Categories
Gjuha Shqipe

Pësorja dhe rendi i fjalëve në fjali

Në shumë manuale të stilit të gjuhëve perëndimore gjen këshilla për të kufizuar përdorimin e foljeve në pësore.

Këto këshilla nuk duan të thonë thjesht se nëna i lan perdet dy herë në muaj është për t’u parapëlqyer, si thënie, ndaj perdet lahen prej nënës/nga nëna dy herë në muaj; por i referohen mënyrës së tërthortë dhe shpesh të paqartë me të cilën e përcjell kuptimin pësorja.

Për shqipen, ku kjo këshillë gjithashtu vlen, është për t’u mbajtur parasysh se jo çdo trajtë joveprore e foljes është njëkohësisht pësore; meqë folje të tilla si skuqem, lahem, merrem (me sport) etj., kanë vërtet trajtë joveprore, por u përkasin diatezave vetveprore dhe mesore, të cilat nuk kanë të bëjnë me problemin e pësores në ligjërim.

Në këtë kontekst, do të quajmë pësore të gjitha ato ndërtime të cilat paraqiten si shndërrim ndërtimesh me folje kalimtare veprore dhe kundrina të drejta:

Materiali u dorëzua për shtyp të hënën në mëngjes.
[Subjekti X e dorëzoi materialin për shtyp të hënën në mëngjes.]

Siç duket edhe nga shembulli më lart, arsyeja kryesore për të përdorur pësoren shfaqet në rrethanat kur folësi nuk e di subjektin e veprimit që shenjon kallëzuesi folje kalimtare, ose preferon të mos e eksplicitojë.

Megjithatë, brenda dinamikës së tekstit, pësoren e shqipes nuk mund ta homologojmë me atë të gjuhëve romane ose të anglishtes.

Në këto të fundit, arsye madhore për të përdorur pësoren është edhe rendi i fjalëve në fjali.

Të krahasohet paragrafi i mëposhtëm në anglishte:

The boss noticed that the file he had asked for the night before had already arrived on his desk. The file had been prepared by one of the interns, as everybody else ëas busy looking for evidence.

[Shefi vuri re se dosja që kishte kërkuar një natë më parë kishte mbërritur tashmë në tryezën e tij. Dosja ishte përgatitur nga një prej stazhierëve, meqë të gjithë të tjerët ishin të zënë, duke kërkuar prova.]

Vëreni dinamikën e tekstit: shefi ka kërkuar një dosjedosja ka mbërritur, dosjen e ka hartuar një stazhier, etj. Në fjalinë e parë dosja i përket pjesës së re të informacionit, në të dytën, dosja i përket pjesës së njohur të informacionit, meqë fjalia e dytë thotë diçka pikërisht për dosjen (se ka mbërritur, pastaj se ishte përgatitur nga një stazhier, etj.).

Kjo dinamikë kërkon, në thelb, që fjalia e dytë të fillojë me fjalën file (dosje), meqë sipas një rregulli tashmë të njohur, informacioni i njohur ose tema duhet t’i paraprijë informacionit të ri, ose remës.

E vetmja mënyrë e drejtpërdrejtë në anglishte, dhe në gjuhë të tjera që nuk kanë lakim të emrit dhe nuk dallojnë morfologjikisht midis kryefjalës dhe kundrinës së drejtë, ose emërores dhe kallëzores, për të filluar fjalinë me një gjymtyrë emërore të caktuar, është që ta përdorin këtë si kryefjalë (këtu nuk po hyj në hollësi për mënyrat si e shmangin këtë, në ligjërimin e folur, gjuhët romane, si italishtja dhe frëngjishtja, p.sh. duke dyzuar kundrinën e drejtë me anë trajtash të shkurtra në italishte: il giornale l’ho comprato mentre ero fuori).

Tani, në qoftë se kjo gjymtyrë emërore që anglishtja vë në ballë të fjalisë si kryefjalë qëllon të jetë objekt i foljes kalimtare që pason, atëherë ndërtimin me pësore nuk e shmangim dot:

The file had been prepared by an intern.
[Dosja ishte përgatitur nga një stazhier.]

Kjo do të thotë se në gjuhë pa lakim, pësoren e imponon vetvetiu struktura e tekstit, ose mënyra si përcillet informacioni.

Shqipja, përkundrazi, nuk u nënshtrohet kufizimeve të tilla.

Në shqipe mund të themi vërtet se dosja ishte përgatitur nga një stazhier, por kjo pësore tingëllon artificiale, në krahasim me veproren dosjen e kishte përgatitur një stazhier.

Avantazhi i shqipes si gjuhë flektive, në këtë mes, është se aty rendi i fjalëve është më i lirë sesa në gjuhët analitike si anglishtja dhe gjuhët romane, dhe se në shqipe është krejt normale që fjalitë të fillojnë me një kundrinë të drejtë ose të zhdrejtë.

Nëse anglishtja, për ta filluar fjalinë me objektin e një foljeje kalimtare, është e detyruar të përdorë një ndërtim me pësore, shqipja mjafton ta nisë fjalinë përkatëse me emrin në kallëzore.

Ka edhe dy faktorë të tjerë për t’u mbajtur parasysh: së pari, që kallëzorja e shquar, në shqipe, është gjithnjë e dallueshme lehtë nga rasat e tjera, për shkak të mbaresës unike –n; së dyti, që kur kundrina e drejtë del në krye të fjalisë, ajo shenjon zakonisht temën ose informacionin e njohur, prandaj do të marrë vetvetiu trajtën e shquar ose përemra dëftorë të barasvlershëm me nyjen shquese. Që këtej, rrjedh se kundrina e drejtë në krye të fjalisë ose me rend fjalësh O-V-S (kundrinë-kallëzues-kryefjalë) nuk sjell me vete ndonjë rrezik ambiguiteti. Tkurrja nga përdorimi e këtij tipi fjalish (OVS) për shkak të konformimit ndaj rendit SVO (madje edhe në fjalitë pësore, ku SVO i përgjigjet strukturës logjike të fjalisë) është pasojë e ndikimit induktiv të italishtes dhe të anglishtes në strukturën e fjalisë shqipe; përndryshe nuk ka ndonjë arsye të brendshme që folësit të heqin dorë, me dëshirë, nga një mjet sintaksor që e pasuron gjuhën, në emër të një rrafshimi të panevojshëm.

Efekti praktik i kësaj karakteristike të shqipes si gjuhë flektive është se një pjesë të madhe të pësoreve në tekstet mund t’i mënjanojmë krejt; deri në atë shkallë sa pësorja vetë të specializohet në përdorime të caktuara, me kuptim “të fortë”.

Ja disa shembuj pësoresh, në bashkëlidhje me ndërtimin rrënjë me folje kalimtare, dhe versionin alternativ me kundrinë në krye të fjalisë:

Valiu osman e meremetoi portën e kalasë në vitin 1580.
Porta e kalasë u meremetua (prej valiut osman) në vitin 1580.
Portën e kalasë (valiu osman) e meremetoi në vitin 1580.

Studioja suedeze “Demolition Man” ka përgatitur projektin për rregullimin e qendrës së qytetit.
Projekti për rregullimin e qendrës së qytetit është përgatitur nga studioja suedeze “Demolition Man”.
Projektin për rregullimin e qendrës së qytetit e ka përgatitur studioja suedeze “Demolition Man”.

Im bir e ka nxjerrë këtë fotografi kur ia rrëzuan gabimisht bustin De Radës.
Kjo fotografi është nxjerrë (nga im bir) kur ia rrëzuan gabimisht bustin De Radës.
Këtë fotografi e ka nxjerrë im bir (im bir e ka nxjerrë) kur ia rrëzuan gabimisht bustin De Radës.

Si rregull, të gjitha ato raste ku pësoren e përdorim në rrethana kur subjektin e veprimit nuk e njohim ose nuk duam ta përmendim, lejojnë zëvendësim të pësores me një ndërtim në vetën e parë ose të tretë shumës, me subjekt të nënkuptuar ose eksplicit:

Si duhet të veprohet në ato raste kur pësorja përdoret në rrethana kur subjekti i veprimit nuk njihet ose nuk duhet të përmendet?

Si duhet të veprojmë në ato raste kur pësoren e përdorim në rrethana kur subjektin e veprimit nuk e njohim ose nuk duam ta përmendim?

Thuhet se Ismaili ka ndërmend ta shesë shtëpinë e plazhit.
Thonë se Ismaili ka ndërmend ta shesë shtëpinë e plazhit.

Përballë xhamisë do të ndërtohet një kishë katolike.
Përballë xhamisë do të ndërtojnë një kishë katolike.

Megjithatë, ka disa ndërtime ku pësoren nuk e shmangim dot; p.sh. ndërtimet me të ashtuquajturën pësore të gjendjes, ose Zustandspassiv (Buchholz-Fiedler, vep.cit. f. 192-193):

Sot është e hënë, parku është i mbyllur.

Të gjitha vendet për parkim janë të zëna.

Tabelat ishin të rrëzuara përdhé.

Pësorja e gjendjes e tregon veprimin si tashmë të përfunduar, dhe të shprehur vetëm nëpërmjet gjendjes që ka lënë pasojë; për këtë arsye, ndërtimet me veprore:

Sot është e hënë, parkun e kanë mbyllur.

Të gjitha vendet për parkim i kanë zënë.

Tabelat i kishin rrëzuar përdhé.

Nuk janë kuptimisht të barasvlershme.

Po ashtu, pësoren zakonisht nuk mund ta shmangim në ndërtime të tipit:

Duhet treguar kujdes.

Kërkohet gjak i grupit AB.

Të cilat nuk pranojnë subjekt logjik.

Ka raste të shumta kur pësoren e imponojnë strukturat sintaksore eliptike/simetrike, si në shembullin e mëposhtëm:

Revista jonë del çdo të diel dhe shitet në të gjitha kioskat e qendrës.

Kjo fjali ka një kallëzues të bashkërenduar, i cili i përgjigjet një kryefjale të vetme; kallëzuesi shitet do të dalë detyrimisht në pësore, sepse vetëm ashtu mund të bashkërendohet me kallëzuesin tjetër, foljen jokalimtare del.

Fjalinë më lart nuk mund ta riformulojmë si:

Ne e nxjerrim revistën çdo të diel dhe e shesim në të gjitha kioskat e qendrës.

Meqë ka pak të ngjarë që revistën ta shesin po ata “ne” që e nxjerrin (ose e botojnë).

Nga ana tjetër, fjalia:

Ne e nxjerrim revistën çdo të diel dhe atë e shesin të gjitha kioskat e qendrës.

Arrin ta shmangë pësoren, por është inkoherente, sa kohë që revista u shërben si kundrinë e drejtë dy foljeve që janë jo vetëm të ndryshme (nxjerrim, shesin), por edhe që u referohen dy kryefjalëve të ndryshme (ne, kioskat).

Për të njëjtën arsye, fjalinë më poshtë:

Revista botohet çdo të diel

Mund ta riformulojmë, duke e shmangur pësoren:

Revista del çdo të diel
Revistën e botojmë/nxjerrim çdo të diel

Por kur të njëjtën fjali e përfshijmë në një strukturë të zgjeruar, atëherë zëvendësimi i pësores vjen e bëhet problematik:

Revistën e botojmë çdo të diel dhe ajo shitet në të gjitha kioskat e qendrës.

Këtë herë, problemi ka të bëjë me bashkërendimin e dy kallëzuesve tipologjikisht të ndryshëm; si dhe me faktin tjetër, që revista del si kundrinë e drejtë në fillim të fjalisë, por shndërrohet në kryefjalë në pjesën e dytë të po asaj fjalie, edhe pse ky shndërrim nuk përligjet dot logjikisht.

Prandaj ndërtimi i mëposhtëm do të ishte edhe i preferueshmi:

Revista botohet çdo të diel dhe shitet në të gjitha kioskat e qendrës.

Edhe pse i ka të dyja foljet në pësore. Në këtë rast, mund të supozojmë pa merak se bashkëbiseduesi e ka marrë vesh tashmë se kush është botuesi i revistës (pas gjase subjekti i thëniezimit, ose personi që flet), prandaj pësorja nuk është se po ia mban të fshehtë ose të paqartë informacionin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *