Koncesioni i autostradës Tiranë-Durrës do të jepet përmes një gare të hapur, jo me propozim të pa kërkuar nga privatët, por me kërkesë të qeverisë shqiptare.
Ministria e Infrastrukturës Belinda Balluku tha se në vjeshtë do të nisin procedurat e koncensionit ndërkohë që vendosja e pagesës do të bëhet vetëm kur të realizohet projekti dhe të rehabilitohet dhe zgjerohet rruga alternative pa pagesë Tiranë-Plepa.
“Kjo flitet që të ndodhi në një afat kohor mbas realizimit të projektit, mbas përfundimit të garës transparente. Kushdo që do të jetë fitues i këtij projekti detyra e parë që do të ketë si investitor është rehabilitimi, zgjerimi dhe përmirësimi i kushteve të rrugës, të alternativës le ta quajmë kështu pa pagesë që është rruga Tiranë-Plepa”, tha Balluku.
Balluku tha se sistemi tarifor për kalimin në autostradë do të jetë në varësi të gjatësisë së rrugës së përshkruar nga çdo drejtues mjeti.
“Do ketë një pagesë të përshkallëzuar pra jo çdo dalje të paguhet me një tarifë flat, pra nëse dikush do të dali në Rinas, është në varësi të gjatësisë së rrugës që do të përshkruaj çdo automjet”, tha ajo.
Autostrada Tiranë-Durrës përveç se lidh dy qytetet më të mëdha të Shqipërisë është edhe aksi më me shumë trafik në vend me mbi 50 mijë mjetë në ditë.
Vitin që shkoi qeverisë shqiptare i mbërriti një ofertë e pakërkuar për ndërtimin me koncesion të kësaj autostrade nga një kompani indiane, e cila bashkëpunonte me dy kompani shqiptare Albstar që po ndërton stadiumin kombëtar.
Zyrtarisht shifrat nuk u bënë publike, por burimet pranë ministrisë së infrastrukturës thanë se vlera e përafërt ishte 330 milion euro, ndërsa pagesa për kalim niste nga 2 euro. Ndërkohë tani qeveria ka kaluar në një variant tjetër, me garë të hapur dhe ku termat dhe kriteret e koncesionit do të vendosen nga këshilli ministrave.