Nga Enela Topulli
Topullarët i kanë rrënjët në Sul, krahinë në Epir (në Çamërinë e sotme). Suliotët ishin aktorë me rëndësi në Revolucionin Grek të vitit 1821.
I pari i Topullarëve është Vasil Sulioti, arvanitas, i krishterë ortodoks – ai merrej me organizimin e çetave – luftëtar dhe kontribuues i madh në krahinën e Sulit. Pasuesi i tij, Hodo Bej Verdi ishte ndër të paktët gjirokastritë të kohës që mbante titullin “bej” e që gëzonte poste në administratën e Perandorisë Osmane. Pas tij, mbiemri u shndërrua në Karagjozi ose “syziu” në turqisht, meqë shumica e fisit karakterizoheshin nga ky tipar fizik. Hodo Bej Verdi/ Karagjozi kishte dy djem, njëri prej të cilëve, Sulejmani, shërbente në detyrën e kadiut në Sanxhakun e Vlorës. Karagjozët banonin në pjesën e sipërme të kalasë së Gjirokastrës, në atë që gjirokastritët e quanin “Gropa e Karagjozatëve”. Shtëpia kishte një stemë të veçantë – dy luanë dhe një shqiponjë. Pjesëtarët e fisit ishin të përfshirë në tregti me vendet e Perandorisë Osmane, gëzonin prona përgjatë gjithë jugut, madje përtej kufirit deri në Greqinë e sotme dhe ishin familjet feudale më të mëdha të krahinës. Hodo Ahmet Karagjozi pati dy djem: Sali dhe Mehmet Karagjozin. Mehmeti është i pari në linjën familjare me trajtat e sotme – ai ishte i pari, që vendosi mbiemrin Topulli. Arsyeja nuk dihet – më saktë ajo mbetet produkt gojëdhënash.
Në periudhën e formimit të vilajeteve dhe më pas të pashallëqeve shqiptare, ngjarjet bëhen më dinamike. Ali Pashë Tepelena, kreu i Pashallëkut të Janinës, imponoi vullnetin, prepotencën dhe arrogancën e tij të zakonshme edhe ndaj familjeve feudale gjirokastrite. Mehmet Karagjozi/Topulli zgjodhi kundërshtimin e armatosur. Ai nuk iu nënshtrua pashait dhe thuhet se u mbyll brenda bedenave të kalasë. Në fakt, Ali Pashë Tepelena vetë, ishte nip i Mehmet Topullit. Aliu ishte biri i vajzës së Mehmetit. Topat që ky i fundit lëshoi nga kalaja shkatërruan gjysmën e qytetit – papërkulshmëria e gjyshit e impresionoi nipin – kështu që marrëveshja ishte e vetmja rrugë për dy kundërshtarët. Pas kësaj ngjarjeje, në periudhën në vazhdim, qyteti pati bollëk ndihmash nga ana e pashait të Janinës.
Ago Topulli përbën nyjën kryesore të familjes Topulli. Jeta e tij kaloi përmes ngjarjesh dhe zhvillimesh të një rëndësie historike për fatet e popullit dhe kombit shqiptar. Ai pati 9 djem dhe 2 vajza, përkatësisht: Kapon, Sulejmanin, Bajon, Çerçizin, Namikun, Jonuzin, Halitin, Banushin, Nazifin, Akilen dhe Bakon. Mes tyre, spikatën Bajo dhe Çerçiz Topulli – të dy të arsimuar në Stamboll, por me temperamente krejt të kundërta. Bajo shquhej për natyrë të qetë e të rezervuar, i përfshirë më shumë në detyra administrative. Në bashkëpunim me Jani Vreton, Shahin Kolonjën dhe patriotë të tjerë, ai bëri të mundur organizimin e lëvizjes kombëtare dhe ndërgjegjësimin kombëtar. Me caktimin si pedagog në Manastir, ai lëvroi gjuhën shqipe, ndonëse nën presion të madh. Lëvizja mori trajtën e asaj që u quajt Komiteti i Fshehtë për Lirinë e Shqipërisë. Veprimtaria e tij u shtri në Sofje, SHBA si bashkëpunëtor i Fan Nolit dhe kulmoi me Komisionin e Caktimit të Alfabetit Shqip. Bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë ishin Luigj Gurakuqi, At’ Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, i cili kishte vlerësim për “zotninë prej Gjinokastre”. Gjithçka tjetër i përket historisë.
Çerçiz Topulli është emblema e familjes Topulli. Është heroi i kthyer tashmë në mit. Realizmi socialist, përmes filmit “Liri a vdekje”, ka kontribuar në një perceptim shumë të ngurtë të figurës shumëdimensionale dhe personalitetit të Çerçizit. Heronjtë, priremi t’i gjykojmë më tepër nga fokusi i veprës së tyre dhe pak prej asaj që kanë qenë në tërësi. Për këtë arsye, më poshtë, do zbuloj shkakun dhe arsyen e vërtetë të vrasjes së famshme të Bimbashit, më 9 mars 1908.
Çerçiz Topulli u lind më 20 shtator 1880 në Gjirokastër. Karakterizohej nga një natyrë e gjallë, dinamike dhe plëngprishëse. Udhëtonte shpesh në Bejrut, Nikosia, Sofje, Selanik, aty ku kishte vëllezërit. Një pjesë të veprimtarisë e kreu në Sofje deri në momentin kur mori miratimin e Shahin Kolonjës dhe të vëllait Bajo për t’u nisur drejt Shqipërisë për të formuar çetën. Tërhoqi një rreth të gjerë njerëzish të shquar në angazhimin e plotë dhe në përpjekjet për zgjimin kombëtar – për mbrojtjen dhe përhapjen e gjuhës shqipe. Natyrën e Çerçizit pakkush e njihte – ishte më shumë se i përfshirë shpirtërisht për lirimin e tokave shqiptare. Ky ishte qëllimi dhe pasioni i tij – gjë që jo rrallë ngjalli zilinë e vetë familjarëve të tij e të bashkëpunëtorëve. Topulli njihej si valltar dhe këngëtar. Adhuronte këngët labe dhe dallohej për elegancën e hedhjes së valles së Labërisë. Ai punoi në koordinim me patriotët e tjerë, duke iu adresuar disa herë me letra komunitetit ndërkombëtar, që në periudhën në fjalë, përbëhej thjesht nga komisione ndërkombëtare dhe qeveri, të cilat përmbushnin interesat e tyre pa as më të voglin preokupim, për vendet që po robëronte Perandoria Osmane. Rrjedhimisht, e pa të udhës që oponenca e armatosur dhe lufta të ishte mënyra e vetme për çlirimin kombëtar. Faik Konica ka qenë dhe mbetet figura, që më shumë se kushdo tjetër ka anatemuar lëvizjen kombëtare të bërë përmes çetash, duke i mbiquajtur kaçakë malesh e asgjë më shumë. Bajo dhe Çerçizi, jo vetëm që shiheshin me skepticizëm prej tij, por madje me një neveri të pashprehur për rrugën me të cilën mendonin çlirimin kombëtar. Ja çfarë thotë ai më konkretisht për Bajo Topullin:
“Fjalët Bajo Topulli janë emër i një shqiptari, i cili fshehur me gjithë shokë e me ndihmën e tyre, vrau një plak të paarmatosur…si të ishte armik grek…Disa shqiptarë u çuditën se “Albania” s’bën fjalë për kalorësin tonë. Shkaku i heshtjes sime qe ky: unë jam një shqiptar aq i ftohtë dhe aq i humbur saqë nuk kam qenë i zoti të kuptoj madhërinë e Bajo Topullit…Tani shpejt u hap fjala se Bajo Topulli dolli jashtë dhe u gëzova se do na jepte rast të na rrëfente mendimet e tija, punët që kërkon të bëjë dhe qëllimet. Por prita më kot. Ay qëndroi dy muaj në Amerikë, u poq me qindra shqiptarë dhe u kthye në Shqipëri pa hapur gojën apo të na dërgonte ndonjë mesazh…se ç’punëra do të bëjë nukë thotë.”[1]
Vrasja e Bimbashit turk, 9 Mars 1908
Çeta e Çerçiz Topullit në shkurt-mars 1908 vazhdonte të qëndronte në manastirin e Drianos (Maqedoni). Ndërkohë moskapja e Çerçizit të gjallë nga ushtria turke, do i kushtonte shtrenjtë fisit Topulli. Bajo dhe Çerçizi u kthyen në Gjirokastër në kushte të rënda të survejimit të lagjes “Dunavat II” dhe shtëpive të Topullarëve. Disa net më parë, ushtria kishte mësyrë fillimisht në shtëpinë e Çerçizit, pas mesnate, për të marrë peng burrat. Shtëpia e tij u hap nga e ëma, Hasua, e cila i tha se ishin vetëm gra në shtëpi dhe nuk e hapnin derën. Më pas, autoritetet u drejtuan në shtëpinë e Mehmet Topullit II, ku do merrnin zvarrë atë dhe djalin e tij të vetëm, Dautin (stërgjyshin tim). Mehmeti II, bashkë me Agon dhe Muharremin kishin qenë mbështetësit kryesorë të Abdyl Frashërit kur kishte shkuar në Gjirokastër për Lidhjen e Prizrenit. Trokitja pas mesnate në derë për gjirokastritët do të thoshte hall dhe Mehmeti e hapi derën pa e ditur se do të gjendej para një ushtrie të stërmadhe turqish. Deri në atë moment, Çerçizi ishte përballur në luftë të armatosur me turqit, por ata asnjëherë nuk kishin guxuar të depërtonin në strehën e tij familjare dhe kjo, ishte diçka që ai nuk mund ta toleronte kurrsesi. Gjithë burrat, Sako, Jaçe, Mane, Kapo, Jonuz, Halit, Seldi, Kaman, Mehmet ishin në burgun e Janinës. Lajmi i kobshëm i mbytjes së Dautit pas torturave mizore – kjo vdekje ishte edhe më e dhimbshme nën survejimin e plotë dhe mbikëqyrjes së shtëpive të lagjes – dhe kërkesës së llogarisë për vendndodhjen e Çerçizit, do e bënte këtë të fundit të organizonte vrasjen e Bimbashit, bashkë me Bajram Prongjinë dhe Hito Lekdushin. Ishte Kapo, vëllai i madh i Çerçizit, me të cilin ai këshillohej për çdo vendim, i cili i kërkoi vrasjen e Bimbashit dhe siç i tha Kapo, “nëse nuk e bënte, do ta vriste ai vetë”. Sa i përket armikut dhe studimit të terrenit, Çerçizi ishte strateg. Në momentin që Halil Musa Beu po ngjitej lart në lagjen e sotme “Hazmurat”, Bajrami dhe Hito qëlluan mbi të. Ky akt gëzoi shumë shqiptarë dhe u përgëzua nga të gjitha anët e kombit. Në vitet ’70, vepra e Daut dhe Mehmet Topullit u nderua nga qeveria e kohës dhe nga vetë Enver Hoxha me dekorata, diçka kjo që nuk e zhbëri fatkeqësinë e pësuar dhe sikur të mos mjaftonte – edhe djegien e shtëpisë madhështore të Mehmet Topullit në Dunavat.
Pas betejës në Mashkullorë, Çerçizi udhëhoqi disa operacione në Sarandë, Labovë, Skrapar etj. Sa i përket veprimtarisë atdhetare me patriotët e tjerë, ai pati përkrahjen e Ismail Bej Vlorës, por nuk u thirr për të marrë pjesë në festimet në Vlorë – në shpalljen e pavarësisë ra dukshëm në sy mungesa e Bajo Topullit, Shahin Kolonjës, Ibrahim Temos, Dervish Himës, Kristo Luarasit, Mihal Gramenos etj. – diçka së cilës, nuk i kushtoi dhe aq rëndësi. Më tepër se kaq, iu gëzua ditës që kishin pritur shqiptarët pas 5 shekujsh pushtim dhe robërim. Ai shkoi në Vlorë, ku u prit mjaft mirë nga Ismail Qemali dhe diskutuan për shumëçka. Çerçizi u caktua në detyrën e Komandantit të Forcave Vullnetare të Jugut nga Ismail Qemali. Myfit Bej Libohova dhe kundërshtarë të tjerë nuk e pritën mirë si vendim – përfshirë këtu dhe vetë familjarë të trungut të fisit. Çerçizi e vlerësonte lart figurën e Ismail Qemalit dhe patriotëve të tjerë, të cilët i veçonte prej disa figurave, që iu bashkëngjitën e që nuk kishin dhënë ndonjë kontribut të veçantë për Lëvizjen Shqiptare. Përjashtim këtu, bënin patriotët e burrat e Kosovës si Isa Boletinit etj., që erdhën me vonesë, por që Çerçizi i njihte nga luftërat e pareshtura që kishin bërë si dhe nëpërmjet letërkëmbimit me Idriz Gjakovën.
Veprimtaria e dytë e Çerçizit i përket periudhës 1912-1915, kohë për të cilën flet më konkretisht Lefter Dilo. Ai do vazhdojë në veri të Shqipërisë, territor i cili ziente përballë serbo-malazezëve. Shkodra do jetë stacioni i tij i fundit, vend në të cilin do japë dhe frymën e fundit më 15 korrik 1915. Veriu e priti si rrallëkush kapedanin. Ajo që dihet dhe pohohet me siguri është se disa herë Çerçizi pati mundësinë të takohej me Dedë Gjo Lulin, por ka mungesë informacioni mbi diskutimet e bëra mes tyre.
Çerçizi do të qëndronte në shtëpitë e disa shkodranëve si te Gurakuqët (Lazër dhe Shaqe Gurakuqi), Kojat (Zef Koja), Gjylbegajt (Hamdi Gjylbegu), Vjerdhajt (Palok Vjerdha). Madje takimet me Dedë Gjo Lulin janë pohuar prej Hamdi Gjylbegut. Lagjja “Parrucë” ishte vendqëndrimi i tij. Për herë të fundit, para se të ekzekutohej, ndodhej te shtëpia e Lazër Gurakuqit, bashkë me të shoqen Qamon. Prej shtëpisë së tij është arrestuar ai fillimisht, pas tij Luigj Gurakuqi, Hil Mosi, Spiridon Kacarosi. Në fushën e Shtoit, Çerçizi do të qëllohej nga tyta e pushkës serbe, më 15 korrik 1915. Për të, shkruan Ernest Koliqi, profesori Eqrem Çabej, Sterio Spasse, Petro Marko, poeti Ramiz Harxhi e Xhevahir Spahiu.
Kënga e të riut – Petro Marko
Dëgjuar e kish i riu atë trim
Nga malet arbnore që e rritën mirë,
Që nderin e tyre për ushqim
E rritën me ëndrra
I thanë se është gdhirë,
Dhe mëma krenare
Që dergjej në errësirë,
Mësuar e lirë si zonjë shqiptare
Kërkon shpëtim.
Nis krisma e pushkës për nder të lirisë
Fillon e s’pushon prej trimit me shokë,
Ushton sa thyen vargjet e robnisë
Se dita agoi, ra dielli në tokë…
Dhe zërat për dore të Rrapi në Mashkullorë.
Trimi do të flasë, sytë i mban përmallshëm
Drejt tokës ku lindi, tokës arbnore
Rri e nuk tundet, se trupi i tij i pashëm
U bë i pavdekshëm u bë përmendore .
E vendi buçet nga i gjithë populli
Që thotë: Ky qe i madhi Mbret
Trim Çerçiz Topulli.
One reply on “Çerçiz Topulli, “atdhetarët” dhe arsyeja për eleminimin e Bimbashit”
[…] Çerçiz Topulli, “atdhetarët” dhe arsyeja e vrasjes së Bimbashit […]