Në prill të 1907 peshkatarët e Brindizit çuditeshin me një grup burrash, të veshur çuditshëm, gjithnjë të shqetësuar, me flokë e mjekra të gjata, që silleshin rrotull një anijeje të vjetër e të vogël me vela, në pritje që të qetësohej deti.
Këta ishin Mihal Grameno, Çerçiz Topulli dhe të tjerët, që po prisnin ditën për të zbarkuar në Shqipëri, për të ndezur flakën e kryengritjes popullore antisomane. Ndërsa komitët e Çerçizit prisnin me padurim qetësimin e Adriatikut, një tjetër patriot i shquar, Bajo Topulli, kishte marrë një udhë tjetër, e cila nëpërmjet Parisit do të përfundonte deri në SHBA. Bajoja ishte një ndër veprimtarët e komitetit të fshehtë për “Lirinë e Shqipërisë”, i cili ishte krijuar në Manastir që në 1904. Çeta e Topullarëve e kishte kaluar dimrin e 1906-s në Sofje. Në Bukuresht, me ta, ishte bashkuar edhe Mihal Gramenoja, një emigrant që jetonte që prej 20 vjetësh në Rumani. Pas shumë peripecish, çeta kishte mbërritur në Brindizi dhe tani priste rastin e duhur për t’u kthyer ë Atdhe.
Aventurat e para
Më 16 maj të 1907-s kapiteni ulqinak Ahmet e solli çetën në Shqipëri. Ajo zbarkoi diku në afërsi të Dhërmiut. Për shumë kohë me radhë Çerçiz Topulli dhe njerëzit e tij u endën pa ndonjë qëllim të caktuar në malet e Jugut, që nga Bregdeti, e Kuçi e deri në Prespë e Devoll. Gjatë kësaj kohe, me komitët u bashkuan edhe disa anëtarë të rinj. Deri nga fundi i 1907-s ata sulmuan ndonjë karvan postar apo shkrehën ndonjë batare, sa për të larguar ushtarët që i binin në erë gjatë rrugëtimit të tyre të gjatë. Nuk kanë munguar as episode tragjikomike. Në kujtimet e tij, Mihal Gramenoja rrëfen për një bari myzeqar, që punonte diku në fshatrat e Jugut. Komitët ia kandisin mendjen që ai të bashkohet me ta. Kështu edhe i ziu Ilo u bë kaçak, por vetëm për pak ditë ama, sepse ndërsa një natë, teksa shumë prej kaçakëve po flinin, Mihal Gramenos iu tek të vajiste pushkën. Papritur, në qetësinë e natës, një krismë e thatë gjëmon fort. Nga pakujdesia, arma e Gramenos ishte shkrepur në vithet e Ilo myzeqarit. “Në jetën time nuk kam ndier më të madh helm edhe hidhërim se të asaj dite kur plagosa Ilon – shkruan Mihal Gramenoja në kujtimet e tij – nuk paska më të keqe se të bëhesh shokvrasës!”. Diku në të gdhirë “kaçaku” Ilo ia mbath nga sytë këmbët. Por jo vetëm kaq, por shkon e spiunon edhe te ushtarët osmanë. Nga tradhtia e Ilos e pësoi një çoban nga Kuçi, prifti dhe disa fshatarë nga Vunoi, që kishin strehuar çetën. Këta u mbyllën një vit në kështjellën e Gjirokastrës. Ilo “tradhtari” nuk përmendet më në librat e historisë. Kush e di nëse gjatë jetës së tij hëngri edhe ndonjë tjetër plumb në të ndenjura.
Në fillim një ters
Në janar të 1908-s çeta po strehohej në një manastir në Dropull. Manastiri ishte i sigurt, ishte lart në male dhe prej tij kontrollohej e tërë lugina. Çeta ruhej nga një roje lazaratas, Çeloja, dhe nga një xhandar shqiptar, që u miqësua shumë shpejt me komitët. Në fillim çdo gjë shkonte në rregull, deri kur lazaratasi grindet keq me Kapedan Çerçizin për shkak të qitjes që ai dhe shokët e tij bënin në oborrin e manastirit. Zeman Mashkullora, besnik i vjetër i Çerçizit i kishte fjalët e pakta. Ai rrëmben kamën e tij dhe ia ngul lazaratasit në brinjë. Ngjarja rrezikonte të shtonte armiqtë dhe të zbulonte vendndodhjen e çetës. Gramenoja, i cili shpesh bënte edhe rolin e mjekut, ia mjekon plagën lazaratasit dhe, disa orë më pas mundohet të pajtojë gjaqet. “Me të ngrysur – shkruan ai – i lava përsëri plagën Çelos dhe, me sa kuptoja, nuk shihja ndonjë rrezik, pastaj e muarrmë Çelon në dhomën tonë, ku e paqtova me Çerçizin e me Zemanin, që të mos mbetesh armiqësi midis tyre, nga shkaku i gjakut. Hëngrëm së bashku bukë, pastaj muarmë lamtumirë edhe shkuam duke porositur xhandarin që të vinte të lajmëronte qeverinë për këtë ngjarje, pa fjalë që t’u thosh se ca njerëz të liq plagosën rojen, kur ay nuk ndodhesh atje…”.
Vrasja e bimbashit
Pikërisht, kur në manastir ndodhnin këto ngjarje, komiteti i Gjirokastrës “Për Lirinë e Shqipërisë” merr vendimin për vrasjen e bimbashit (shefit të xhandarmërisë) së qytetit, i cili ishte treguar shumë mizor me shqiptarët. Detyra iu caktua çetës së Çerçizit. Urdhrin ia solli kapedanit vetë Idriz Guri, një tjetër patriot i njohur gjirokastrit.
Çeta u vendos në malet mbi Gjirokastër. Dy herë tentoi Hajredin Tremishti dhe një komit tjetër me emrin Asllan, por pa rezultat, bimbashi ruhej mirë. Herën e tretë, këtë punë e morën në dorë lebërit, Hito Lekdushi, (ose Hito Kërma) dhe Barjam Pergjia.
Në 25 shkurt të 1908, ditë pazari, në mëngjes herët dy atentatorët, të veshur si tregtarë, hynë në qytet. Komitët e tjerë kishin zënë pozicione rreth e rrotull që të mbulonin ikjen e dy guximtarëve. Në 11.15 bimbashi kishte dhënë shpirt, ndërsa pjesëtarët e tjerë të çetës vazhdonin të qëllonin mbi godinën e xhandarmërisë. Pas dy orësh çeta ishte e sigurt në afërsi të Mashkullorës, me siguri do të kenë kaluar në hijen e atij rrapi që u shemb përdhe para pak ditësh. Pas tri ditësh, çeta u nda në dy pjesë, për t’i manovruar më mirë ndjekjeve. Çerçiz Topulli, vetë i shtatë, qëndroi në Mashkullorë. “Çerçizi me neve u rrëzuam në Mashkullorë – shkruan Grameno – që të mirrte Zemani shëndet nga shtëpia, edhe ca më tepër të merrnim duhan se kishim mbetur pa cigare. Qëndruam dy orë edhe u ngrohmë pakëzë edhe deshnim të shkonim, po një errësirë e madhe me erë të marrë edhe me shi si edhe sigurimet e Mërtes, ati i Zemanit, që nuk ka ndonjë rrezik, na shtrënguan edhe na bindën të qëndrojmë atje. Ishte thënë prej Zotit që të nderohen armët e Shqipërisë”.
Lufta e shndërruar në legjendë
Të martën, duke e gdhirë e mërkurë, më 5 mars 1908, Çerçiz Topulli brof në këmbë dhe lëshon atë shprehjen tashmë të bërë legjendë: “O burrani, shokë, se na rrethoi ushtria!”’
Çeta braktis me të shpejtë shtëpinë dhe lëshohet në një përrua për të dalë deri te një haur i braktisur, ku zë pozicione. Në momentet e ikjes, një plumb e lëshon përdhe pa jetë Hajredin Tremishtin, një nga më të rinjtë e çetës. Një tjetër anëtar i çetës, Hito Kërma-Lekdushi. Ky, nga që nuk mundi të strehohej në gërmadhën e gurtë, preferoi më mirë të arratisej. Çeta mbeti kështu me pesë vetë. Përballë kishin 150 ushtarë (sipas Gramenos). Rrethimi ka vazhduar nga ora 7 e mëngjesit deri në të ngrysur. Në mes të ushtarëve osmanë të vrarë ishte edhe kallauzi, tradhtari që i tregoi ushtrisë vendin ku strehohej çeta. “Zbathur, lakuriq, kokëjashtë, me leshrat përpjetë vërtiteshe në të gjitha anët si një komandant i madh, me pushkën në dorë dhe gjashtoren në dhëmbë duke na mburrur neve dhe duke qëlluar mbi ushtarët. Fytyra e tij, këtë ditë, ishte më e qeshur se kurdoherë, edhe jo sikur luftonte, por sikur kërcente”, kështu e kujton Çerçizin atë ditë bashkëluftëtari i tij Gramenoja.
Një “darkë mbretërore”
Vetëm vonë, duke përfituar nga errësira e natës, çeta u vodh fshehurazi duke ecur në lumë dhe mbërriti në një çiflig të Dino Çiços, mik i Topullarëve. Këtu jetonte një “evgjit” me të shoqen. “Të uritur, iu shtruam tryezës dhe hëgrëm një tenxhere plot me fasule, të cilat ndofta evgjitërit i kishin përgatitur për një javë që ta hanin me fëmijën. Kurrë dhe kurrë do të mos e harroj, se në jetën time kurrë nuk mbaj mend që të kem ngrënë me shije kaq të madhe…”, shkruan historishkruesi i çetës.
Topulli, Grameno dhe të tjerët e vazhduan jetën e kaçakut ndër male, deri në shpalljen e Kushtetutës së 1908-s, pak kohë pas Luftës së Mashkullorës. Atëherë secili shkoi në punë të vet. “Në Selanik – i mbyll kujtimet e tij Gramenoja – ndejtëm 10 ditë, pastaj duhej të shpërndaheshim. Bajo me Çerçizin e shokët e tjerë shkuan me vapor për në Gjirokastër, ndërsa unë i mbetur si i shkretë, mora udhën për në Korçë. Lotët na derdheshin çurkë si lumë, kur u puthmë dhe u ndamë e së bashku kishim shkuar si vëllezër, afër dy vjet, nëpër malet e bukura të së dashurës Shqipëri”.
(Për këtë shkrim u përdor: Mihal Grameno, Kryengritja Shqiptare, në; Mihal Grameno, Vepra, Vëllimi II, Rilindja, Prishtinë 1979).
Personazhet
Çerçiz Topulli lindi në Gjirokastër. Ishte komit i famshëm, njeri me shumë ndikim në zonat rreth Gjirokastrës, rreth Kurveleshit dhe rreth Shqipërisë Juglindore. Ishte vëllai i Bajo Topullit, atdhetar i shquar. Të dy këta, bashkë me Mihal Gramenon, duke qenë në Sofje, krijuan në verën e 1907-s një çetë kryengritësish, që kishte për detyrë nxitjen e kryengritjes antiosmane në Shqipërinë e Jugut në 1908-n.
Çerçiz Topulli dhe çeta e tij u shndërrua në legjendë pas rezistencës që i bënë ushtarëve osmanë në fshatin Mashkullorë, më 5 mars të 1908. Në verën e të njëjtit vit, Çerçizi tentoi, por pa rezultat, të shtinte në dorë Korçën. Pas këtij momenti e deri në momentin e rënies së qeverisë së Princ Vidit ai iu kushtua lëvizjes patriotike dhe përhapjes së shkollave shqipe në krahinat e Jugut. Në 1914 u strehua, si shumë politikanë të tjerë shqiptarë në Shkodër, ku bashkëpunoi me Muço Qullin në botimin e gazetës “Populli”. U vra në Fushën e Shtojit, në Shkodër, nga trupat malazeze, më 15 korrik 1915. Ishte vetëm 35 vjeç.
Mihal Grameno ishte nga Korça. Ai lindi në janar të 1871. Mësimet e para i mori në qytetin e lindjes. Emigroi që herët në Rumani, ku u lidh me lëvizjen kombëtare shqiptare. Në moshën 28-vjeçare ishte sekretari i shoqërisë patriotike shqiptare “Drita”. Në 1907 iu bashkua çetës së Çerçizit me shokë dhe bëri jetë prej komiti. Më pas ishte drejtues gazetash në Korçë. Nga 1915 e deri në 1919 emigroi në Amerikë. Ishte njëri nga përfaqësuesit e shqiptarëve të Amerikës në Konferencën e Paqes në Paris. Mihal Grameno ka lënë pas edhe shumë krijime letrare me frymë patriotike. Vdiq në Korçë nga shkaqe natyrale, më 1931.
Bajo Topulli ishte një nga nëntë vëllezërit e Çerçizit. Kishte lindur po në Gjirokastër në 1869. Në 1905 ishte nëndrejtor i gjimnazit turk të Manastirit. Në nëntor të këtij viti ishte njëri prej nismëtarëve të krijimit të Komitetit të fshehtë paraushtarak që quhej “Për lirinë e Shqipërisë”. Nga ky komitet u krijuan degë në Korçë, në Kolonjë dhe në Gjirokastër. Në mars të 1906 ishte në krye të një çete të armatosur, që vepronte në zonën e Korçës. Pikërisht kjo çetë ekzekutoi në shtatorin e 1906 peshkopin e atëhershëm grek të Korçës Fotin. Peshkopi akuzohej si nxitësi kryesor i vrasjes së priftit patriot Papa Kristo Negovani. Deri në shpalljen e Kushtetutës osmane, në 1908, Bajo Topulli ishte njëri ndër veprimtarët më të njohur të lëvizjes patriotike shqiptare. Për disa kohë, pas shpalljes së Pavarësisë, jetoi jashtë vendit. Në 1923 kthehet në Gjirokastër, qytet i cili në 1925 e zgjedh Kryetar Bashkie. Jep dorëheqjen për arsye shëndetësore në 1928 dhe vdes dy vjet më vonë në Sarandë.
One reply on “Lufta e Mashkullorës Historitë e rrapit që nuk është më”
[…] Lufta e Mashkullorës Historitë e rrapit që nuk është më […]