Categories
Histori Të gjitha

Misteri që fshihet në zemër të Paraspuarit


Nga : Marin Mema

Përgjatë udhës së vjetër që lidhte qytetin e Beratit me Janinën, shumë karvanë tregtarë apo ushtarakë kanë kaluar përgjatë shekujve. Dikund gjurmët janë të dukshme, të tjera janë fshirë nga koha apo qëndrojnë të fshehura nëntokë.

Në këtë zonë, më saktësisht në fshatin Paraspuar identifikohen tre kështjella të periudhave të ndryshme. Shqipëria në fakt ka mjaft vende të tilla, por ky është vërtetë i vecantë. Së pari sepse nuk është dokumentuar apo hulumtuar asnjëherë, së dyti sepse në mënyrë të vazhdueshme njerëz të ndryshëm edhe nga jashtë vendit vijnë dhe shfaqin interes dhe së fundi vëmendje tërheq edhe misteri dhe legjendat që e rrethojnë.Kështjella e parë, ajo e Malit siç e njohin banorët mendohet të jetë më e vjetra. Sigurisht një datim i saktë është i pamundur sa kohë këtu arkeologët nuk kanë ardhur asnjëherë për të bërë një klasifikim shkencor të jetës dhe gjurmëve të saj. Me sy të lirë muret më të vjetër duket se i përkasin periudhës së hekurit, por ka edhe pjesë të tjera me mbivendosje të mëvonshme.Në të gjithë territorin e kësaj kalaje gjendet shumë qeramikë e periudhave të ndryshme. Ato janë tregues i jetës që ka patur ky vend dhe vazhdimësisë e saj. Sigurisht në një majë bosh ku muret janë të vogla e të dallueshme me vështirësi është e pamundur të përfytyrosh një qytet të vjetër, të rrethuar nga mure të mëdhenj, e me një jetë të dendur brenda tyre. Nuk dihet nëse grupet e kërkuesve e ardhur këtu, kanë më shumë të dhëna për ç’ka përfaqëson ky vend, por me siguri mund të thuhet se interesimi i tyre nuk ka qenë asnjëherë i vogël. Por ajo ç’ka e bën edhe më të çuditshme këtë hapësirë, lidhet me faktin se kjo kala nuk është e izoluar, përkundrazi…Rreth 500 apo 600 metra në vijë ajrore nga kështjella e Malit ngrihet historia e një tjetër qendre të mbrojtur.  Ndryshe nga e para këtu nuk ka gjurmë, por kjo s’do të thotë se kujtimi i saj tek banorët është zhdukur. Kjo lagje e fshatit Paraspuar ngrihet mbi rrënojat e kështjellës dhe shumë prej gurëve janë përdorur për të ndërtuar shtëpitë, oborret dhe objekte të tjera.Pra, në një hapësirë kaq të vogël që i përket fshatit Paraspuar, ndodhen dy kështjella. E para ajo e malit dhe e dyta, në lagjen Veliaj të fshatit. Banorët e lidhin me Ali Pashë Tepelenën, por të dhënat historike tregojnë se ai ka qenë një rindërtues i saj, siç ka bërë edhe në mjaft kështjella të tjera. Pra, edhe këtu ka disa faza ndërtimesh dhe rindërtimesh, të vështira për t’u përcaktuar. Dihet ajo e fundit e Ali Pashës, por më përpara asgjë…Banorët kujtojnë muret e lartë, hyrjet imponuese me harqe, puset, madje edhe disa tunele që shërbenin për kështjellën, por prej tyre sot në sipërfaqe nuk ka më asgjë.Kështjella e tretë është sërisht në një distancë shumë të vogel nga dy të parat. Edhe këtu kërkime nuk ka patur, e sërish gurët janë ripërdorur për ndërtimet e godinave në periudhën e komunizmit. Megjithatë enigma mbetet… Ajo mendohet se është të paktën 1 mijë vjeçare edhe pse përgjigjet e sakta kërkojnë sondazhe të specializuara.Në këtë zonë kryqëzoheshin rrugë të vjetra karvanësh. Sigurisht kryesore është ajo që lidhte Beratin, Tepelenën, Përmetin e deri në Janinë. Por përse duhet të ndërtoheshin tre kështjella në një hapësirë kaq të vogël? A ka kjo një arsye? A lidhet thjesht me këtë rrugë apo me diçka tjetër?Sipas banorëve këtu ka patur disa shenja mjaft interesante. Një pjesë e tyre janë shkatërruar nga kërkuesit e thesarëve ndërsa të tjerat ruhen me vështirësi. Pikërisht për këtë arsye në këtë shkrim nuk po jap koordinata të sakta, për të shmangur që abuzuesit e tjerë të vijnë e t’i shkatërrojnë.Kjo është një përplasje mes dy botëve, mes historisë që cilado qoftë tregon se këtu ka patur dikur zhvillim dhe të sotmes, ku pamundësia u ka marrë frymën të mbeturve. Është ironike të mendosh se këtu jetohej në kohë të lashta, por është e vështirë sot, kur gjërat duhet të ishin shumë herë më të lehta. Fshati po braktiset, njerëzit po shkojnë, ndërsa shtëpitë e vjetra po bien një e nga një….Historia ngelet mënjanë… Ajo nuk është shfrytëzuar as për të bërë zbulime të reja dhe as për t’u shërbyer banorëve të kësaj zone në trajtën e turizmit. E kush nuk do të donte të kuptonte pse ky fshat ka patur tre kështjella? Kujt i përkisnin? Çfarë fshehin nën rrënojat e dukshme e të padukshme? A lidhen me legjendat apo diçka tjetër ruhet në zemër të Paraspuarit?Për t’u dhënë përgjigje këtyre pyetjeve duhet pritur, porse deri kur nuk dihet. Ndoshta në momentin që institucionet përkatëse do të çohen nga gjumi letargjik, nëse kjo do të ndodhë ndonjëherë.Shenjat nuk duken të mira.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *