Në manastirin e Adrenicës, 8 km në jugperëndim prej qytetit të Lushnjes në fshatin Kolonjë, në Shqipëri, heroi kombëtar Skënderbeu ka kurorëzuar dashurinë me Donikën, në mesditën e 21 prillit të vitit 1451, shkruan Gazeta Metro.
Ceremonia është kryer nga peshkopi i Kaninës Feliks, në prani të princave shqiptarë dhe ambasadorëve të Napolit, Venedikut, Raguzës. Këtë fakt e përmend për herë të parë në vitin 1940, italiani A. Lorenconi.
Manastiri është i tipit bizantino-ortodoks. Ai, së bashku me konaket që i janë shtuar më vonë, zë një sipërfaqe prej 2.500 m2. Ky monument përbëhet nga kisha e Shën Mërisë, kapela e Shën Triadhës, konaket, mulliri vajit, furra, stalla, etj.
Në qendër të tij ndodhet kisha “Lindja e Shën Mërisë”, e cila është ndërtuar pjesërisht me gurë të sjellë nga Apollonia dhe gurë shtufi. Kisha është e tipit Bazilikal. Ajo zë një vëllim të madh dhe është e mbuluar nga një çati druri me tavan të rrafshët./shqip.info