Categories
Histori Të gjitha

Mbi pellazgët, paraardhësit e fisit ilir – Mbi origjinën e emrit e të popullit ilir

Për të krijuar një ide në lidhje me faktin nëse është Hylli, mbreti i parë i ilirëve, apo nëse ka të tjerë mbretër ilirë para tij; nëse ia dha ai emrin kësaj race apo nëse kjo racë e kishte trashëgim këtë emër nga një periudhë arkaike akoma e padokumentuar saktë, e keqinterpretuar apo e pathënë ose e shformësuar e keqshqiptuar në literaturën e lashtë, kjo ngelet për t’u shtjelluar me kujdes dhe për t’u trajtuar më gjerësisht.

Këtë gjë nuk e bën dot një shkrim. Ndoshta tokat (shqiptare/hylline) ruajnë në brendësi, të heshtura e besnike, sekrete të tilla si tripodin e Apolonit, varrin e Kadmit e të Harmonisë, atë të Medeas e të Jasonit, e ndoshta-ndoshta edhe vetë Bashkën e Artë. Nisur nga pamundësia për të shfaqur një panoramë të plotë zanafillës së emrit Hyll brenda këtij shkrimi dhe duke menduar se pjesa e mëposhtme jep një informacion të dobishëm në lidhje me këtë emër, duket e arsyeshme që interpretimi i Farlatit të jetë pjesë e këtij diskutimi. Pjesa e mëposhtme është marrë nga vëllimi i parë i veprës “Illyricum Sacrum”.

Nga Daniele Farlati-“Illyricum Sacrum, v. I”

Hyrje mbi Ilirikun

Përpara se të nis e të shkruaj për Dalmacinë e për kishën e Salonës, është e nevojshme të them disa gjëra në mënyrë të përmbledhur për universin ilirik, pjesë e rëndësishme dhe shumë e dëgjuar e të cilit ka qenë gjithmonë Dalmacia. Shpjegime të mëtejshme e më të hollësishme për këtë çështje do t’i japim në shënimet që do të shoqërojnë historinë kishtare të Ilirikut. Kjo trevë ka qenë e quajtur Ilirik si nga latinët, ashtu edhe nga grekët; por grekët jo rrallë e quajnë atë edhe Iliridë. Këtë formë ndonjëherë e huazuan edhe latinët, si p.sh. Pomponius Mela në librin I, kreu 3: Anën e Adriatikut e zë Ilirida. Këtë vend e ndeshim të quhet Iliri tek autori grek Stefan apo te autori latin Proprec, libri I, Elg. VIII: A thua se për ty vlej më pak se Iliria e akullt?

Banorët e atij vendi i quajnë ilirë, si grekët, ashtu edhe latinët. Ndër autorët grekë që i quajnë ata ilirë është edhe Eustathi, në shënimet e tij mbi Periegetin. Por tani është bërë zakon, madje edhe normë të foluri, që këta të quhen edhe ilirikë. Gjithçka që lidhet me ilirët apo emërtimet që lindin nga emri i këtij fisi, quhen ilirike, si p.sh. grykat ilirike, apo ushtritë ilirike tek Taciti. Mbishkrimet dhe monedhat e vjetra na mësojnë se ata quhen edhe ilirikanë, si p.sh. pretorë ilirikanë e ushtri ilirikane. Një gjë të tillë e konfirmon edhe Valeriani në letrën e tij për Zosimonin, të cilën e përshkruan:
Pollioni në kreun XIV të Klaumt: Në krye të legjionit të pestë, më të zgjedhurit, vumë si tribun Klaudin, një burrë me origjinë ilirikane. Tek Mediobarba, faqe 353, flitet për një monedhë të Decit, ku është gdhendur mbishkrimi: hyu mbrojtës i ushtrisë ilirikane. Ndërkohë, fjala ilirik, ku gërma latine zëvendëson atë greke, përdoret rrallë, por gjithsesi nuk zhduket krejt. Autorë të ndryshëm e paraqesin në mënyrë të ndryshme gjendjen e fisit ilir, gjë që zakonisht ndodh kur ekzistojnë mendime të ndryshme mbi origjinën e gjuhëve e të popujve.

Pothuaj nuk ka popull, që të mos jetë objekt debati për sa i përket origjinës së emrit e të fisit të vet. Autorët që shkruajnë për origjinën e popujve të ndryshëm japin mendime aq të ndryshme e kontradiktore mes tyre, fusin aq shumë elemente imagjinare në rrëfimet e tyre, saqë lexuesi e ka më të lehtë të dallojë të pavërtetat, sesa të gjejë të vërtetat në veprat e tyre. Kështu ndodh edhe me çështjen e origjinës së popullit ilir, për të cilën nuk ka një mendim të vetëm, por shumë të tillë. Appian Aleksandrini në Illyr, mbi bazë të rrëfimeve popullore, pohon se Ciklopi Polifem pati nga gruaja e tij Galatea tre fëmijë, të cilët pasi u larguan nga Sicilia, sunduan në vise të pafundme, në Kelt, në Galë dhe së fundi në Ilir, prej nga kanë ardhur emrat e keltëve, galëve dhe ilirëve. Por, megjithëse vetë Appiani e pranon se këto tregime janë më shumë fantazi sesa histori e vërtetë, përsëri ai është i prirë t’u besojë më shumë atyre, sesa rrëfimeve të pabesueshme të autorëve të tjerë, që gjithashtu shkruajnë mbi origjinën e ilirëve. Mes gjithë rrëfimeve që bëjnë fjalë për këtë çështje, shkruan ai, këto më duken më të besueshme. Autori Stefan Bizantini mendon se, emrat ilirik e ilirë vijnë nga emri i djalit të Kadmit, Ilirit.

Të njëjtën gjë pohon edhe Eustathi në konsideratat e tij mbi Dionisin: në të djathtë ndodhen vendet e ilirëve, që quhen kështu prej emrit të djalit të Kadmit, Ilirit. Këtë mendim me këta dy autorë e ndan edhe Apollodori, i cili, në librin 3 shkruan se Iliri ishte djalë i Kadmit, mbretit të Ilirëve: mbi ilirët sundon Kadmi dhe këtij i ka lindur një djalë me emrin Ilir. Gjithsesi, një shpjegim i tillë kundërshtohet nga Samuel Bochard, sipas të cilit fjala Ilir s’ka të bëjë fare me gjuhën e Fenikasve apo të Amoritëve që përdorej nga Kadmejtë. As në zakonet e në institucionet e ilirëve dhe as në gjuhën e tyre të hershme dhe te sotme apo vulgare, nuk ndeshet ndonjë gjurmë e origjinës nga Fenikia, vendi ku u lind Kadmi. Gjë që na shtyn të mendojmë se, emri dhe origjina e tyre duhen kërkuar në një vend, që ka emër e zakone të tjera. Në mbrojtje të kësaj teze nuk mund të përdoret as emri i Apollodorit, i cili i atribuon emrin Ilir djalit të Kadmit.

Në fakt, autorë të ndryshëm e kanë zakon të përdorin për kohët e reja fjalë të marra nga kohë më të hershme. Kështu, të vjetrit e quajtën të birin e Kadmit me emrin Ilir sipas emrit të vendit ku ai sundoi; por ky vend në atë kohe nuk quhej Iliri, u quajt kështu në kohën kur ata shkruanin. Për këtë na jep një provë mjaft bindëse fragmenti i përmendur i Apollodorit, ku thuhet se Kadmi sundonte mbi Ilirët përpara se t’i lindte djali Ilir, d.m.th, përpara se ata njerëz të quheshin Ilirë, përderisa (në qoftë i vërtetë pohimi i Stefanit dhe i Eustathit) Ilirët e morën për herë të parë këtë emër sipas emrit ilir që mbante djali i Kadmit. Kujtoj gjithashtu se, djali i Kadmit u bë sundimtar i një vendi fqinj tek Enkelejtë, që më vonë u quajtën edhe ata Ilirë. Por, meqenëse shkrimtarët e mëvonshëm nuk e dinin emrin e tij, menduan ta quajnë sipas emrit të vendit ku kishte lindur ose ku sundoi, i cili në kohën kur ata shkruanin quhej Iliri. Këtu duhet shtuar se, qysh prej kohëve shumë të vjetra, e gjithë ajo treve ku lindi emri Ilirik, ishte konsideruar si pjesë e Greqisë, madje edhe tani quhet më së shumti Greqi. Prej këndej mendohet si më e mundur që të parët e Ilirëve ta kenë origjinën nga Pellazgët, ose Grekët, dhe jo nga Fenikasit apo ndonjë emër e popull tjetër. Prej nga rezulton se nuk është i pranueshëm as mendimi i atyre, që besojnë se origjina e popullit Ilir duhet kërkuar tek Asianët, tek Galët apo tek Sarmatët.

Të parët e ilirëve e kanë prejardhjen dhe emrin nga pellazgu Hyll

Meqenëse mendimet e autorëve të tjerë nuk sjellin ndonjë gjë të re për çështjen tonë, po mundohem të paraqes sa më shkurt tezën time. Por as unë vetë nuk pretendoj se do të sjell gjëra të sigurta, për të cilat nuk mund të dyshohet. Për çështje që i përkasin kohëve të vjetra e të errëta, është më e thjeshtë të dallosh të pavërtetat, sesa të gjesh të vërtetat e të sigurtat. Gjykoj se do ta kem kryer detyrën time, nëse do të arrij të ndjek rrugën, që më duket më e drejtë. Në fakt unë gjykoj se i përgjigjet më shumë së vërtetës teza sipas së cilës, të parët e Ilirëve e kanë prejardhjen dhe emrin nga pellazgu Hyll, djalë i pellazgut Herkul.
Nuk do të dëshiroja që lexuesi t’i konsideronte si legjenda e krijime fantastike të gjitha rrëfimet që na kanë lënë historianët e lashtë mbi Herkulin dhe bëmat e njohura të tij. Askush, përveç atyre që nuk i besojnë fare historianëve antikë, s’mund të mohojë, që ka ekzistuar dikur një burrë, që quhej Herkul, me forcë e virtyte të jashtëzakonshme, i cili brodhi botën, duke përballuar rreziqe të shumta e të rënda, duke kryer vepra të shquara e të guximshme, duke i bërë shërbime të shumta racës njerëzore. Sigurisht, lashtësia i ka atribuuar Herkulit shumë gjëra, të cilat janë të pavërteta dhe krejt të pabesueshme. Por këto i detyrohen frymës dhe zakoneve të asaj epoke, për të cilat flet gjatë e gjerë Varroni. Në fakt, shkrimtarët ia lejonin vetes që t’i zbukuronin dhe t’i frynin bëmat e heronjve të lashtësisë me rrëfime mahnitëse e të trilluara. Në ndonjë rast, nën koren e këtyre legjendave fshihet ndonjë e vërtetë, siç shpjegon bindshëm Palaephatus lib. I, si dhe mjaft dijetarë të tjerë të shquar. Ndër djemtë e shumtë që Herkuli zuri me gra të ndryshme, thuhet se dy prej tyre u quajtën me emrin Hylli; i pari u lind nga Dejanira, kurse i dyti nga Melita, bijë e Nausithës, mbret i Feakasve. Grenovius na informon i pari se, për arsye të panjohura, Herkuli ishte joshur aq shumë nga fjala Hylli, saqë vendosi t’u verë dy ose më shumë se dy djemve të tij emrin Hylli. I pëlqeu aq shumë ky emër Herkulit, shkruan ai, saqë thuhet se quajti me të jo vetëm njërin prej bijve të tij. Prej kohësh është cituar e komentuar pasazhi i Apollon. Rodit, lib. 4, që rimerret edhe nga Stefan Bizantini, ku ai përmend Hyllin e lindur nga Melita; por njëherësh nuk lë pa përmendur një tjetër Hyll të lindur nga Dejanira, ndërkohë që autorë të tjerë nuk mjaftohen me këta dy Hylla, por prodhojnë akoma të tjerë me këtë emër. Por nuk duam të përsërisim këtu thëniet e tyre. Tezën sipas së cilës Hylli, djali i Herkulit dhe i Melitës mori në dorëzim një principatë në trevën ku u shfaq emri llirik, dhe se prej tij u quajtën Hyllinë edhe popujt e atij vendi, e kanë mbrojtur autorë të vjetër e plot autoritet, si: Apolloni, Skylaksi, Skymni, Festus Avieni si dhe të tjerë. Me ta bien dakord edhe thuaj të gjithë autorët më të rinj, që kanë shkruar mbi ngjarje të atyre kohëve dhe të atyre vendeve. Për sa i përket çështjes se në ç’mënyrë ajo principatë kaloi në duart e Hyllit, për këtë ka vetëm hamendësime nga autoret antikë. Herkuli erdhi në Itali pas ekspeditës hispanike e gale, dhe u prit aty nga Evandri në vitin 1238 para Krishtit sipas kronologjisë petaviane, afro pesëdhjetë e pesë vjet përpara se Enea të zbriste në Itali. Pasi u largua nga Evandri, përshkoi me këmbë, siç ishte zakon, të dy brigjet e Adriatikut, deri sa mbërriti në një vend që për shumë shekuj kishte qenë pjesë e Maqedonisë, më vonë u quajt Epiri i Ri, kurse tani thërritet Shqipëri (Albania). Kështu thonë Diodor Sikuli dhe Appian Aleksandrini. Herkuli, shkruan Diodori, pasi përshkoi gjirin Adriatik, kaloi drejt e në Epir, prej nga u zhvendos në krahinën e dominuar nga malet Akrokeraune. Por Appiani në librin e dytë mbi Luftën Civile, pasi shmang udhëtimin në Gali e Itali, e vendos mbërritjen e Herkulit në këto vende menjëherë pas ekspeditës Hispanike.

Hylli, i biri i Herkulit dhe i perëndeshës Melita, dhe mbretëria e tij

Pra, kur Herkuli mbërriti në Epirin e Ri rrotull vitit 1237 para erës së re, aty sundonte Dyraku (Dyrrhachus) nga fisi i Kadmit, nip i Epidamnit, i cili e kishte selinë mbretërore në një qytet të themeluar nga gjyshi i tij dhe që quhej Epidamn. Ky kishte dy vëllezër, të cilët të shtyrë nga etja për pushtet, nxitën një kryengritje popullore për të dëbuar vëllain e për të shtënë në dorë pushtetin. Ardhja e Herkulit i shkoi mjaft për shtat Dyrakit, i cili në atë kohë rrezikonte jetën dhe mbretërinë e tij. Ndaj e priti mikun sikur të kishte rënë nga qielli dhe iu lut atij ta ndihmonte kundër vëllezërve, duke i premtuar një pjesë të mbretërisë, në rast do t’ia dilnin mbanë. Nuk refuzoi Herkuli, që kishte lindur për të shtypur tiranë e për të ndihmuar njerëzit e varfër e fatkëqij. Nxori në fushën e betejës luftëtarët dhe miqtë që e kishin shoqëruar në udhëtimet e në vuajtjet e tij, u ndesh me armiqtë dhe pasi i shpartalloi dhe i dëboi vëllezërit, i siguroi Dyrakit sundimin në mbretërinë e trashëguar nga të parët. Ky nuk e harroi premtimin për të shpërblyer nderin e bërë, ndaj shkëputi një pjesë të mirë nga zotërimet e tij dhe ia dhuroi Herkulit. Këto ngjarje Appiani i përmbledh me pak fjalë: “Në kohën kur Dyrakit i kishin shpallur luftë vëllezërit e tij, mbërriti nga Erythria Herkuli, i cili i ofroi ndihmë, me kusht që t’i jepte një pjese të zotërimeve; duke u bërë bashkëpjestar i Mbretërisë. Dyrakinët e shpallën atë si kreun e tyre, por jo sepse donin të mohonin Dyrakun, por më shumë sepse Herkuli u jepte rastin ta çonin origjinën e tyre tek Zoti”. Megjithëse Appiani nuk sqaron se cila ishte ajo krahinë, të cilën Herkuli e pranoi nga Dyraki si shkëmbim për aleancën e tij nuk ka arsye të dyshohet nëse ajo ishte apo jo pjesë e Mbretërisë Dyrakine, që në anën e perëndimit përfshinte viset midis Drilonit e Naronës. Në fakt, sipas pohimeve të të gjithë autorëve të vjetër, Kadmi, që më pas ja la në trashëgim pushtetin Dyrakit, kishte sunduar në vendet e Enkelejve dhe pikërisht aty dëshmohej dikur ekzistenca e monumenteve të Kadmit. Por meqenëse shkrimtarët e sipërpërmendur na kumtojnë se në ato vende sundonte mbi popullin e Hyllinëve Hylli, djali i Herkulit dhe i Melitës, është e drejtë të konkludojmë se, ky e mori dhuratë nga i ati këtë vend të fituar falë trimërisë atërore. Më tej, siç rrëfen Apolloni, Hylli u edukua tek gjyshi, Nausithus, në Feaki, d.m.th. në ishullin e Korkyrës (Korfuzit-shënim jashtë tekstit origjinal të Farlatit), ku iu nënshtrua një disipline të rëndë e të ashpër. Kështu që, kur ky i kërkoi gjyshit leje që të kthehej në atdhe për të marrë në dorëzim mbretërinë e lënë në trashëgim nga i ati, gjyshi i dha nipit të gjitha udhëzimet e nevojshme bashkë me të drejtën që të merrte me vete nga Korkyra sa njerëz të dëshironte. Siç thotë Apoloni, Hylli bashkë me një grup të madh njerëzish të mbledhur në tokën e Feakasve u zhvendos në bregun e detit Saturn (d.m.th. Adriatik), dhe pasi mbreti Nausithus i tregoi drejtimin e lundrimit, u nis. Hylli u nda nga gjyshi plot dashuri, dhe rreth vitit 1236 para Krishtit solli me vete një koloni të tërë Feakasish, që i vendosi në ato toka që Herkuli i kishte marrë nga Dyraki, kurse ai vetë i mori si trashëgimi nga i ati Herkul, dhe aty hodhi bazat sa të mbretërisë së tij aq edhe të Ilirikut historik. Pra, me të mbërritur në këto anë, Hylli u ndau toka e shtëpi Feakasve, që kishte sjellë me vete. Njëherësh, me qëllim që ky vend dhe banorët e tij, qofshin autoktonët apo të ardhurit, të mos ishin thjesht shtetas të tij, por edhe të mbanin emrin e tij, e quajti vendin Hyllë ose Hyllidë, kurse banorët Hyllinë. Ne gjykojmë se, prej këndej zë fill emri dhe fara e Ilirëve.
Sepse, nëse vërtet i duhet besuar argumenteve të etimologjisë, që merret me hetimin e origjinës së fjalëve, nuk duhet ta kenë gabim ata që e bëjnë fjalën Illyrik të prejardhur nga Hyllinët. Vështirë të gjesh tek shkrimtarët një popull tjetër, si fisi dhe vendi i Hyllinëve, që të ketë pësuar aq shumë variacione të emrit. Në fakt, populli është quajtur Hyllë, Hyllinë, Hylleidë, Hyellë, Hylleicë, Hyllicë, ku çdo formë e mësipërme ka dhënë të tjera forma të shtrembëruara. Por, a do të ishte i mundur shndërrimi i fjalës Hyllinë në Ilirë? Midis dy fjalëve ka njëfarë ngjashmërie e familjariteti, ç’ka tregon se ato e marrin origjinën e përbashkët tek emri i lashtë Hyll. Nuk më duket se fjalët Hyllinë e Hyll qëndrojnë afër me njëra-tjetrën, sa ç’qëndrojnë larg fjalët Illyrë e Hyllinë. Mua më duket se forma e sotme e mjaft emrave të tjerë të lashtë e më të rinj, përmban shtrembërime akoma më të dukshme, e megjithatë ata emra janë pranuar dhe përdoren nga njerëzit. Sikur të kisha kohë, do të mund të përmendja gjashtëqind shembuj autorësh të njohur, të cilët origjinën e emrave e nxjerrin nga prototipe shumë të largëta, aq sa midis formës së parë dhe asaj të derivuar me vështirësi gjen ndonjë afërsi apo ngjashmëri. Kështu, kur ata flasin për krijuesit e parë të popujve pas përmbytjes së madhe, pretendojnë se nga Thira vjen emri i Thrakëve, nga Madai rrjedh emri i Medëve, nga Javan ai i Jonëve dhe nga Thogorma vjen emri i fisit të Thygramanëve. Këtu duhet shtuar se, meqenëse në emrin e përgjithshëm Ilirik përfshihen disa provinca, mund të përcaktohet deri diku koha, kur secila nga ato mori emrin Ilirik, që nuk e kishte më parë. Në fakt, nuk mund të gjendet koha e saktë dhe e sigurt, kur filloi të përmendej emri Ilirik, kur treva midis rrjedhës së lumenjve Naronë e Drilon filloi të quhej ilirike dhe kur ajo hyri nën juridiksionin e Ilirikut, që duhej të ekzistonte më parë. Nga ku mund të nxirret konkluzioni se, Hyllinët nuk ishin të emërtuar sërishmi kështu, për sa kohë kishin si paraardhës Ilirët, Hyll dhe Hyllinët i përkisnin fisit Pellasgjik ose grek, sepse i ati i Hyllit, Herkuli, kishte lindur në Tebë, në Greqinë e mesme, dhe nga baba e nga nëna e kishte origjinën nga fisi i stërlashtë i mbretërve të Argosit e të Mikenës. Ndërkohë, ata feakas, që Nausithus ia dha Hyllit për shoqërues, e kishin prejardhjen nga një fis i vjetër pellazgjik nga Arkadia, i cili në një epoke të caktuar emigroi nga trojet atërore duke u derdhur në Evropë e në Azi, ku pushtoi disa, ishuj, brigje dhe hapësira të pafundme toke. Këto të dhëna i japin Herodoti, Straboni, Halikarnasi, Pausania e shumë të tjerë. Por duhet t’i zëmë besë edhe Rafael Levakoviçit, arqipeshkv i Ohrit dhe hulumtues i zellshëm i çështjeve ilire, i cili në parathënien gjeografike mbi historinë Ilire, na josh të pranojmë tezën e mëposhtme, i së cilës ai është autor: fillimisht thuhej se, populli Ilir vinte nga Hyllejtë, që e merrnin emrin nga Hylli, djali i Herkul Alkeut dhe i Melitës, vajzë e lumit Egje. Por më vonë ndryshuan të dhënat e shkruara dhe gojore, dhe u shfaq një rend i ri i emrave: në fillim u vu Hylleni, pastaj Illiniku dhe në fund Illyriku. Po ashtu, Hylli, që u dha emrin e tij Ilirikëve, shfaqet nën emrin Illynik e Illyrik. Nga ana tjetër, ai quhet Hylli i Melitës ose Hylli i vogël, për ta dalluar nga Hylli tjetër, bir i vëllait të tij të madh dhe i Dejanirës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *