Categories
Histori Të gjitha

Papa me origjinë shqiptare nënshkroi aktin e kurorëzimit të ikonës së Shën Mërisë në Poloni

Në pjesën perëndimore të qytetit Çenstohova (Czestochowa) që ndodhet në jug të Polonisë, është një kodër 293 metra e lartë mbi niveline detit, që quhet Jasna Gura (Jasna Góra).

Në këtë kodër , që polakët e konsiderojnë si Sankturium (vend i shenjtë), mbi themelet e një kishe të vjetër që quhej “Virgjëresha e Bamirësisë Shumë e Shenjta Shën Mëri”, nga Urdhëri katolik i Paulinëve që erdhën në Poloni nga Hungaria, në vitin 1382 u ndërtua një Manastir, bashkë me komplekset e tij. Në këtë Manastir ndodhen shumë vepra arti të bukura kishtare, por më e rëndësishme është Ikona e Shën Mërisë që mban Jezu Krishtin në krahun e majtë. Për shkak të ngjyrës bronz të errët të fytyrës së Shën Mërisë dhe Jezu Krishtit, si rrjedhojë e përdorimit të vernikëve gjatë restaurimeve të shpeshte që i janë bërë Ikonës ndër vite, ajo ndryshe quhet “Madonna e Zezë”.

Ikona ka përmasat 122×82 cm. dhe është shkruar mbi një dërrasë prej trungu bliri. Ajo paraqet Shën Mërinë të veshur me një fustan ngjyrë blu të errët, të mbuluar me një pelerinë, veshur me një astar të kuq, duke mbajtur në krahun e majtë Jezu Krishtin fëmijë. Pamjen e fytyrës ajo e drejton drejt qendrës, ndërsa gjishtërinjtë e dorës së djathtë i drejton tek Jezu Krishti, si për të treguar se Ai është burim shpëtimi. Nga ana e tij Jezu Krishti dorën e djathtë e drejton drejt qiellit si shënjë e bekimit nga Perëndia, ndërsa në dorën e majtë mban librin e Biblës.

Në historinë e krishtërimit thuhet se, ikonat e para me fytyrën e Shën Mërisë dhe Jezu Krishtit, janë shkruar (për ikonat thuhet se shkruhen dhe jo pikturohen) nga Shën Lluka Evangjelisti, që ka jetuar në shekullin I të erës sonë. Ai shkroi shtatëdhjetë ikona, dy prej të cilave thuhet se njera ndodhet në Bolonjë të Italisë ndërsa ikona e dytë ndodhej në Jeruzalem. Ushtarët e Kruqëzatave, në shekullin I, atë e gjetën të fshehur në një guvë dhe pastaj e vendosën në një kishëzë të Jeruzalemit.. Në vitin 326 atë e gjeti Shën Elena, nëna e Perandorit Konstadini i Madh (274-337) një prej perandorëve më të shquar të Perandorisë Romake, themeluesi i Konstandinopojës në vitin 330, të cilit ia dhuroi atë atij .Konstadini i Madh dëshironte që këtë Ikonë ta vendoste në ndonjë kishë të sapondërtuar në Konstandinopojë, por për shkak të luftrave që zhvilloheshin në atë kohë, kjo nuk u bë e mundur dhe Ikona u vendos në muret e qytetit, prej së cilës thuhet se armiqtë tmerroheshin dhe nuk mundën ta pushtonin atë. Kjo mund të konsiderohet “mrekullia” e parë e kësaj Ikone.

Më pas, Konstandini i Madh dëshoronte që Ikonën t’ia dhuronte një princi rus, por kjo nuk u realizua prej tij. Kronikat ruse thonë se Ikona, nga Konsandinopoja, filllimisht në vitin 1270, ka mbërritur në qytetin polak Lvov (sot ndodhet në territorin e Ukrainës) dhe pastaj në kështjellën e princit polak Vlladisllav Opolczyk, që ndodhej në qytetin Bellza, që edhe ai bënte pjesë në Mbretërinë Polake. Gjatë transportit të saj për në kryeqytetin e mbretërve polakë të Krakovit, kuajt e karrocës ndaluan në qytetin e Çenstohovës dhe nuk donin të lëviznin nga vendi. Legjenda thotë se kjo ishte shenjë e Shën Mërisë që ikona e saj donte të kishte shtëpinë e qëndrimit të përhershëm në Çenstohovë. Për këtë arësye, princi Opolczyk, më 11.VIII.1384, Ikonën ia dhuroi Urdhërit të Paulinëve që kishin ndërtuar kishën e tyre në kodrën në Jasna Gura, ku ndodhet edhe sot e kësaj dite.

Gjatë periudhave që pasuan, Ikona ka pasur historinë e saj. Ajo shpesh u grabit dhe u dëmtua, saqë në faqen e fytyrës së Shën Mërisë edhe sot e kësaj dite kanë mbetur shenjat e dy viaskave të shkaktuara nga goditjet me shpatë që i janë bërë asaj prej keqbërësve, kështu që ajo u nënshtruar restaurimeve të vazhdueshme. Restaurimi i parë është bërë pas dëmtimit të saj prej sektit të krishterëve të Husëve në vitin 1430, ku u tentua të zëvendësohej ngjyra e zakonshme e fytyrës së Shën Mërisë dhe Jezu Krishtit që përdorej në ikonat ortodokse bizantine, me ngjyrën e errët të vernikut. Kështu që ngjyrat e të dy fytyrave të tyre në Ikonë u zbehën në ngjyrën bronz të errët. Restaurimi i fundit është bërë në vitin 1948 ku u përdorën edhe rrezet rentgen. Analizat treguan se ngjyra e fytyrave të tyre fillimisht ishte e çelur dhe jo e ngjyrës bronz të errët të tanishme.

Rreth kësaj Ikone kanë ndodhur shumë ngjarje, por më e rëndësishmja, që i ka dhënë famë të madhe jo vetëm brenda Polonisë, por edhe jashtë saj, është ajo që ka ndodhur në vitin 1655, kur Suedia kish përgatitur një plan për të pushtuar Poloninë. Më 21 korrik të atij viti, ushtritë suedeze kaluan kufirin polak, duke shtënë shumë shpejt në dorë Varshavën, Poznanin dhe Krakovin. Në këto rrethana fisnikëria polake nuk donte të luftonte dhe kështu, pothuajse i gjithë vendi, ra në duart e suedezëve. Më 18 nëntor 1655, ushtria suedeze që numuronte tre mijë ushtarë, u ndodh para mureve të Jasna Guras dhe kërkoi që fortesa të dorëzohej. Por administratori i fortesës vendosi të mbrojë vendin e Shenjtë dhe të mos e dorëzonte atë, duke patur në dispozicion vetëm 170 ushtarë, 20 oficerë dhe 70 murgjër. Në krahasim me ushtrinë suedeze, forca mbrojtëse e fortesës së Jasna Gurës ishte rreth pesëmbëdhjetë herë më e vogël. Sulmin ndaj manastirit ata e konsideronin si fyerje të ndjenjave të tyre fetare, sepse kështu përdhunosej vendi i Shenjtë që Shën Mëria kish zgjedhur për të qëndruar. Prandaj, çdo ditë ata faleshin para Ikonës dhe i luteshin Shën Mërisë për t’i mbrojtur nga suedezët. Dhe kështu ndodhi. Luftimet zgjatën dyzet ditë dhe, për mrekulli, përfunduan me fitoren e kalorësve të Manastirit. Kjo fitore pati një rëndësi të jashtëzakonshme , jo vetëm fetare, por edhe politike, që konsiderohej se ishte arritur nëpërmjet ndërhyrjes dhe përkujdesit të Shën Mërisë për të mbrojtur vendin e vet të shenjtë. Që nga ky çast i gjithë vendi u ngrit në luftë dhe fitorja anoi nga ana e polakëve, të cilën edhe sot e kësaj dite e konsiderojnë si një “Mrekulli” të dhuruar nga Shën Mëria. Për këtë arësye mbreti i Polonisë në atë kohë, Jan Kazhimiezhi I, në qershor të vitit 1656 pushtetin e vet mbretëror e dorëzoi tek Shën Mëria, duke e konsideruar Atë si Patronen dhe Mbretëreshën e Polonisë, vlerësim fetar që ka mbetur deri në ditët tona.

Duke parë rëndësinë e kësaj Ikone dhe pas vendosjes së paqes në Poloni me mbarimin e luftërave me Suedinë, në vitin 1711 filloi një fushatë për kurorëzimin me kurorën Papnore të Ikonës. Për këtë u shfrytëzua vizita e Nuncit Apostolik të Vatikanit të asaj kohe dhe, me miratimin e tij, ata iu drejtuan zyrtarisht Vatikanit për këtë çështje. Në vitin 1716 Papa i Vatikanit nënshkroi Aktin Kanonik të kurorëzimit të Shën Mërisë dhe Jezu Krishtit me kurorën Papnore. Mbi bazën e këtij Akti, mbi kokën e Shën Mërisë dhe Jezu Krishtit u vu kurora Papnore, ku ceremonia e këtij kurorëzimi u zhvillua më 8 shtator 1717, me pjesëmarrjen e rreth 200 mijë besimtarëve polakë. Aktin e kurorëzimit të kësaj Ikone e nënshkroi Papa me origjinë shqiptare Klementi XI (1649-1721), duke u bërë kështu një pikë e rëndësishme takimi në historinë e marrëdhënieve midis dy popujve tanë, shqiptar dhe polak.

Një Mrekulli tjetër që polakët ia atribuojnë kësaj Ikone, është edhe fitoria e Ushtrisë Polake, nën komandën e Mareshallit Jozef Pillsudski ndaj ushtrisë bolshevike ruse në vitin 1920. Atë vit, kjo ushtri e krijuar mbas Revolucionit të Tetorit të vitit 1917, synonte të eksportonte revolucionin proletar në Gjermani, ku vepronte një lëvizje e fuqishme komuniste. Me këtë synim, ajo depërtoi deri në dyert e Varshavës, buzë lumit Vistula. Ajo ishte në numur shumë më të madh nga ushtria polake, e cila sapo ishte formuar mbas rifitimit të pavarësisë së Polonisë më 1 nëntor të vitit 1918. Ndodhur në këtë situatë të pafavorshme ushtarake, polakët i faleshin vazhdimisht Ikonës së Shën Mërisë në Manastirin e Çenstohovës dhe i luteshin asaj që ushtria polake të përzinte ushtritë bolshevike nga Polonia. Edhe në këtë rast ndodhi mrekullia. Ushtria polake zmbrapsi repartet bolshevike, çliroi Poloninë nga invazioni bolshevik dhe avancoi deri në dyert e Kievit. Me këtë fitore, ushtria polake shmangu avancimin e ushtrisë bolshevike drejt Europës Perëndimore, fatet e së cilës nuk dihet sesi do të ishin po të ndodhte okupimi i saj nga kjo ushtri. Edhe këtë mrekulli që ndodhi, polakët ia atribuojnë edhe faljeve para Ikonës së Shën Mërisë në manastirin e Jasna Gurës të Çenstohovës dhe e quajnë Mrekullia mbi lumin e Vistullës.

Ndonëse kjo Ikonë me origjinë ortodokse bizantine është transformuar në Ikonë katolike, nderohet dhe vlerësohet shumë edhe nga të krishterër ortodoksë, veçanërisht nga ata të Ukrainës, Biellorusisë dhe Rusisë. Në atë kohë, asaj i ishin bërë kopje, të cilat qarkullonin në vende të ndryshme të Europës. Siç shkruan prifti jezuit polak Marçin Çeërminjski në veprën e tij të rëndërsishme “SHQIPËRIA – përshkrime historike, etnografike,kulturore dhe fetare”, botuar në vitin 1893 në Krakov, përkthyer në shqip dhe botuar në Tiranë vitin 2014, një kopje e e kësaj Ikone është sjellë edhe në Shqipëri në shekullin XIX nga një prift polak nga Galicia, e cila në atë periudhë ishte pushtuar nga Austria. Ajo ka qenë vendosur në altarin e kishës së Kallmetit prej peshkopit polak, Atë Françishek Mallçinjski, i cili në atë kohë shërbente në Lesh.

Ikona dhe Manastiri në Jasna Gura sot janë vende të shenjta jo vetëm për polakët, por edhe nga pelegrinë të shumtë dhe vizitorë që vijnë nga e gjithë bota. Ata bëjnë lutje të zakonshme, por edhe lutje për t’u shëruar nga sëmundje të ndryshme dhe për të pasur fat në jetë. Me këtë rast ata japin edhe dhurata të ndryshme si gurrë të çmuar, prodhime prej ari dhe argjendi, të cilat i vendosin në vende të caktuara të Manastirit. Numri i vizitorëve të përvitshëm arrin në mbi 4 deri 6 milionë vetë, prej të cilëve rreth 300 mijë pelegrinë polakë vijnë në këmbë çdo vit nga e gjithë Polonia, një traditë e hershme kjo që nga shekulli XVIII. Sot ky pelegrinazh është nga më të mëdhenjtë në të gjithë botën. Shën Mëria e Çenstohovës festohet më 26 gusht të çdo viti.

Për lidhjen e ngushtë të kësaj Ikone me Papën me origjinë shqiptare, Klementin XI dhe për numurin e madh të pelegrinëve dhe vizitorëve që e vizitojnë atë nga e gjithë bota, do të ishte mirë që atyre t’u bëhej i njohur fakti se pikërisht ky Papë ka miratuar kurorëzimin e saj me kurorën Papnore të Shën Mërisë dhe Jezu Krishtit. Kjo do bënte shumë përshtypje pozitive tek të gjithë vizitorët, veçanërisht tek populli polak që është shumë besimtar katolik. Mendoj se Kisha Katolike në Shqipëri do të ishte mirë të kontaktonte me organet përkatëse të Kishës Katolike Polake dhe të mundësonte ekspozimin e portetit në pikturë të Papa Klementit XI, si dhuratë e saj për këtë Manastir/ Leonard Zissi, Gazeta Shqiptare.

One reply on “Papa me origjinë shqiptare nënshkroi aktin e kurorëzimit të ikonës së Shën Mërisë në Poloni”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *