Categories
Lajme

“Guna me Rrëke”, promovim traditës dhe trashëgimisë kulturore të Myzeqesë

TIRANË, 27 maj/ATSH/ Një aktivitet kushtuar traditës dhe trashëgimisë kulturore të Myzeqesë u organizua këtë fundjavë nga bashkia Fier në zonën e Semanit.

Veshjet tradicionale, gatimet, kabaja dhe këngët e vallet myzeqare, u prezantuan në panairin “Guna me rrëké”, që u zhvillua në zonën e Semanit.

Për të dytin vit radhazi, bashkia e Fierit organizoi këtë festë tipike tradicionale myzeqare, që i dedikohet veshjes tradicionale të zonës, e cila ka arritur të identifikohet si veshja që përfaqëson nga pikëpamja etno-kulturore, gjithë krahinën e Myzeqesë.

E cilësuar si festa më e bukur popullore në Seman, ky aktivitet organizohet në kuadër të turit etnokulturor “Hajd dalim nga Myzeqeja”.

Pjesë e këtij aktiviteti festiv ishte po ashtu edhe këndi i artizanit myzeqar si dhe këndi i gatimeve myzeqare me ushqimet më tipike të zonës së Semanit.

Këngët popullore më të bukura të zonës së Semanit me kostume tipike myzeqare si dhe lojëra popullore ishin po ashtu në programin artistik të kësaj feste.

Kryetari i bashkisë së Fierit, Armando Subashi u shpreh se kjo festë është një traditë që synohet të sillet çdo vit. “Ne do të mbështesim të gjitha këto festa fantastike në çdo njësi administrative, me idenë që të vazhdojmë të ecim përpara në këtë rrugë”, tha ai./ATSH

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *