Nga : Dorian Koçi
Kjo ishte beteja e parë e Gjergj Kastriot Skënderbeut pas marrjes së Krujës në 28 nëntor 1443 dhe shpalljes së revoltës së tij. Në një fushë të Dibrës së poshtme 8 mijë kalorës e 7 mijë këmbësorë, pjesa më e madhe nga principata e Kastriotit, mbetën në histori për faktin se jo vetëm mposhtën turqit, fuqia më e madhe e kohës, por edhe sepse kur shqiptarët janë të bashkuar mund të arrijnë fitore të mëdha.
Ja si e përshkruan Marin Barleti, betejën që hapi siparin e epopesë Skënderbejane në veprën e tij madhore “Historia e Skënderbeut” (1510)
“Në perëndim të diellit, Skënderbeu ngriti çadrat në Dibër të Poshtme, 80000 hapa larg Krujës, pranë një kodrine të mbuluar me ferra ose, më drejt, pranë një pylli plot me drunj shumë të dendur. Këtu, para së gjithash, gjeti një vend të përshtatshëm për të ngritur prita, për arsye sidomos sepse merrte vesh që armiku po vinte me forca shumë të mëdha, pastaj, pasi i ra anembanë tërë vendit me kalë dhe e hetoi me kujdesin më të madh me qëllim që t’ia arrinte fitores me një gjakderdhje sa më të vogël nga ana e vet, vendosi atje Gjin Muzakën dhe Hamzën bashkë me 3000 veta, duke e porositur që të mos luanin vendit para se të shikonin se ai bashkë me ushtrinë ishte përleshur me armikun dhe se po vlonte gjaku nga të dyja anët. Atëherë, duke shpërthyer në çastin e duhur kundër armikut dhe duke iu lëshuar me vrull e papritmas nga prapa, ta vdiste nga frika e ta bënte copë-copë, duke e vënë në mes dy zjarresh.
Me t’u rregulluar këta, s’vonuan shumë dhe ia mbërritën fluturimthi barbarët, të cilët i ngulën çadrat e zunë vend jo larg forcave të Kastriotit, pa ditur gjë fare nga të gjitha këto. Tanët morën urdhër që t’i shuanin menjëherë zjarret dhe një pjesë të binin të flinin e një pjesë të bënin rojë. Kjo u dha edhe më tepër zemër turqve, prandaj këta, pasi i ndezën vetë zjarret gjithkund, po talleshin me tanët, që rrinin në errësirë, duke ua quajtur këtë një turp dhe frikë të heshtur. Dhe, ndërsa bënin zhurmë pothuajse mu rrëzë pahisores, duke shfryrë mërinë e tyre me fjalë dhe me vepra njëkohësisht, u vërsuleshin gjatë gjithë natës portave, lëshonin të shara dhe me zor u përmbajtën pa sulmuar e pa rrethuar kampin. Por skënderbegasit s’bënin fare zë, s’u kthenin asnjë përgjigje, rnegjithëqë kishin se ç’t’u përgjigjeshin me plot të drejtë; ata kishin një dëshirë të flaktë: të dilnin dhe të shpërthenin me sulm kundër armikut, ngaqë s’mund t’i duronin më gjithë ato fyerje dhe sharje të tij, por, sipas urdhrit të kapedanit, ata qëndronin brenda në kamp pa nxjerrë zë dhe kështu barbarëve, gjersa Epiroti s’u jepte rast për t’u përleshur, u shtohej tërbimi.
Kur tashmë po agonte, Skënderbeu u dha urdhër të vetve që të kujdeseshin para së gjithash për trupin e vet, me qëllim që, në rast se ndonjë fat i keq i luftës, kundër shpresës së tij, e zgjaste, si për qesëndi, më tepër betejën, ushtria, e pangrënë, e dërrmuar nga uria, që natyra njerëzore nuk mund ta mposhtë, të mos e vazhdonte më me pak vrull luftën për fitore. Dhe kështu hëngrën në qetësi. Pas kësaj ai i nxori nga kampi të gëzuar, me shpirt e me trup që u fluturonte, dhe plot shpresë e mëri, duke i ndezur edhe vetë fort për ngadhënjim para se të fillonin nga puna. Pastaj, me qëllim që t’i merrte vesh mirë fuqitë e armikut, para se të ndeshej përfundimisht me të, bëri disa prova me ndeshje të lehta, më shpesh të kalorësisë se të këmbësorisë. Kështu po gatitej për betejën e vërtetë.
Në krahun e majtë ai vuri Tanushin me 1500 kalorës dhe me po aq këmbësorë, por kalorësinë, duke shpërndarë nëpër të disa këmbësorë shigjetarë, ai e vendosi në ballë, me qëllim që t’ia nisnin betejës të parët kalorësit dhe që kjo betejë kalorësiake të mos ishte pengesë për këmbësorinë tjetër, e cila do të hidhej në sulm apo do të tërhiqej për te të vetët, kur ta kërkonte puna. Në krahun e djathtë vepronte, po me këtë rnënyrë, Moisiu i Dibrës, kapedan i tij. Edhe ky vijën e parë e zuri me turmën e kalorësve të legjioneve të veta, me një mënyrë që këmbësorët ta kishin të lirë daljen nga çdo anë dhe zmbrapsjen të sigurt, sado që kjo punë për t’i drejtuar në betejë s’kishte shumë rëndësi të bëhej me ushtarët dibranë. Dhe, me të vërtetë, daç vë kalorës, daç këmbësorë, në vijë të parë apo të dytë, çdo gjë e ke të siguruar me ta; ata s’i lajthit kurrë fati, atyre s’u shpëton kurrë fitorja nga duart, ngaqë dinë se ç’bëjnë. Kështu këta ushtarë kryetrima janë mësuar që edhe rregullin ta mbajnë, edhe fatin, kudo që të jetë, ta tërheqin pas vetes. Vendin në mes dy krahëve (qendrën), duke i dhënë rreshtimit një formë si prej harku të përkulur, e mbante Kastrioti bashkë me fuqitë e tjera. Edhe ky në ballë vuri kalorës, më se 1000, për arsye se, duke qenë që kundërshtari s’kishte asnjë këmbësor, nuk e gjykoi të parrezikshme ta hidhte këmbësorinë kundër furisë së parë të stuhisë kalorësiake. Pranë tyre vuri gati po aq shigjetarë, duke i urdhëruar që të ndiqnin pas kalorësinë me qëllim që kështu të ishin më të siguruar prapa saj dhe të mos ishin të ekspozuar kundrejt armikut, ndërsa barbarin, që nuk do të dyshonte aspak për një gjë të tillë, ta lanin më tepër në gjak. Ndërmjet këtyre dhe atyre ai zuri vend vetë bashkë me të nipin, Gjergj Stresin, një djalosh trim. Atë e rrethonin nga të dyja anët ushtria dhe rinia krutane, sepse me qëllim kishte dashur që njëkohësisht të ishte edhe spektator, edhe nxitës për t’u dhënë zemër qytetarëve të vet. Pas shigjetave vinin menjëherë fuqia tjetër e kalorësisë dhe radhët e mburojtarëve e të heshtarëve bashkë me Aidinin (Aidin Muzaka), vëllanë e Gjinit. Vijën e fundit dhe detyrat e rezervës i mbante Vrana Konti, luftëtar i urtë dhe trim njëkohësisht, bashkë me kalorësit e tjerë. Megjithëkëtë, këmbësorët që ishin para tij kishin urdhër që, sapo t’i shikonin të vetët të dilnin nga pusia dhe armikun të ndrydhur nga prapa dhe të vënë në mes të dy krahëve, menjëherë, duke hapur rreshtat, t’u lëshonin rrugë kalorësve, të cilët, duke qenë të freskët e duke i kallur një frikë tjetër kundërshtarit, ashtu i lodhur siç ishte, ta shpartallonin e të bënin kërdi në të; përkundrazi, këmbësorët vetë, pasi të grumbulloheshin përsëri në vend, t’i siguronin mirë radhët, si rezervë dhe ushtarë të vijës së tretë që ishin, dhe të mos lejonin që të çahej ushtria, gjersa ta shikonin të sigurt shenjën e fitores e të pandreqshme gjendjen e armikut.
Skënderbeu, pasi e radhiti kështu ushtrinë, qëndronte pa lëvizur, as kishte mundësi që të tijtë ta shtynin dikur të jepte shenjën e sulmit kundër armikut, para se të shikonte se edhe barbari, i rreshtuar sipas zakonit të vet, po lëshohej në betejë, sepse kishte frikë se mos, po të shpërthenin ushtarët në sulm kundër armikut të parreshtuar, shkelnin rregullin nga dëshira për të sulmuar dhe sillnin në rrezik gjendjen e mbarë ushtrisë.
Ali pasha, duke vënë re formimin e ushtrisë sonë dhe duke përsëritur: «Më të paktë, gjithmonë më të paktë dhe më në rrezik», tallej me atë rreshtim si ai e me atë madhëri të një ushtrie të parrahur (të papërvojë, – Ali pasha tallej kështu me të gjithë ushtritë me të cilat ndeshej), që po marshonte me aq rregull drejt varrimit të vet.
Një legjion otoman kishte bërë më me guxim përpara legjioneve të tjera; kundër tij u turrën me guxim ushtarët e pararojës. Barbarët, pasi e prishën rregullin që në sulmin e parë, nuk e mbajtën dot veten, po u tërhoqën gjer te çadrat duke marrë me të vërtetë arratinë dhe me një frikë, që s’e fshihnin dot, nuk pritën që të provohej fati i gjithë ushtrisë. Por Skënderbeu, duke pasur frikë për ndonjë dredhi të armikut dhe duke menduar për ndonjë pusi, lëshoi menjëherë një pjesë të kalorësisë, që të frenonin vrullin e shokëve dhe ta kthenin secilin në radhët e ushtrisë dhe në vend të vet. Po kjo u bë edhe në krahun e majtë. Kështu, pasi të dyja palët u kthyen te të vetët, po bëheshin gati përsëri për përleshje, për një ndeshje më të rregullt të të gjithë ushtrisë. Por barbarëve u ishte shtuar guximi, sepse një pakicë e tyre kishte vënë gjoja në lojë një pjesë të madhe të ushtrisë sonë.
Beteja, pra, filloi rishtazi. Tanushi dhe Moisiu, pasi i ndanë në mes tyre krahët e armikut, ia nisën ndeshjes me rreptësi. Ashtu edhe Kastrioti, si u dha zemër aty për aty kalorësve, sulmoi atë pjesë të ushtrisë armike, që kishte marrë përsipër. Kalorësit në pritë, pa u hedhur ende armiku me të gjitha forcat kundër tanëve, dolën pa vonesë nga pusia me një potere shumë të madhe dhe, para se të zbrisnin në fushë të gjithë kuajt, radhët më të shumta dhe të gjithë ata më të fundit e ushtrisë turke, të tmerruar nga frika e papritur, morën arratinë, duke lënë betejën dhe kampin. Gjithë ata të vijës së parë, që u mbyllën ndërmjet të dy krahëve nga tanët, iu dorëzuan legjionit të mesit. Mbetej një pykë e ushtrisë armike, që Skënderbeu nuk mund ta lëvizte nga vendi dhe as guxonte t’i binte përmes që ta çante; në atë vend barbari, më i shumtë në numër, kishte formuar disa si ledhe. Atje Ali pasha, i rrethuar, siç u duk menjëherë në fund të betejës, nga lulja e gjithë ushtrisë dhe nga armët e më trimave, po mbante në këmbë fatin e luftës tashmë të lëkundur.
Aidini gjithashtu në qendër të frontit e kishte larë tani tokën kudo me gjak të barbarëve. Lufta ziente këtu më e ashpër se kudo, sepse armiku, gati i rrethuar, duke parë se s’i mbetej asgjë tjetër përveç armëve, po sulmonte sa mundte më rreptë, për të mos rënë pa u shpaguar. Përveç kësaj, atje kishte tërhequr edhe të tjerë fati dhe lajthitja ogurzezë e luftës e shumë veta, kur kishin dëgjuar se në ç’rrezik gjendeshin shokët e vet, u kishin shkuar shpejt në ndihmë. Kështu, sa më shumë barbarë që grumbulloheshin, aq më tepër zgjatej edhe beteja edhe nuk dihet se ç’përfundim do të kishte marrë sikur Vrana Konti, duke shpërthyer menjëherë në sulm me forca dhe me vrull të freskët, të mos ishte përleshur me armiqtë, që tanimë ishin lodhur dhe po u merreshin këmbët, edhe sikur të mos kishte përlarë çdo mbeturinë që qëndronte akoma. Megjithëkëtë kalorësia e këtij e sulmoi barbarin më me vonesë dhe u shkoi në ndihmë të vetve, kur ishin pothuaj në rrezik, sepse, nga frika se mos ushtria mbetej krejt e zhveshur prej çdo ndihme rezervë, gjeti, si më të sigurt, kohën për të shpërthyer në sulm, kur pa se ishin përleshur me të gjitha forcat të dy krahët dhe Garda Mbretërore. Me këtë mënyrë u grinë të gjithë e s’mbeti këmbë, përveç treqind vetave, kundër të cilëve, në bazë të së drejtës së luftës, Kastrioti s’e pa të udhës të shfrynin, gjersa po i ngrinin duart të paarmë dhe gati të mbaruar nga plagët.
Si mbaroi, pra, kjo punë dhe mori fund tërë ai mund i luftës, legjionet fitimtare po drejtoheshin me gëzim të madh e me brohori për te Skënderbeu, ku gjithçka e gjetën në gaz, sepse ushtria krutane e kishte bërë copë gjithë pykën dhe, pas një kërdie të tmerrshme, i dha kapedanit të turqve arratinë duke e ndjekur larg e më larg. Kudo gjak e vrasje, kudo s’dëgjohej tjetër veçse ulërima e atyre që po jepnin shpirt. Një palë po u hidhnin prangat robërve, një palë të tjerë, duke e lënë të shëmtuar trupin e armiqve, i merrnin kokën dhe e ruanin si dhuratë të veçantë për komandantin. Më të shumtët po plaçkitnin kampin, sepse njerëzit lakmonin më tepër plaçkën. Kështu ushtria, gjithkund fitimtare po sillte nëpër mend atë fitore aq të shkëlqyer, të cilën mezi e besonte edhe vetë i munduri, dhe po admironte atë punë aq të madhe, të kryer në një kohë aq të shkurtër, (se lufta u bë që nga agimi i diellit gjer në orën e tretë të ditës). Në këtë luftë u vranë nga barbarët afro 22000, 2000 u kapën të gjallë. U zunë 24 flamuj ushtarakë. Nga fitimtarët ranë pak, mezi bëheshin 120, por numri i të plagosurve ishte shumë më i madh.
Kështu Epiroti atë ditë, siç e shpresonin dhe e prisnin të gjithë, korri një fitore me të vërtetë të madhe, sepse në atë betejë nuk mungonte asgjë nga ato që kanë mundësi jo vetëm ta ndjellin fatin për të dalë faqebardhë, por edhe ta detyrojnë për një gjë të tillë; nuk mungoi as koha, as vendi, as rregulli i përsosur në të gjitha veprimet, as arsyeja e drejtë dhe njëkohësisht e domosdoshme për t’u përleshur. Më në fund për komandantët dhe ushtarët do të mund të thosha këtë: «Atë ditë luanët kanë komanduar luanë». Pjesa jo më e vogël e këtyre ishin veteranë, që kishin shërbyer dikur si ushtarë bashkë me të atin e Skënderbeut, kështu që ata mund t’i merrje jo për ushtarë, por për mjeshtër të zgjedhur të ushtrisë. Prandaj dukej se, po të fitonin në një betejë të tillë e po t’ia thyenin një herë hundën armikut, lufta kishte marrë fund.
Pasi u arrit fitorja, Skënderbeu e kaloi tërë atë ditë dhe atë natë në kamp me qetësinë më të madhe. Në mëngjes, plot krenari për fitoren, iu përvesh punëve të tjera, duke e tërhequr ushtrinë ende të përgjakur në një punë jo më pak të pëlqyeshme, në plaçkitjen e viseve armike. Grupe-grupe u lëshuan të gjithë pa dallim pa asnjë rregull, pa njeri në krye, me një përbuzje dhe mospërfillje, të cilat lindën, siç ndodh, prej suksesit që patën. Por kapedani i matur dhe që s’dehej kurrë nga sukseset, i frenoi mirë dëshirat e ushtarëve, gjersa zbuluesit e dërguar njoftuan se s’kishte gjëkundi rrezik nga pritat. Atëherë, me t’u lënë e lirë plaçkitja, kalorësia u derdh kudo mbi tokën armike e po shfrynte mbi të mirat e fushës, mbi bagëtinë dhe më në fund mbi vetë pemët. E fryrë nga fitorja që sapo kishte korrur, kalorësia fluturonte nga gëzimi e asgjë nga ato që mund të prishë shpata dhe zjarri nuk kursente, veçse gra dhe fëmijë. Plaçka po sillej nga çdo anë me një shamatë të atillë, saqë dukej sikur po ngjante një pështjellim tjetër lufte dhe sikur ziente i gjithë vendi plot me luftëtarë.. As për plagët s’donte t’ia dinte kush. Dhe me të vërtetë, lakmia në këtë rast kishte tërhequr edhe shumë nga ata që dolën të plagosur prej betejës. Asnjëri nuk rëndohej, nuk e ndiente lodhjen; burrave u ishin zhdukur djersët që sapo i patën. Të paktën plaçka e begatshme, siç ndodh, askujt nuk i jepte mërzi. Kështu ushtria iku më tepër e mërzitur për disa gjëra që s’mundi t’i merrte, sesa e gëzuar për ato që mori.
Si plaçkitën mjaft e shfrynë sa u ngopën nëpër vendin e armikut, Skënderbeu dha shenjën e nisjes. Pas tij, e ngarkuar me plaçkë dhe tërë gëzim, po vinte ushtria që u nis pa vonesë. Kapedanët po shkuleshin së qeshuri nga shakatë që bënin me ushtarët e vet, duke i quajtur frikamanë, sepse nga luftëtarë kryetrima ishin kthyer në rrëmbyes bagëtish dhe nga mbrojtës të Arbrit në ruajtës dhensh. Kështu ushtria, si në festë, me një gëzim që s’kishte të mbaruar e me shaka e këngë njëra pas tjetrës, po vazhdonin pa e ndier lodhjen e rrugës, gjersa u përshëndetën nga rojat e kampit që kishin dalë përpara pahisores.
Pasi e kaluan atë natë në kamp, Skënderbeu të nesërmen, kur sapo kishte aguar drita, dha urdhër të mblidhnin plaçkat dhe bashkë me ushtrinë fitimtare u nis për në qytetin mbretëror të Krujës. Populli, që ishte derdhur nëpër gjithë rrugët, po i priste me brohori, duke i quajtur fitimtarë një për një. Të gjithë çuditeshin me plaçkën e madhe. Kalorësit e rinja) mezi njiheshin nga njerëzit e vet. Për shumë ditë me radhë u bënë përgëzime dhe gjithë princërve të Epirit iu dërguan letra të kurorëzuara me dafina si edhe disa flamuj ushtarakë; një pjesë tjetër e këtyre u ngulën nëpër faltore.
Drejtor i Muzeut Kombëtar