejtje, tërbim, pra, një qerthull ndjenjash që burojnë nga zemra e kanë lidhje me zemrën, vatrën e saj. Mënia, zemërimi e vesh zemrën më një shtresë ndryshku, çmërsi, helmi, e bren pa prajtje, e ha me ngadalë, e gërryen përbrenda, e zbraz, e mbush me urrejtje, me egoizëm, me tërbim, me vrer.

Një shpirt i mnirëshëm është plagë e majisur. Mëria, zemërimi ngre male të lartë me urrejtje, errëson sytë, turbullon ndërgjegjen, shtrembëron shikimin, prish çdo ekuilibër të brendshëm, shkatërron çdo pengesë vetëkontrolli, çdo lloj maturie, mposht çdo ndjenjë tjetër, zotëron e tiranizon përsërbrendshmi njeriun, e bën skllav të urrejtjes, e xhindos, e domonizon, e nxjerrë jashtë kontrollit. Njëriu i zemëruar, i mnirshëm, është një qënie e ndërsyer, i cili s’ndalet para asgjëje, as para vdekjes. Ai nxin nga retë e zemërimit, të cilat shkarkojnë vetëtima dhe bubullima në kokën e tij në vlim e vithisje të përhershme. “Mnia” shfaros e zbeh çdo ndjenjë tjetër njerëzore, e mrrudhë, e kërrusë njeriun nën peshën e urrejtjes, e egërsisë, e shterpësisë. Të zemëruarit, të xhindosurit, të ndërkryerit, ecin në jetë me bindjen e verbër se ata janë strumbullari, shtylla kurrizore, boshti rreth të cilëve rrotullohet e gjithë jeta, shoqëria, koha, bota. Një iluzion i tmerrshëm, fantazmagorik, rrënues.

Mënia demoniake e “Akilëve” të sotëm

S’do kishim bërë një paraqitje të tillë nëse s’do të ndesheshim sot me dukurinë “mni”, zemërim, me një fuqi shkatërrimtare. Vëreni Akilët e kohëve të sotme. Vërejini me kujdes se si flasin, se si zgurdullojnë sytë nëpër ekrane, se si shtrëngojnë grushtet nën tavolina, se si shfryjnë dhe bulçasin nga “mnia”, nga urrejtja, nga tërbimi, nga etja për hakmarrje, për zotërim, për pushtet të pakufishëm. Brenda shpirtit të tyre hedh valle demoni i mnisë dhe ata shijnë, shkulin pemë, shkurre, shkrepa, rrokullisin popla për të frikësuar njerëzinë, për të asgjësuar kundërshtarin, mikun, armikun, cilin do që u del përpara! Mnia e Akilëve modernë ngre male të thepisur urrejtje, mure të lartë ndarje, veçimi e izolimi, krijon lumenj të tërbuar me urrejtje që përmbytin dhe shkretojnë ara, fusha e livadhe, formon ishuj  me ujëra të pista dhe këneta kutërbonjëse. Kështu, njeriu, atdheu, arsyeja humb mes maleve të egër, mes mureve të ngrysur, mes territ të shkurreve dhe pyjeve me driza, mes reve të nxira kaotike, mes dallgëve të tërbuara, mes stuhisë dhe gjëmimeve.

Për Akilët vetja është më e madhe se atdheu, vetja është më e rëndësishme se sa atdheu, për Akilët vetja është qendra e botës! Akilët tanë s’jepen veçse para forcës, veçse para dhunës; vetëm kësaj force të errët i besojnë deri në fund, vetëm nëpërmjet saj mëtojnë t’i zgjidhin të gjitha problemet, të paqtojnë veten, njeriun, shoqërinë, botën, të gjallët e të vdekurit! S’na mbetet veçse të recitojmë vargjet e Iliadës: “Këndo o Muzë, mninë e Akil Peliadhit”!

Këndo o Muzë, mninë e Akilëve modernë, që mbjellin e erë dhe korrin furtunë!

Sirenat – Vajzat e Valëve

Në këtë shkrim do të flasim për Sirenat, këto krijesa fantastike që rrojnë shkrepave të thepisur, buzë liqeneve të kaltër, ishujve detarë, lëndinave të lulëzuara, grykave të lumenjeve, kepeve dhe gjireve përrallore. Në mitologji sirenat janë gra të çuditshme, gra të hijshme, me emra të mëvetësishëm, si Parthenope, Leukosie, Lige, gra që magjepsin udhëtarët me zërin e ëmbël, me këngë hyjnore, me tingujt e fyejve të mahnitshëm. Sirenat ndjellin, joshin, tundojnë dhe të kredhin në dehje vdekjeprurëse. Muzika, kënga, zëri i ëmbël, robërues, është arma shfarosëse e këtyre bukurosheve magjepse, kushti i ekzistencës, kushti i mbijetesës! Këtë mision të shenjtë, këtë barrë të rëndë jua blatoi orakulli. Ose të dehin njerëzit me zërin e tyre ose të kthehen në gurë, të shuhen, të pushojnë se ekzistuari! E pra, sirenë nuk mund të jetë çdo kush, sirenë mund të jetë vetëm ajo qënie, që me zërin e ëmbël dhe me këngën e vet ndjell vdekjen e njeriut! Sirenat kanë tipare humane: magjepse, sugjestionuese, ndjellëse, joshëse, tunduese, vezulluese, lajkatare, dhelatare, dinake, të shkathëta, elegante, xheloze, të brishta si qelqi! Sirenat kanë dhe tipare hyjnore: gjysmë zogj dhe gjysmë gra, bija të lumenjve, najada, peshq, muza, shoqëruese të Perëndive, etj, etj.

Kushedi sa viktima kanë rënë pre e këngëve të sirenave, kushedi sa udhëtarë, detarë, njerëz të pafajshëm u bënë fli e këngëve dhe melodive magjepsëse! Ç’paradoks! Të vdesësh nga kënaqësia, të largohesh nga kjo botë vetëm se u dehe nga tingujt e magjishëm të një kënge a melodie! Ky është misioni i artit të madh? Kurrësesi! Nëpërmjet një kundërsensi, krijuesi anonim nxjerr në pah madhështinë dhe vlerën e artit të përjetshëm, e artit të pavdekshëm, që njerëzit bën të vdes! Njëkohësisht, damkos magjistricat, shtrigat, artin fals, anti-human, i cili nëpërmjet intrigave vret pafajësinë!

Të rralla janë dështimet. Më i bujshmi është rasti me Orfeun, këngëtarin hyjnor, i cili më lirën e vet, në vend që ta dehnin i dehu sirenat këngëtare. Sirenat kryeneçe thyen fyejt, humbën zërin, u bënë memece të përjetshme! Kur i dolën përpara Uliksit, ta ndillnin me këngë dhe tinguj të ëmbël, shurdhues, heroi mbylli veshët me dyllë dhe kaloi shtegun përmatanë; sirenat shkalluan nga zemërimi dhe u kthyen në gurë! Një ndodhi të tillë Straboni e vendos në Surrento, Lukani, ku ndodhet Kepi i Sirenave. Plini thotë se në Velia, qytet i Lukanisë, ende ruhet varri i sirenës Parthenope. Petro Marko, rrëfen legjendën e nënës së vet për gurët e Vunoit, atje buzë detit Jon. Ata gurë, bir, s’janë gurë, por njerëz të ngurosur. Do të thonim s’janë njerëz të ngurosur, janë Sirena, Sirena që kanë dështuar të ndjellin vdekjen me këngë! Vajza e Valëve a nuk është një sirenë?

Ç’kuptim ka fjal a “sirenë”? Shfletoj fjalorët mitologjikë dhe s’gjej asnjë shpjegim bindës, veç përsiatje, paralelizma, përshkrime bëmash, ngjarjesh, emrash, cilësish. Ja tek vjen nga lashtësia e thellë një fjalë tjetër shqipe! Sirenë! Thirrenë! Çirrenë! Fjalë e kulluar shqipe. S’bindeni? Çjanë Dithirrambet? A s’janë dy thirrmat, dy zëra të shkrirë në një? Ç’është isua labe, polifonia? A s’është shumëzërshi i shkrirë në një melodi, në një harmoni? Sirenat  thërrasin: na dëgjoni zënë, na dëgjoni këngën! Sirenat çirren: Ne nuk vrasin, ne falim kënaqësi, këngë, melodi!

Mitologjia

Gurrë gurgulluese ku shuajnë etjen njerëzit dhe vetë perënditë

Mitologjia s’është gjë tjetër veçse tërësia e miteve të krijuara nga njerëzimi në epokat   parahistorike, shumë të hershme, primitive. Miti nga ana e vetë nuk është gjë tjetër veçse forma më e hershme organizmit shpirtëror dhe shoqëror të njerëzimit, një sintezë e   përvojës kolektive, shprehje e identitetit  të përbashkët të një grupi shoqëror, një hapësirë e madhe mbushet me zota, me perëndi, me gjysmëperëndi, me mite, me legjenda, me rrëfenja, me heronj që bëjnë çudira, me engjëj, me zana, me nymfa, me shtojzovalle, orë, dryada, najada; kjo hapësirë mbushet me përbindësh të tmerrshëm, me shtriga, me gjarpërinj, me harpie, me ndodhi të pabesueshme, me ngjarje, luftëra, përleshje, fatkeqësi, rrëmbime, vende fantastike, me njerëz të jashtëzakonshëm, etj. Sado e çuditshme të duket, kjo është një e vërtetë e pamohueshme. Falë kësaj çiltërsie, falë këtij naiviteti, mitologjia vazhdon të ushqejë shpirtin e njeriut me të njëjtën forcë, si dje, si sot, si nesër. Lënda mitologjike shumëfishohet, pasurohet pambarimisht, duke marrë kuptime të reja, përmbajtje të reja, forma të reja, sipas kohës dhe rrethanave ku gjendet njeriu dhe shoqëria. Mitologjia është gurra gurgulluese ku shuajnë etjen krijuesit e të gjitha kohërave, artistët e të gjitha vendeve të botës, madje vetë perënditë.


One reply on “Dodona dhe gjuha shqipe, çelësat e artë të Mitologjisë së Lashtë”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *